Showbiz

The Weeknd i ka shtyrë sërish data e turneut botëror

Foto: AP/Associated Press

Ylli kanadez i muzikës, The Weeknd, e ka shtyrë turneun botëror “After Hours Til Dawn”, për herë të tretë.

Koncertet e këngëtarit 31-vjeçar të cilat fillimisht ishin planifikuar të mbaheshin në vitin 2019, ishin shtyrë për janar të 2022-ës por tani kanë pësuar sërish ndryshim të datave dhe si rezultat, turneu i shumëpritur i The Weeknd do të fillojë gjatë verës së vitit të ardhshëm në Vancouver.

“Datat e turneut po shtyhen sërish dhe tani koncertet do të mbahen në verën e vitit 2022”, ka shkruar këngëtari në postimin e tij të fundit në Instagram.

The Weeknd i cili në mars të vitit 2020 e lansoi albumin e katërt të incizuar në studio, “After Hours”, po ashtu zbuloi se koncertet e tij tani do të mbahen nëpër stadiume.

“Për shkak të kufizimeve të arenave dhe kërkesës për më shumë performance, unë dua të bëj diçka më të madhe dhe të veçantë për ju dhe për ta realizuar këtë qëllim më duhet t’i mbajë koncertet nëpër stadiume. Biletat aktuale do të rimbursohen automatikisht dhe të gjithë personave që tashmë i kanë blerë biletat do t’u jepet përparësi për të siguruar bileta të reja kur ato të dalin në shitje. Data e reja të koncerteve do të bëhen publike së shpejti”.

Tutje, The Weeknd ka bërë të ditur se në kuadër të këtij turneu do të performojë në Amerikën Veriore, Evropë, Amerikën Jugore, Azi, Australi, Afrikë dhe Lindje të Mesme.

Në fillim të muajit tetor, The Weeknd emri i vërtetë i së cilit është Abel Tesfaye, i përditësoi fansat me lajme rreth albumit të ri muzikor duke treguar se po i mungojnë vetëm disa elemente të cilat janë kyçe për finalizimin e këtij projekti.

Këngëtari ka lënë në nënkuptohet se albumi i ri do të përfshijë këngë të cilat i dedikohen njerëzve të tij të afërt, personave që e kanë inspiruar në jetë dhe që vazhdojnë ta frymëzojnë edhe sot.

Ndërkaq, javën e kaluar ylli kanadez i muzikës pop u emërua ambasador i vullnetit të mirë për programin e Kombeve të Bashkuara, “World Food Programe”. Në këtë mënyrë edhe u vlerësua angazhimi i tij në fushën e bamirësisë dhe donacionet e shumta për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë në Etiopi, Liban dhe të shtete tjera.