Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ali Aliu në PIKË me Veton Surroin (IV)

Në episodin e 66-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është akademiku Ali Aliu. (Pjesa e katërt)

 

Aliu: Kur pyeta çfarë mund të bënte Shqipëria për Kosovën në rast lufte, më thanë ‘na ngushtoni’

46 s. më parë / 27 sht 2026 20:11
Ali Aliu

Akademiku Ali Aliu ka rrëfyer një bisedë me Sofokli Lazërin, ish-krahun e djathtë të presidentit të atëhershëm të Shqipërisë, Ramiz Aliu, për mundësinë e shpërthimit të luftës në Kosovë dhe rolin që Shqipëria mund të kishte në një situatë të tillë.

Duke bashkëbiseduar me publicistin Veton Surroi në podcastin “PIKË”, Aliu ka treguar se i kishte thënë Lazërit se Kosova nuk do ta kalonte krizën pa luftë dhe e kishte pyetur se çfarë mund të bënte Shqipëria për Kosovën në rast se konflikti do të shpërthente.

“Ta shkurtoj muhabetin, se e ndienim ne, i thashë: ‘Sofokli, Kosova pa luftë nuk do të kalojë. Krejt Jugosllavia, hapësira jugosllave është në prag të një lufte të përgjithshme. Do të përfshihemi edhe ne aty’. Tha: ‘Po e dimë këtë’. Thashë: ‘Unë dua ta di çfarë mund të bëni ju për ne, kur të shpërthejë kjo’. Ai tha: ‘Na ngushtoni’”, ka rrëfyer Aliu.

Sipas Aliut, përgjigjja e Lazërit ishte realiste, por për të përbënte një zhgënjim të madh, pasi në Kosovë ekzistonte pritshmëria se Shqipëria do të mund të ofronte mbështetje më të madhe në rast të një konflikti.

“Ishte realist, po për mua zhgënjim i madh. Ne mendonim që ne do ta nisim luftën, këndej s’kemi, po këta vëllezërit tanë do të jenë me...”, ka thënë Aliu.

Aliu rrëfen kërkesën e Ramiz Alisë për takim me Rugovën

5 min. më parë / 27 sht 2026 20:06
Ali Aliu

Akademiku Ali Aliu ka rrëfyer detaje nga përpjekjet e para për një takim mes presidentit të atëhershëm të Shqipërisë, Ramiz Alisë, dhe liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugovës.

Duke bashkëbiseduar me publicistin Veton Surroi në podcastin “PIKË”, Aliu ka treguar se sinjali i parë për një takim kishte ardhur përmes një personi që ishte lidhje me ambasadën, ndërsa informacionin te Rugova e kishte përcjellë Bujar Bukoshi.

Sipas Aliut, mesazhi i Ramiz Alisë ishte i drejtpërdrejtë - kërkonte takim me Rugovën, në cilindo vend që do ta përcaktonte lideri i LDK-së.

“Dhe sinjali i parë për një takim na erdhi përmes atij personi dhe e solli Bujari, Bukoshi. Këto fjalë drejtpërdrejt nga goja e Ramiz Alisë: kërkonte një takim me Ibrahim Rugovën, ku të dojë Ibrahimi”, ka rrëfyer Aliu.

Ai ka treguar se ia përcollën kërkesën Rugovës, i cili fillimisht ishte i rezervuar për një takim me Alinë.
“Ibrahimi tha: ‘Është ende herët për të takuar ndoshta me Ramiz Alinë, por një takim ta bëjmë!’”, ka thënë Aliu.

Më pas, sipas tij, Rugova kishte vendosur që në takim ta përfaqësonin Aliu dhe Bukoshi.

“Tha: ‘Le të caktojnë një datë, një delegacion ata, do ta caktojmë edhe ne’. Tash ta them shkurt. Tha: ‘Do të shkoni, meqë ju dy e dini, do të shkoni ju dy në emrin tim’”, ka rrëfyer ai.

Aliu ka treguar më tej se pas disa ditësh u morën vesh për një takim dhe se ai dhe Bukoshi u nisën për ta realizuar atë.

“Na erdhi një informatë që një delegacion i Ramiz Alisë, filan ditë, në filan vend, propozon të takohet me delegacionin tonë. Na erdhi ngushtë, e mbaj mend, brenda ditës”, ka treguar Aliu.