Showbiz

Missy Elliott u nderua me yll në Hollywood

Foto: AP/Associated Press

Një yll i ri është zbuluar në Bulevardin e Famës në Hollywood, i cili e nderon legjendën e muzikës rep, Missy Elliott.

Ylli i hitit “Get Ur Freak On” e cila shquhet për karrierën e suksesshme muzikore, dukej tejet e lumtur dhe emocionuar në ceremoninë e zbulimit të yllit të saj në një prej bulevardeve më të famshme të Los Angelesit.

“Kam ardhur në Los Angeles para 20 vjetëve dhe më kujtohet se ecja në këtë rrugë të mbushur me yje dhe e imagjinoja që një ditë ta shihja edhe emrin tim këtu. Është bekim të kesh ëndrra të mëdha dhe ambicie në jetë, dhe më në fund kjo gjë ndodhi. Unë po qëndroj mbi yllin me emrin tim. Dua t’ia dedikoj këtë arritje artisteve dhe motrave të mia të hip-hopit. Dua t’iu them të gjithave që ju dua shumë. Atyre që tani po depërtojnë në këtë industri dhe atyre që do të vijnë në të ardhmen. Por, mbi të gjitha dua t’i nderojë legjendat e këtij zhanri muzikor, si Queen Latifah, Monie Love, Sha-Rock, Angie Stone, Roxanne Shanté, Yo-Yo, MC Lyte dhe Salt-N-Pepa. E di që mund t’i kem harruar disa emra, por të gjitha këto artiste kanë depërtuar në Hip-Hop para meje duke na i hapur dyert të gjithave. Ne qëndrojmë mbi themelet tuaja. Ju vrapuar në mënyrë që ne të mund të ecnim në këtë industri të dominuar nga burrat. Ju lobuat për atë që besonit në mënyrë që ne të ishim rehat në pozicionet tona. Prandaj dua t’iu falënderoj për këtë moment”, deklaroi Elliott gjatë fjalimit të saj emocional.

Para të pranishmëve, Elliott u prezantua nga menaxherja e saj prej 25 vjetësh, Mona Scott-Young, si dhe këngëtaret Ciara dhe Lizzo të cilët po ashtu mbajtën fjalime në nderë të reperes.

“Ajo i hapi rrugët në industri për mua dhe shumë të tjerë që e ndoqën. Nuk ka njeri si Missy. Ajo posedon krijimtari të pakufishme, është një vizionare dhe mishërim i artit të vërtetë. Një grua e fuqishme, guximshme dhe integritet. Ajo krijoi tinguj unik si një krijuese moderne e hiteve muzikore, e cila vazhdon të përcaktojë hapësirën dhe kohën”, deklaroi Ciara me të cilën Elliott kishte bashkëpunuar në krijimin e hitit “Lose Control”.

Kurse, Lizzo gjatë fjalimit të saj e quajti Elliottin “yllin më të ndritshëm në univers”, si dhe foli për faktin se si fëmijë e kishte ndjekur karrierën e reperes 50-vjeçare.

“Të kam ndjekur gjithë jetën time dhe e pashë një superyll tek ti, por gjithashtu e shihja veten time. Kurrë më parë nuk e kisha parë veten tek një artiste. Ti e jetove jetën me shumë guxim, aq bukur dhe në mënyrën si ke dashur, pa kërkuar falje dhe gjithmonë duke e ngritur zërin për veten dhe të tjerët. Nuk e ke idenë se çfarë ke bërë për kaq shumë gra afrikano-amerikane”.

{gallery}

Missy Elliott i ka lansuar gjashtë albume të incizuara në studio, nga ai debutues i vitit 1997, “Supa Dupa Fly” e deri tek albumi i fund i publikuar në vitin 2005, “The Cookbook”. Gjatë karrierës muzikore u nderua me katër shpërblime “Grammy”, në vitin 2002 për hitin “Get Ur Freak On”, më 2003 për “Scream a.k.a. Itchin”, më 2004 për hitin “Work It” dhe në vitin 2006 për këngën “Lose Control”.