Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Kelly Clarkson nderohet me yll në Hollywood

Disa njerëz presin një jetë të tërë për një moment të tillë. Të hënë (19 shtator), Kelly Clarkson u nderua me yll në shtegun e të famshmëve në Hollywood.

E rrethuar nga anëtarët ikonik të jurisë së shout “American Idol”, Simon Cowell, Paula Abdul dhe Randy Jackson, fituesja e edicionit të parë të kësaj gare muzikore dukej shumë e lumtur në ceremoninë e zbulimit të yllit të saj. Ky nderim i këngëtares zuri vend disa javë pasi e shënoi 20 vjetorin e triumfit revolucionar në “American Idol”, që e vendosi atë në rrugë drejt suksesit dhe shndërrimit në një prej superyjeve të muzikës në Amerikë.

“Ky është vendi ku fitova para 20 vjetëve. Ndihem me fat dhe e bekuar sepse e di që ka shumë njerëz të talentuar të cilëve u pëlqen të këndojnë, janë të mirë në këndim dhe janë tekstshkrues të jashtëzakonshëm, ndoshta nuk e kanë rastin ta gëzojnë suksesin e merituar. Qoftë edhe për të qenë prezantues të një emisioni. Shumë njerëz mund ta bëjnë këtë punë dhe unë ndihem me fat që e kam rastin dhe mundësinë për ta ushtruar këtë profesion. Ekzistojnë ëndrra të cilat nuk e dije që i ke por pastaj ato realizohen dhe ti ndihesh shumë e bekuar për gjithçka”.

E njohur për hite të tilla si, “Breakaway” dhe “Since U Been Gone”, Clarkson arriti t’i shes më shumë se 28 milionë albume anembanë botës. Ajo po ashtu e ka gëzuar një sukses të jashtëzakonshëm si anëtare e jurisë së emisioneve garuese, si autore dhe së fundmi si prezantuese televizive.

Në moshën 40-vjeçare dhe pavarësisht arritjes së majave të suksesit në skenën muzikore, Clarkson asnjëherë nuk i harron rrënjët e saj. Duke ju drejtuar të ftuarve të saj në ceremoni, Cowell, Abdul dhe Jackson, këngëtarja deklaroi: “Është shumë mirë kur rrethohesh nga njerëz që nuk ta bëjnë rrafsh por ta thonë gjithmonë të vërtetën dhe ta shprehin mendimin e tyre të sinqertë. Kështu ka ndodhur nga fillimi kur isha pjesë e shout ‘American Idol’. Ju të tre ishin shumë të sinqertë me mua dhe ju falënderojë shumë për këtë. Po i shoh fëmijët e mia atje të cilët ka filluar t’i kap uria dhe ju ka humbur durimi. Nuk ju intereson që po nderohem me një yll në Hollywood, thjeshtë duan të shkojnë të hanë në McDonald’s”, tha këngëtarja duke bërë shaka.

Në fillim të këtij muaji, Clarkson e filloi edicionin e katërt të emisionit të saj ditor, “The Kelly Clarkson Show”, i cili aktualisht është duke u xhiruar në New York.