Showbiz

Eliza Dushku dha hollësi për eksperiencën e saj me ngacmimin seksual

Foto: AP/Associated Press

Aktorja me prejardhje shqiptare dhe famë botërore, Eliza Dushku, ka filluar të flasë hapur për ngacmimet seksuale që i janë bërë në vendin e punës.

40-vjeçarja e njohur për role të shumta në filma dhe seriale të suksesshme hollywoodiane, dëshmoi në kuadër të Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, me ç’rast foli për përvojën e saj me ngacmimet e vazhdueshme seksuale gjatë angazhimit të saj në serialin “Bull” të kanalit “CBS”, dhe faktin se kur ka dashur t’i adresohet këtij problemi ishte pushuar nga puna.

Seanca dëgjimore me titull “E heshtur: Si arbitrazhi i detyruar i mban viktimat e dhunës dhe ngacmimeve seksuale në hije”, u mbajt për ligjvënësit që peshonin legjislacionin e ri për të eliminuar klauzolat e arbitrazhit të detyruar në rastet e punësimit, të konsumatorëve dhe të drejtave civile.

Dushku, e cila e akuzoi kolegun e saj, Michael Weatherly, për ngacmim seksual, u pushua nga puna 24 orë pasi kishte bërë ankesë për sjelljet e aktorit. Kur tentoi ta luftojë këtë vendim të producentëve dhe kanalit “CBS”, ajo përfundoi në arbitrazh sipas kontratës së saj.

Marrëveshja e arritur në vlerë prej 9.5 milionë dollarësh, që është përafërsisht e njëjta shumë të cilën aktorja do ta fitonte nëse do të luante në këtë serial deri në përfundim të kontratës, bëri që ajo ta nënshkruante një NDA, marrëveshje kjo e fshehtë cila nuk e lejonte ta diskutojë këtë rast publikisht.

Për shkak se Dushku shërbeu si dëshmitare para Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, ajo pati rastin që për herë të parë të ndajë më shumë hollësi rreth rastit, për dallim nga ajo që i lejohet sipas NDA.

Në rrëfimin e saj, aktorja tregoi se si kanali “CBS” e kishte lutur ta pranonte rolin e avokates J.P. Nunnelly, duke i thënë se ishte krijuar enkas për të. Por, qysh në javën e parë të punës, ajo kishte filluar të ngacmohet nga kolegu i saj, 53-vjeçari Michael Weatherly. Ajo e përshkroi këtë një prej eksperiencave më të vështira që i ka përjetuar në sheshin e xhirimeve, nga mosha 9-vjeçare kur edhe ka filluar të merret me aktrim.

Dushku kishte nënshkruar kontratë të luaj në gjashtë sezone të serialit “Bull”, ku e portretizonte një avokate të mençur, të fuqishme dhe plot vetëbesim. Por, Weatherly i cili përveç si aktorë protagonist shërbente edhe si producent i shout, ia kishte bërë këtë të pamundur duke e ngacmuar verbalisht dhe fizikisht. Këtë madje, ai e kishte bërë edhe në sy të punëtorëve të tjerë të cilët më pas kishin filluar ta ndjekim shembullin e tij.

Dushku tregoi se sa e poshtëruar ndihej dhe se si kishte frikë të shkonte në punë. Madje, ajo kishte frikë se në rast se do të reagonte kundër kolegëve, do ta rrezikonte punën e saj dhe do t’i dëmtohej reputacioni profesional.

Ngacmimet kishin arritur në kulm kur gjatë xhirimit të një skene ku ajo e kishte një monolog para gjykatësit dhe jurisë, për të cilën performancë ishte përgatitur shumë, me ta përfunduar fjalimin, Weatherly kishte bërtitur me të madhe duke thënë se ai dhe shokët e tij do të donin ta kenë një treshe me të.

Eliza e tmerruar nga kjo ngjarje kishte filluar të shkojë në punë me rroba të gjera të cilat i huazonte nga burri i saj. Pas diskutimit të situatës me menaxherin, aktorja më në fund kishte vendosur të përballet me kolegun e saj dhe t’i kërkojë me të mirë që të tregohej i respektueshëm dhe të mos bënte më komente seksuale në krah të saj. Weatherly kishte reaguar duke i thënë Dushkut se ndihet i shokuar nga komenti i saj dhe që askush nuk mund të ishte më respektues ndaj grave sesa ai. Kjo ngase ishte rritur me shumë motra.

Por, një ditë pas këtij diskutimi, Michael ishte ankuar tek shefat kanalit “CBS” duke thënë se, Eliza ishte person pa humor dhe e vështirë për të punuar me të, si dhe kishte kërkuar largimin e saj nga seriali.

Edhe pse studioja kishte reaguar duke thënë se Dushku ishte një aktore profesionale, shumë e zonja në punën e saj dhe po e bënte shoun më të mirë dhe interesant për publikun, megjithëkëtë një ditë më vonë ajo ishte pushuar nga puna.

Edhe pse aktorja me prejardhje shqiptare ishte paguar 9.5 milionë dollarë për shkëputje të kontratës së punës, ajo tha që kjo shumë nuk e kompenson dëmin që i ishte shkaktuar reputacionit të saj si aktore.

Weatherly e ka mohuar publikisht se ka pasur gisht në vendimin për pushimin e Dushkut nga puna, por e ka pranuar se ka bërë sjellje të cilat nuk ishin qesharake dhe të përshtatshme, si dhe ka kërkuar falje për dhimbjet që ia ka shkaktuar Eliza Dushkut.

Seriali “Bull” vazhdon të transmetohet në kanalin “CBS”.