Aktorja 46-vjeçare e cila shërben si e dërguar speciale e UNHCR-së, Angelina Jolie, ka udhëtuar drejt kryeqytetit të Jemenit, Aden, për të siguruar ndihma për njerëzit të cilët në mënyrë të dëshpëruar kanë nevojë për paqe. Tutje ajo theksoi gjendjen e vështirë të njerëzve që jetojnë në territorin e Azisë jugore, të cilët janë pjesë e një prej krizave më të këqija humanitare në botë.
“Sapo arrita në Aden për të takuar familjet e zhvendosura dhe refugjatët, si dhe për ta treguar mbështetjen time për popullin e Jemenit. Si ambasadore e UNHCR-së, do ta bëj më të mirën për raportuar për situatën e tyre nga vendi i ngjarjes, në ditët në vijim. Ndërsa ne vazhdojmë të shikojmë tmerret që shpalosen në Ukrainë dhe bëjmë thirrje për një fund të menjëhershëm të konfliktit dhe qasje humanitare, unë jam këtu në Jemen për të mbështetur njerëzit që gjithashtu në mënyrë të dëshpëruar kanë nevojë për paqe. Situata këtu është një nga krizat më të rënda humanitare në botë, ku brenda çdo ore vritet apo plagoset nga një civil. Shteti po përballet me një ekonomi të shkatërruar nga lufta, dhe mbi 20 milionë jemenas varen nga ndihmat humanitare për të mbijetuar”, shkruhej në postimin e fundit të aktores në Instagram.
Tutje, ylli i filmave “Maleficent” duke e krahasuar gjendjen e vështirë të vendit me pushtimin aktual të Ukrainës nga Rusia, insistoi se të gjithë njerëzit e meritojnë të njëjtën dhembshuri.
“Këtë javë një milion njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre si pasojë e luftës së tmerrshme në Ukrainë. Nëse mësojmë diçka nga kjo situatë tronditëse, është se nuk mund të jemi selektiv se kush meriton mbështetje dhe të drejtat e kujt t’i mbrojmë. Të gjithë meritojnë të njëjtën dhembshuri. Jetët e viktimave civile të konfliktit apo luftës, kudo kanë vlerë të barabartë. Pas shtatë vitesh lufte, populli i Jemenit gjithashtu ka nevojë për mbrojtje, mbështetje dhe mbi të gjitha për paqe”.
Jemeni po përjeton luftë civile që nga viti 2014, me qeverinë jemenase të udhëhequr nga Abdrabbuh Mansur Hadi dhe lëvizjen “Houthi” të Këshillit të Lartë Politik, që pretendojnë ta drejtojnë vendin.
Më shumë se 100 mijë civilë besohet se kanë vdekur mes konflikteve, ndërsa miliona të tjerë përballen me urinë si pasojë e varfërisë së lartë në vend.