Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Bashkëbisedim me Ali Aliun (Pjesa II)

Si u bë Kosova Shqipëria e dytë për shqiptarët e Jugosllavisë?

Ali Aliu

Surroi: Përshëndetje, në episodin e dytë të bisedës me akademik Ali Aliun flasim për shekullin 20, kemi dalë te vitet ‘70, është momenti kthesë edhe për jetën e Ali Aliut, e në masë të madhe edhe për Kosovën. Është një përputhje.
Mirë se vjen dhe po e vazhdojmë këtë bisedë.

Aliu: Mirë se ju gjeta!

Surroi: Herën e kaluar mbetëm te momenti kur Rexhep Qosja thotë “konkurro në fakultet”, dhe bëhesh profesor i fakultetit të Universitetit të Prishtinës. Dhe kjo është një lloj metafore në vete, sepse Rexhep Qosja vjen nga Vuthaj, ti vjen nga Kranji. Prishtina në atë moment shndërrohet në një lloj shteti i dytë i shqiptarëve. 
Siç thamë, aty fillon edhe një lloj rilindjeje. Si e përjetove?

Aliu: Po, lëvizja nga “Rilindja”, në universitet brenda Prishtinës në ato momente nuk më dukej që është një kthesë dramatike, por që mund të thuhet edhe ashtu. Më pëlqeu kjo që po e thua ti. Kosova ka qenë shteti i dytë i shqiptarëve të Jugosllavisë. Është e vërtetë.
Filloi një fazë tjetër e jetës time dhe unë u ndjeva që jam i vetvetes. Sikur e gjeta më në fund vendin që e kam dashur, e kam ndier.

Surroi: Vokacionin.

Aliu: Vokacionin, po, qe, besoj, kësaj. Seksioni i gjuhës dhe i letërsisë më pranuan mirë. Vitin e parë e kalova me një lëndë që nuk e kisha shumë për qejf: “Letërsi për fëmijë”, dhe menjëherë vitin e radhës më dhanë lëndën e “Teorisë së letërsisë”, e cila dëgjohej katër semestra, se ishte e ndarë Katedra e gjuhës dhe letërsisë, në letërsi dhe gjuhë dhe gjuhë dhe letërsi. Ishin si dy jo katedra, po si dy drejtime. Dhe në Letërsi dhe gjuhë, kishte më shumë orë nga letërsia dhe më pak nga gjuha dhe e njëjta gjë tek...

Surroi: ...anasjelltas.

Aliu: Unë besoj që vitet shtatëdhjeta kanë luajtur një rol të madh për hapësirën e shqiptarëve në Jugosllavi, e sidomos për shqiptarët nga Maqedonia, prej nga vinja edhe unë. 
Ishte e vetmja mundësi për studime të larta në gjuhën shqipe, Prishtina. 
Ata që do të donin të shkollohen edhe në gjuhët sllave, edhe nga Maqedonia, edhe nga Kosova, shqiptarët shkonin edhe në Zagreb, e në Sarajevë edhe në Lubjanë por, Prishtina u bë shkolla e gjuhës së tyre, e identitetit të tyre, gjuha e ëndrrave shpirtërore, domethënë këtu filluan të formohen shkrimtarët e parë edhe nga viset jashtë Kosovës. 
Këtu të botojnë librat e para, shkrimet e para, te “Jeta e re”,

Surroi: ...edhe tejkalohej ajo ndjenja e tëhuajsimit, faktikisht krijohej një normalitet identiteti të jesh shqiptar dhe të jesh shtetas normal.

Aliu: Edhe pse ka patur në një kohë një djallëzi, edhe në këtë, gjatë kohës sa kam qenë unë aty, ka patur një djallëzi qe e hajt t’i bëjmë me doza këta që regjistrohen jashtë Kosovës. 10%. e di që kam qenë në një debat tillë dhe me një individ bile kam patur një dialog që s’e harroj asnjëherë, kur kundërshtova për këtë edhe mora një përgjigje të tillë: “Hapni atje juve!”

Surroi: Më duket përgjigjen e pati dhënë, nëse s’gaboj, Mahmuti (Bakalli, v.r.) kur filluan të ankohen këtu, Mahmuti apo dikush tjetër prej udhëheqëseve, nuk e mbaj mend saktësisht, tha: “po kur të hapni ju atje universitet në gjuhën shqipe, ne do të pranojmë më pak!”

Aliu: Jo, unë këtu i kisha nga një kolegu im. Edhe mbaj mend që më i acaruar se atëherë s’kam qenë, i thashë: “Ti kujton që këtu janë shqiptarët më të mençur dhe e japin universitetin, atje janë budallenjtë që japin dot?” 
Kështu d.m.th., deri në këtë shkallë kishte djallëzi të kësaj natyre dhe shqiptarët e Maqedonisë edhe sot, për mua, në tabanin e tyre, në formimin e tyre kulturor, arsimor, në krijimtari, në origjinalitet, në kreativitet e kanë prej këtu. 
Unë, kam punuar, kam bërë kapitullin e Letërsisë shqipe për Historinë e letërsisë sonë që duhet vitin që vjen të botohet, është nga fundi, dhe shumica e emrave të shkrimtarëve shqiptarë nga Maqedonia, që janë në lartësi të nivelit mesatar dhe mbi mesatar tek ne vinin nga Prishtina.

Surroi: Dhe prandaj është e kuptueshme, po kapërcejmë shumë më vonë, kur fillon lufta në Kosovë, nuk është vetëm empatia njerëzore e shqiptarëve të Maqedonisë që hap dyert, po është ndjenja e afërsisë aq të madhe kulturore, domethënë, është pjesë e bashkëdyzimit... vitet ‘70 shkrijnë këta kufij mes shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë dhe të viseve tjera.

Aliu: Po ajo. Po atëherë e kishte ai parulla të tilla, që dukeshin si oksimoron. 
Tash ne, ne në Maqedoni, kundër shqiptarëve kështu nga Shqipëria s’kemi kurrfarë frike. nga atje s’kalon, po nga Prishtina ne na vjen e liga. 
Këndej se kish njerëz, kishte shqiptarë në Maqedoni asokohe, që thoshin filan familje, ka katër djem krejt të mirë, po krejt e prish punën një që është shkolluar në Prishtinë domethënë, ishin këto rrëmime që atëherë ndjeheshin dhe... këtu ka një diçka që është e vështirë të arrihet të qartësohet me fjalë, me fraza. Siç thonë poetët e mëdhenj, që fjala megjithatë është e dobët, ta thotë krejt atë që e ndjen njeriu si nevojë nganjëherë ta shprehë. 
Të rinjtë në atë kohë edhe nga Maqedonia sikur kishin një vrull dhe një ritëm të brendshëm të lindur që ishin të vetëdijshëm që duhet ta kompensojnë kohën e humbur. Sikur mateshin me atë që, “he, duhet t’i kemi model kolegët tanë në Zagreb, në Lubjanë...” dhe nuk kishte nevojë si, e mbaj mend si pedagog, t’i nxitesh, të bësh presion të mësojnë. Kur shkonin edhe për specializime dhe për shkollim në shkallë pasuniversitare studentët tonë nuk kishin inferiorë në Zagreb...

Surroi: Jo, dhe ishte një garë e shqiptarëve për të mbërritur nivelin e tjerëve.

Aliu: ... por ishte e lindur, jo me fjalë. Ishte e kuptuar që ajo nuk vjen...

Surroi: ...nuk e ke obligim...

Aliu: ....nuk mbërrihet ajo me parulla e me të thëna. Ishte një ndjenjë e tillë që është vështirë të kapet. Ishte një vrull i përgjithshëm kështu, vetvetiu, njerëzit sikur merreshin vesh edhe me gjuhën e trupit, e jo vetëm të fjalëve 
Prandaj, them që ato vite... ne edhe në biseda, e në kafe nganjëherë me kolegët më të afërt, thoshim qe po të vazhdojë edhe një dhjetëvjeçar, e kaluam ne Rubikonin.

Surroi: Kjo ishte ndjenja e përgjithshme për një projekt shtetndërtues. Universiteti, Instituti Albanologjik, një vistër iniciativash kulturore, botimet e tjera, krejt ishin pjesë të një projekti, faktikisht.

Aliu: Po. Kjo mandej qe, si të them, qershia më tortë ishte bashkëpunimi me Tiranën dhe si frymë nisi që në fund të ‘60-ve. Por në fillim të ‘70-ve...

Surroi: ...1968, kur erdhën këtu për përvjetorin e Skënderbeut...

Aliu: ...po. u ndie që aty një frymë që po ndodh diçka më e rëndësishme, edhe bashkëpunimi i dy universiteteve, dhe bashkëpunimi i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, besoj unë ka qenë kthesa më e madhe në hapësirën shqiptare.

Surroi: Dhe hapja e kufijve për libra në atë kohë, botimet.

Aliu: Për libra, për njerëz, për ide, për komunikim, për... ishte një diçka tashti, shpesh edhe i kam përsëritur, vizita e parë në Shqipëri, po para kësaj, vizita e parë e Lidhjes së shkrimtarëve të tyre, në krye me Dhimitër Shuteriqin. 
Për mua ka qenë një dritare e parë. E mbaj mend me çfarë admirimi e prisnim ne edhe si figurë, Dhimitrin, ishte një figurë që mund ta kishim imagjinuar, unë për vete, vetëm në figurat e rilindësve ose të Ismail Qemalit.

Surroi: Kishit doza të mëdha idealizimi në atë kohë.

Aliu: Edhe ai sillej... njeri që ishte i shkolluar në Paris, domethënë vinte me një formim të tillë edhe pse brenda një sistemi shumë të kufizuar kështu, e rrezatonte këtë në atë barakën atje ku i kishim ne ato kthinat e Shoqatës. 
Ne quheshim Shoqata e shkrimtarëve, ata ishin Lidhja e shkrimtarëve dhe e artistëve dhe kishte sjellë ay do revista, kishte sjellë “Dritën”, me duket, “Nëndor”, e çfarë kishin ata edhe na i shpërndante, ne ishim aty shkrimtarë, nja 10 a 15, s’e di sa ishim, dhe ata ishin mjaft, 5 a 6, edhe na i shpërndante, sikur na dhuronte Shqipërinë..., sikur na e dhuronte. 
Dhe ishte ftesa e parë që na bënë ata të shkojmë në qershor, më duket ose maj të vitit 1970, unë kërkoj falje, nëse mund të mos jemi i saktë në këto data, shpesh edhe i harroj, na bënë një ftesë në një gjashtëdhjetë vjetor të Naim Frashërit..., ishte 60 vjetori i vdekjes.
Edhe shkuam një grup i madh të shkrimtarëve, unë isha jo nga më të rinjtë, po në atë brez, po kishim përpara Esad Mekulin, Mark Krasniqin e Vehap Shitën në atë grup dhe ishim ne mbas, mandej (Rexhep, v.r.) Qosja, Ali Podrimja, Nazmi Rrahmani, Rrahman Dedaj, Fahredin Gunga më duket, domethënë, ishim nja 10 edhe ne fjetëm një natë në Mal të Zi, atëherë ashtu ishte... domethënë, na duheshin dy ditë për të mbërritur në Tiranë.

Surroi: Te Hani i Hotit pastaj...

Aliu: ...ashtu, ata na prisnin te Hani i Hotit. Unë kam, në mënyrë të veçantë, një detaj se më lejuan të vij me makinën time.
Kisha një “Fiat”. Edhe u nisëm ne në kolonë që na prisnin ata dhe e mbaj mend që më dukej shumë ngadalë, ecën ai, s’e kalonte 60-in ai që i mbante rregull atje. Kujtonja që mund të ecim edhe më shpejt, të mbërrijmë më shpejt në Tiranë, edhe diku-diku, me këta miqtë që isha këtu, hajde thashë ta kaloj këtë e t’i them më shpejtë pak. Edhe unë e kalova, që bëra një gabim, një kështu që s’do të duhej ta bënja, por ky sinjal më erdhi në një mënyrë elegante: “Ej, di t’i jap unë gaz edhe më shumë se ti”, një “Vollga” e kishte, më duket i dha gaz ai edhe më kaloi edhe e rregulloi...,

Surroi: ...edhe prapë e vazhdoi me të vjetrën...

Aliu: ...kështu edhe ne dikur mbërrijmë...

Surroi: Si reaguan ata shkrimtarët kur të panë me veturën tënde?

Aliu: Në kufi më lejuan.

Surroi: E qartë, e qartë, po ata kolegët e Tiranës..., të vijë një shkrimtar me veturë të vetën në Tiranë...

Aliu: Nuk u bëri, s’e di përshtypje... nuk u bisedua ajo, se e lamë atje në “Dajt” dikur edhe se ndejtëm neve më duket 15 ditë, ndejtëm gjatë, vizituam Shqipërinë. 
Por ne na çuan drejt në Lidhjen e shkrimtarëve pa na shpënë në hotel, në “Dajti”, se gjithnjë shkonim në “Dajti”. mbrapa do të shkonim. Ti e di atë Lidhjen e shkrimtarëve...

Surroi: Ai objekti i bukur...

Aliu: Hymë ne, janë 5-6 shkallë, dhe në të djathtë është një sallon i madh i tyre, e mbanin ata për konferenca për... Aty pamë ne nja 10-15 shkrimtarë që na prisnin në këmbë. Kurse në pjesën më të madhe të sallonit ishte një tryezë e madhe, rrumbullake, kishin sistemuar karrige edhe nga një gotë, më duket konjak a raki, edhe nga një pjatë me sallatë, nuk e di, ishte diçka e tillë. Edhe shkuam ne tashti, edhe shohim një kallaballëk, sa që ishim ne. As na njihnin, as i njihnim. Përveç Kadaresë që e kishim parë në ekran, që dallohej, të tjerët nuk i njihnim. 
Njëri nga ata u afrua edhe me qafojë edhe me puthte mua... kështu. Dhe ai ishte Dhimitër Xhuvani që më kishte parë mua në ato emisione televizive që ne Prishtina i kishim, më duket një gjysmë ore në Beograd ishte atje...

Surroi: Faik Hima ishte ky...

Aliu: ...edhe Skënder Blakaj edhe... s’e dikush atje, më duket gjysëm ore mision kishim edhe mua njëri nga ata, Skënderi më duket, s’e di, më ftoi të flas për një roman që quhej “Përsëri në këmbë”, ishte romani i Dhimitër Xhuvanit që unë e kisha pëlqyer shumë, më kishte rënë në dorë, e kisha pëlqyer edhe bënja fjalë për të edhe ay më kish parë në ekranin e Beogradit mua kaq ishte kjo. 
Edhe dikur dikush na tha të ulemi. Zumë vend të gjithë e mua më qëlloi një vend i mirë që unë u gëzova. Më duket ishin të shkruara, tash detaje... a i zgjodhëm ne vendet, që nuk besoj, se u shpërndamë

Surroi: Po duhet të jetë protokoll...

Aliu: ...po kemi qenë..., unë kam qenë i hutuar, tash mos flas në emër të gjithëve. Edhe në anë të majtë kisha një zonjë. Kadarenë, shyqyr thashë, e kisha parë në ekrane dhe... edhe tash si zakonisht në fillim qetësi e madhe, dikur filloi një pëshpëritje, një belbëzim i qetë, dalë-ngadalë siç ishim të shpërndarë, por të gjithë nga pak filluan, filloi një bisedë aty brenda, filloi edhe pres unë që të më thotë diçka, të flasë Kadareja, hiç.... 
Bile kishte një pikë atje nalt në tavan edhe nga ana ime dhe e shikonte kështu, jo mua, por shikimin e kish nalt shikonte mbi kokën time edhe nuk e di sa gjatë..., shumë gjatë shkoi kjo. Mua më dukej gjatë. Si është e mundur? Se filloi biseda kështu pak edhe më dëgjoi me zë e kështu... zgjati kjo... edhe dikur ai mua u kthye me tha: “Ti i ke botuar ata shkrimtarët nga Tirana?” Thashë unë “Shyqyr”... unë isha redaktor i prozës, edhe isha redaktor që kisha firmën e kompletit të Jakov Xoxës, të kujtohet ai botimi i kaltër, me shtatë a tetë vëllime, me kopertina të trasha. Mandej Petro Markon, që unë e donja, kisha doktoruar në të, kompletin e tij... edhe unë u gëzova, thashë shyqyr ma hapi muhabetin, thashë “Po!”. Ai tha: “Allahile, a s’gjete asgjë më të mirë?”

Surroi: I kishte mbetur hatri!

Aliu: Shiko! Unë këtë detaj e kam thënë edhe njëherë në një vend. E kam thënë në një vend në një interviste me Bujar Hudhrin, që ay e ka patur edhe sa ka qenë gjallë Kadareja, se u bëmë miq mandej, vinte në shtëpinë time në Prishtinë, shkonja unë në banesën e tij në Tiranë, kështu u afruam po, unë e kam thënë edhe e mbaj mend që Bujari që edhe sot ay Kadarenë e ka idoll, domethënë, me të drejtë, siç mund të admirohet një gjeni, i kam thënë: “E, a shkon ky detaj?” 
Tha: “Po të doje ta sqarosh, si e ke menduar? 
Thashë: “Unë me kohë, kur e kam njohur, e kam menduar kështu që ai ka qenë i vetëdijshëm, që ka qenë më i mirë nga gjithë, burrë, dhe nuk e fshihte këtë”. Edhe tha: “E, unë jam më i miri”.
Edhe sot e mendoj ashtu... 
Dhe ne jetuam 15 ditë si në ëndërr, po na prisnin mirë na organizonin pritje nëpër qytete kur shkonim, por një diçka, gjithnjë në veturë që kishim, të gjithë nga vetura, kështu ishim ndaheshim në veturat e tyre nga dy-tre veta, Qosja dhe unë, meqë kishim afërsi të madhe mes vedi, e dinin ata, gjithnjë kishim një makinë. 
Dhe ajo që na bënte përshtypje kudo që shkonim, na shmangnin të takohemi me njerëz. Do nisemi për Vlorë, dreken do ta hamë në Fier, hynim në një sallë të restorantit ku kish njerëz, neve op-op, një derë atje na fusnin në një dhomë të vogël, të shtruar në tavolina veç.
Unë kisha një etje që të bisedoja me njerëz, të flas me njerëz në Shqipëri. Domethënë e ndienim këtë mungesë.

Surroi: Që ishit të izoluar.

Aliu: Të izoluar dhe nuk e kuptonim edhe kur kërkonim ndonjë emër që ne e njihnim si emër, kërkonim ta shohim të gjallë Skënder Luarasin, shkrimtarë të tillë ose Lazgushin ose Dhimitër Pashkun, ose...

Surroi: Nuk ju lanë Lazgushin me e pa?

Aliu: Jo!. Jo është, jo s’është,... e kemi parë ne një kafe, “Kafe Shkupi”, i thoshin te “Zëri i popullit”. Ecnja unë, më duket me Ali Podrimjen, me dikë, kur nga dritarja pamë aty Lazgushin me dy të tjerë. Edhe u futëm brenda, edhe u ulëm. 
E di, na tregonte ay do sende, kështu, larg e larg. Fliste e thoshte: “Hej, gjuha nuk është kjo mmm, e piva, lang pije, pije, por thoshte prej këtu ta marrësh deri në gojë e... janë disa distanca që duhet të emërtohen...”, e kështu fjalë të tilla na thoshte abstrakte që nuk i kapnim dot ende.

Surroi: Me kode.

Aliu: Po, me kode fliste, ose... nejse unë më vonë, mandej kur hyra edhe kërkonja Petro Markon, se më duhej, 1974-n...

Surroi: ...meqenëse ke doktoruar në të...

Aliu: ...po, nuk më bënin dot kufizime, por në fillim kjo na pengonte edhe na pengonte kur ktheheshim neve në shtëpi. Ne nuk guxonim të thoshim qe s’na lanë këtë, s’na lanë këtë.

Surroi: E mbaj mend. Kishte edhe një dozë romantizmi...

Aliu: Jo! Do të na shpallnin të tjerët që i paska dërguar Beogradi, këta spiunët e Beogradit, këta po i shajnë Shqipërinë

Surroi: Disa herë kam biseduar me profesor Fehmi Aganin, atëherë edhe Fehmiu thoshte edhe na vinte keq me folë keq për Shqipërinë. Kishim një lloj keqardhjeje.

Aliu: Edhe kjo, po edhe frika. Frika. 
Në Maqedoni sidomos që ishte ende më e tensionuar, unë jetonja në Maqedoni deri 1975-76, mbanja leksione, por udhëtonja nga Shkupi në Prishtinë, në Maqedoni edhe ekzistonte një mbyllje edhe më e madhe t’i injoronin njerëzit atje, “Po e shan Shqipërinë”.

Surroi: Petro Marko, a kishte dellin revolucionar deri në fund?

Aliu: Me Petron është një kapitull i veçantë tashti. 
Unë punonja në bibliotekë. Shkonja nga 1971-72-73 gjatë verës, në korrik në gusht, edhe punonja, për pjesën e letërsisë të viteve ‘30. 
Aty e kishte pjesën më të madhe Petro Markoja, sidomos pjesën poetike dhe gazetareske. 
E romanet... ai filloi romanin e parë “Hasta la Vista”, e botoi 1962-n. Edhe filloi me “Qyteti i fundit”, me radhë, kurse para lufte e kishte pjesën më revolucionare, që ishte poezia, skicat gazetareske, edhe bredhja e tij në Luftën e Spanjës, biografia...,

Surroi: Ishte edhe i ri, ishte edhe shumë më i ri asokohe.

Aliu: Edhe unë kontaktin e parë me të e kisha kështu. U takuam në një kafe që ishte afër shtëpisë tij. ay shtëpinë e kishte katin e parë në një pallat që ishte përballë “Hotel Arbëria” E ke parasysh.

Surroi: Po, po, si jo, tash është shndërruar në Prokurori.

Aliu: Po. Edhe ay erdhi, i veshur, me një këmishë të trashë, me jaket, gjoks të hapur, dhe këmisha e trashë me mëngë deri këtu, me një orë të lidhur mbi mëngë e saj, me flokë kaçurrele, një njeri i bukur, kështu, simpatik.

Surroi: Me cigare në gojë me siguri.

Aliu: Jo, s’kishte. Po më përqafoi menjëherë. 
Edhe u ulem të bisedojmë edhe më pyeste: nga je, kush je, çfarë je? 
Edhe tha: kjo letërsia ime s’e di a do të të pëlqejë kështu, po nuk do hyja andej, ti faleminderit...

Surroi: ...që po interesohesh...

Aliu: ...që po interesohesh për këtë. Po tha: “Shiko, konsulto edhe mendimin e këtyrëve që e kanë për mua këtu. Domethënë mos hyj kështu...”

Surroi: ...në vlerësime që ma vështirësojnë punën.

Aliu: Po. Edhe i thashë unë: “Unë duhet të bëj një kërkesë që ti të më shpiesh mua në shtëpinë e lindjes. Nëse ma lejojnë mua atë kërkesë, a vjen me mua?” 
“Po qysh jo!”

Surroi: E dije që është në Vunoja?

Aliu: Nga Dhërmiu.

Surroi: Nga Dhërmiu

Aliu: Pa e kërkuar unë, se edhe vet s’isha i sigurt, se me një përvojë e kisha, kisha qenë dy-tri herë para kësaj, e bëra kërkesën unë dhe ma lejuan ata. Edhe e caktuan udhëtimin, ku do rrimë, ku do flejmë, sido. Më dhanë një shofer, një djalë të mirë, ishte një djalë i shkathët, tani s’ia mbaj mend emrin, që sillej shumë mirë me mua... edhe u nisem ne të tre. 
Do të flinim në Vlorë, në “turizëm”, atëherë, në çdo qytet kishte një “turizëm”.
Mbërrijmë dikur. Udhëtimet ishin shumë të largëta atëherë dhe të mbërrijne deri në Vlorë duheshin disa orë

Surroi: Katër orë së paku.

Aliu: Edhe e mbaj mend që kemi mbërrirë në mbrëmje dikur, u vendosëm. 
Edhe tash të nesërit më tregon shoferi mua, se ramë të flemë, unë ndoshta isha më i lodhur dhe më zuri gjumi... më zgjuan herët..., se në mbrëmje tha, Petroja: tha: “Aliko! Unë kam qejf që mëngjesin ta hamë në Llogara, në maje. Atje!”, që unë s’e dinja, s’kisha qenë ndonjëherë, “që atje kur të bjerë dielli, ka një bukuri, si duket poshtë deti Jon menjëherë, nën atë maje është një çezmë atje, është një mrekulli”. Edhe do porosisin më tha, “këta, ja shoferi do porosisë në hotel, që të na i bëjë mëngjesin, na i paqetojë edhe të hamë atje”. 
“Dakord!”, thashë unë. As e dinja sa zgjat deri atje rruga kështu. 
Edhe e pashë që me zgjuan shpejt. Por ne u nisem. Ai shoferi më tha: “Petro s’ka fjetur fare. Pinte duan, pinte tha e shkonte deri në moll poshtë në det, në mos gjejë ndonjë gjë të hapur, ndonjë kafe diku, nuk gjente, kthehej prapa: ‘ta zgjojmë’”. Tha, “S’e linja. ‘Qysh ta zgjojmë’”... 
Edhe ne u nisëm kështu, unë të gjitha këto i përballonja, se isha i përmallur për çdo gjë kështu. Edhe ne mbërrijmë me të vërtetë atje. Edhe ajo ishte një bukuri që ai tregonte: “Ej”, thoshte, “kjo pamje e kjo bukuri magjepsëse prej këtu i ka dehur, i ka magjepsur edhe pushtuesit tanë kur vinin, gjermanë e këta thoshin ç’është kjo mrekulli”. 
Ajo vërtet dukej të shikosh ti nga ajo lartësi, kaltërsinë e Detit Jon që edhe gurizat i heton poshtë.
Dhe prej aty mandej ishte ajo, besoj që ke hyrë në Dhërmi..., o zot si ishte ajo, ato kthesa, tash në atë kohë ku ishte rruga e vjetër e dhe ay me tregonte nga shtëpia e tij ku shkuam: “Kur vinte autobusi këtu, i shikonim dritat edhe i dinim sa kohë i duhet që t’i bëjë këto rrethe derisa të zbresë poshtë”. 
Na çoi shoferi në shtëpinë e Petro Markos. 
Jetonte një motër e tij, e pamartuar, e veshur me të zeza. 
Ishte një shtëpi në pllajë. Ti e di tashti fshatin jo poshtë ku është mrekullia që kanë bërë, se kanë shkuar mandej mbrapa në pushim aty ta shoh. Shtëpia e tij ishte një shtëpi dykatëshe me podrum, një shtëpi e madhe që më ngjante ne në Prespë e kishim të tillë. Një kullë dykatëshe e kemi edhe sot. Me dy përdhese poshtë që janë, dy kate sipër, që ishin dy anë e dhoma e këndej, dy sipër edhe me një ballkon të madh, që e shihte detin si nga aeroplani.
Që mbrapa kam thënë, pamjet e tilla, vizionet e horizonteve të hapura lindin edhe njerëz me mendje të hapur kështu. Është fenomen kjo se ata që janë marre edhe me studime tjera, me pozitivizmin e thonë që edhe talentet nga njëherë janë ndryshe, ata nordikët andej ndryshe këta këndej. 
Ishte një mrekulli dhe kishte brenda gjurmë të një shtëpie që kishin orendi që unë i kisha parë edhe në shtëpinë time: sahat që binte me atë ding-dang, dymbëdhjetë herë, e kishin në shtëpi kishte do pasqyra, kishte në dhomën e miqve një me qiri, po që ishte llamba e madhe, që lëshonte shumë... kishim llamba me gaz, po në forma të ndryshme. I pashë në atë shtëpi atje. Ai foli greqisht me të motrën kishte atje ajo që kishte besim, kishte një qiri aty...

Surroi: Te i shenjti.

Aliu: Po. Domethënë, kjo ishte aty. Doli të më shëtisin nëpër... më çoi, zuri një barkë private, nëpër det edhe më çoi te Shpalla e piratëve!... që quhet romani “Shpalla e pirateve” në ato fshehtësi. Më futi brenda në thellësi, nëpër det. Atje si i ka lindur inspirimi brenda atij që ta bëjë romanin...
Kërkonte poshtë, kishte një kafe aty, që ne shkuam, pimë kafe dhe hëngrëm diçka. Ishte vetëm një njeri nuk kishte ndonjë gjë. I thoshte na gjej bre një limon, na gjej. Na gjeti ai. 
Për herë të parë kam parë fiq deti si hahen ata që ishin me gjemba kështu.

Surroi: ...që pastrohen...

Aliu: ...pastrohen me thikë kështu. Edhe do ngjitemi me këmbë, thoshte prej këtu në shtëpi të tij, me shkallë, krejt ashtu ato leja të bëra me portokalle, agrume krejt, ullinj e kështu. Na u ngjitën do fëmijë që laheshin poshtë, do ngjitemi sipër. Fliste shqip me ta herë thoshte mirë në shkollë shkojmë, mirë njeri thoshte, po ata pleqtë tanë greqisht na flasin ende. Mirë. 
E mbaj mend një detaj që Petro Marko ishte njeri që nuk dinte të mendojë keq, as të fyejë dikë. Ai sikur, jo rrezatonte, por sikur rridhte mirësi nga ai pozitivizëm. Më shëtiti nëpër atë lagje edhe në një vend ishin ulur dy pleq, më pleq se Petro Markoja, se Petro Marko me mua i kishte - 1914 me 1934 sa vite i bie?

Surroi: Njëzet

Aliu: Aq ishte dallimi jonë, po ai mbahej mirë.
Ishte me gjoks të hapur e kështu trup sportiv. Ata ishin pleq, e panë me sy dhe gati s’donin ta përshëndetnin, domethënë ajo prania e njerëzve që kanë folur greqisht, po grekë s’ka patur aty... ishte ai fenomen tjetër, është asnjë rast tjetër që unë në fillim edhe s’e kuptonja qysh flasin këta dhe s’duan këtij t’i flasin këtij shqiptaromadhi... do sende me ishin të pakapshme në fillim.

Surroi: Mistere që zbuloheshin

Aliu: ...të historisë tonë, të fatit tonë, të dramave tona.

Surroi: Edhe kjo gjeneratë e cila e zbulon Shqipërinë gradualisht, po ashtu fillon të zbulojë kapacitetin shtetformues, domethënë vjen kushtetuta e vitit 1974, dhe ju jeni gjenerata intelektualisht, e jo vetëm politikisht, por intelektualisht e cila e shndërron këtë vend më afër shtetit se që ka qenë ndonjëherë edhe krijohet një elitë e re politike, kulturore, e biznesit, administratë, të drejtorëve etj. 
A e dinit se sa do zgjasë kjo?

Aliu: Nuk e dinim, nuk e dinim, por dinim një diçka tjetër. 
Po kërkoj falje të kthehem te vdekja e Petro Markos. 
Ai vdiq më 31 dhjetor 1991. Unë mbaj mend pak data, tani që më ikin, po këtë s’e harroj. 
Unë isha me zyrë në Tiranë. Edhe zyrën e kisha gati karshi Petro Markos në Muzeun Historik. Edhe ay lëngoi disa muaj, ishte i sëmurë, edhe unë vinja çdo ditë. 
Ishte i shtrirë në një minder, kështu si kauç i gjatë dhe rrinte gjithnjë kështu shtrirë që ata që shkonin disa herë në ditë, që i rrinin mbi kokë, ishin Xhevahir Spahiu dhe Fatos Arapi edhe e shoqja, ajo... ilustratorja më e madhe e librave... (Safo Marko, v.r.) s’po më kujtohet prapë emri, po më vjen keq...
Unë shkonja çdo ditë, po asnjëherë s’ankohej. Rrinte kështu në dy jastëkë, i mbështetur, mbante një mace në krahë, e fërkonte dhe bënte shaka gjithnjë, me ndonjë fjalë kështu humor... Nuk tregonte që ka dhimbje, se Xhevahiri mandej më tregonte edhe e shoqja, që ka patur dhimbje, po nuk i manifestonte asnjëherë. 
Edhe para vdekjes, ditën i kishte thënë të shoqes që “Jo me anën e Lidhjes të shkrimtarëve”, ku ishte anëtar. “Ata përjashtoji. Varrimin do të ma bësh në oborr të shtëpisë në Dhërmi. Në varrim do të vijë Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu dhe Ali Aliu”.
U nisëm në një kombi, në dimër. Kishte një diell që shkëlqente. U nisem me dy makina, unë me makinën dhe shoferin që kisha edhe Fatosin e Xhevahirin në makinë dhe një kombi i madh dhe një makinë për varrim, ku ishte familja e Petro Markos edhe morti. 
E di që nga kur dulëm nga Vlora dhe nisëm malit përpjetë kishte borë, por dielli shkëlqente. Shkëlqente dielli! Kishte borë sa ne nga gjysma e rrugës ngelëm edhe zbrisnim nga makina, ta shtyjmë atë kombi.

Surroi: Ende pa mbërritur në Llogara?

Aliu: Pa mbërrirë në Llogara. Nga “Fusha e Dukatit”, ke parasysh, si ngjiteshim përpjetë, nuk shkoi shumë kohë, ne kishim vështirësi. Ndaleshim, mblidheshim krejt sa janë edhe shtynim e hapnim rrugën. Ne kemi mbërrirë vonë natën te shtëpia e Petro Markos.

Surroi: Natën e Vitit të Rri?

Aliu: Po. Edhe nuk gjenim dot njerëz që të hapet varri. Mezi u gjetën do të rinj aty, erdhën dhe u krye krejt ajo. Ishte me një si kombi që na ndiqte nga Vlora, vetëm një kameraman me një kamerë të Radiotelevizionit që xhiron krejt këtë. 
U krye kjo dhe ne natën u kthyem nga mëngjesi në Vlorë dhe ishim të lodhur krejt në mëngjes, u kthyem që të pimë kafe dhe të hamë ndonjë mëngjes te motra e Xhevahir Spahiut, që ishte motra e madhe, ishte e martuar në Vlorë dhe e dinte krejt këtë.
E pamë që në Vlorë, na përcolli ajo, edhe u ndalëm të çlodhemi të pimë nga një kafe, dhe kështu përfundoi kjo. U kthyem në Tiranë. 
Dhe ajo që mbeti enigmë e pazgjidhur sot e kësaj dite që u fshi ajo kamerë.

Surroi: Ai incizimi nuk ekziston.

Aliu: Fatos Arapi kishte një kushëri shumë të afërt, inxhinier për elektrikë, që mbante sistemin elektrik në radiotelevizion edhe s’i gjetën dot gjurmë fare asaj kamere. E mbeti kështu.
Ky ishte detaji. 
Ndryshe kjo afërsia me Shqipërinë për mua ishte një derë parajse e hapur, e pasigurt, që nuk e dinja sa do të mund të vazhdojë.

Surroi: Më duket hera e fundit që vjen një grup nga Shqipëria është viti 1979 apo 1980?

Aliu: 1980, kam qenë unë atë grup. Kam qenë në atë grup ishim grup i madh. Ishte një konference për prozën, më duket, edhe që ata donin të na mbanin neve, më duket ishte kjo ndonjë festë ose ndonjë... donin të na mbanin edhe më gjatë të rrimë dhe ne e kaluam, mos ishte fundviti, e kaluam edhe ishte hera e fundit gjatë viteve ‘70 që kaloi një grup matanë e këndej.

Surroi: Por, gjëja më e madhe që ka ndodhur në vitet ‘70 ka qenë gjuha. Ka qenë unifikimi i gjuhës. Ke qenë aty.

Aliu: Po. Gjëja më e madhe ishte që universitetin tonë e ndihmuan kuadrot më të rëndësishme që ne na mungonin në universitet. Ti e di që shumica e lëndëve mbaheshin në serbokroatisht, sidomos Fakulteti Teknik, Fakulteti i Mjekësisë, shkencat ekzakte,

Surroi: Rexhep Meidani ka pas qenë këtu profesor.

Aliu: Po, po. Vinin mjekët më të shquar, vinin inxhinierët më të shquar që ata i dhanë shpirt fakulteteve dhe universitetit.

Surroi: Por megjithatë, unifikimi, domethënë Kongresi i gjuhës është kthesa më e madhe.

Aliu: Po. Ai ishte që në fillim të viteve ’70. Por konsolidimin e universitetit e mbaj mend, se e di që kjo me është fiksuar në mendje në Maqedoni, maqedonasit të zemëruar atëherë nga Tito që e lejoi, thoshin: “Ua mblodhën armët”, në mbledhjen e armëve...

Surroi: ...në vitin 1953...

Aliu: “...shqiptarëve në Kosovë, po ua dhanë topin, ua dhanë universitetin”. 
Filloi të forcohet universiteti jonë, t’i mbërrijë simotrat në qendrat e ish-Jugosllavisë. Pa ndihmën e Universitetit të Tiranës nuk do të mund ta bënim në këtë dhe kjo ishte arritje e madhe. 
Por, Kongresi i gjuhës, natyrisht ishte një kthesë historike që ka mbetur jo vetëm për Kosovën, po edhe për hapësirën shqiptare, edhe që në rrjedhat prej atëherë deri më sot ende ka luhatje, nganjëherë ende ka dilema të kësaj natyre: a kemi bërë mirë a s’kemi bërë mirë për këtë? Që për mua thjesht nganjëherë janë dilema shqetësuese.

Surroi: Ndonëse vendimi ka qenë politik, më shumë sesa profesional. Vendimi që të krijohet një standard unik, ka qenë politik.

Aliu: Natyrisht, vendime të tilla pak a shumë kudo janë bërë të ngjashme të tilla. 
E tillë ka qenë vërtet, por tek ne që ishim ne, më duket e numëronin atëherë...

Surroi: Se edhe gjuha italiane ka qenë vendim politik...

Aliu: ...duket delegacioni jonë numëronte diku 40 deri 50 anëtarë në atë Kongres, se kishte nga Maqedonia, nga Mali i Zi, nga Lugina... duhej që ta miratonin krejt hapësira shqiptare e Ballkanit, ta miratonte atëherë që zgjati rreth një javë a dhjetë ditë sa zgjati. 
Dhe u miratua me një kënaqësi, me një vullnet të përbashkët për mua si individ, thosha atëherë cilado e folme të ishte shpallur si e tillë, do ta pranonja. Domethënë, me këtë vizion shkonim. Me këtë idealizëm shkonim asokohe. 
Unë në përvjetorin e saj...

Surroi: ...të pesëdhjetë...

Aliu: ...që u bë 2022-n, e mbaj mend një deklaratë që kam filluar deklaratat e sotme i harroj shpejtë, e mirë që i harroj, e mbaj mend të një lideri nga Shqipëria, nga Tirana, e formuloi një fjali të tillë, tha: “Po, gjuha e standardit, gjuha standarde na erdhi nga regjioni armiqësor ndaj veriut”. 
Merre me mend para tri-katër viteve e kam dëgjuar nga një lider i lartë këtë deklaratë!

Surroi: Ky është vazhdim i luftës politike.

Aliu: Po, po, është shqetësuese kjo, është shqetësuese, them unë, dhe kam përshtypjen që në hapësirën tonë ende ka ndikime të jashtme që me lehtësi funksionojnë për të krijuar dilema, për të krijuar kontraste, për të krijuar dezinformime.

Surroi: Por kjo nuk do të thotë që... domethënë gjuha është e gjallë pra, edhe kapaciteti transformues-reformues brenda gjuhës duhet të ekzistojë, apo jo?

Aliu: Është çështje tjetër ajo që gjuha është gjithnjë një figurë metaforike, është një rezervat i gjallë që do të do të pasurohet vazhdimisht. Bile, bile edhe kjo që është ndoshta kthesa më kryesore, “me dashtë” e “me punu”, me tingëllon mirë edhe kur e përdorin nganjëherë edhe folësit, e u vjen më për lehtë ta përdorin edhe të jugut, më tingëllon aq bukur, e ka si të thuash, e ka ëmbëlsinë e tingullit. 
Por, kur janë fraza nga njerëz të tillë, “që me këmbëngulje do të flas vetëm kështu”, janë për mua shqetësuese dhe janë të padobi, jo shëndetësore, jo...

Surroi: Pastaj nuk janë edhe produkti i një analize shkencore, por janë imponimi i një vullneti politik, dialekti, posaçërisht dialekti i rrugës, i cili vërshon tash nëpër rrjete sociale dhe po depërton si standard i ri në të folmen zyrtare.

Aliu: Po Tashti, të vijmë në kohën e demokracisë. Ne që në fillim të viteve ’90, patëm oferte që të bëjmë takimet zyrtare mes dy liderëve të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Surroi: Po e lëmë për javën tjetër episodin, që fillon me vitet ‘80, krizën politike dhe mënyrën se si e adresuam atë krizë. 
Faleminderit!