Showbiz

Shawn Mendes e ka shtyrë turneun evropian për vitin e ardhshëm

Foto: AP/Associated Press

Këngëtari i njohur kanadez, Shawn Mendes, e ka shtyrë turneun “Wonder” në Britani të Madhe dhe Evropë, për më shumë se një vit.

Ylli i hitit “Stitches” pritej të kthehej në skenë në mars të këtij viti për një sërë koncertesh, por për shkak të pasigurive të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit, ai dhe ekipi i tij e kanë marrë vendimin e vështirë për ta shtyrë turneun deri në mars 2023.

“Ky ishte një vendim shumë i vështirë për t’u marrë por fatkeqësisht na duhet ta shtyjmë turneun britanik dhe evropian për vitin 2023. Me të gjitha kufizimet logjistike të udhëtimit dhe ndjekjes së koncerteve në ambiente të mbyllura në Evropë për shkak të pandemisë, ne u detyruam ta merrnim vendimin e ashpër për ta shtyrë turneun për një kohë kur të jemi të sigurt se mund të udhëtojmë dhe ta organizojmë shoun më të mirë të mundshëm, në mënyrë të sigurt dhe me kapacitet të plotë”, tha këngëtari në një komunikatë për media.

Derisa, gjatë këtij viti Shawn nuk do të mbajë koncerte muzikore nëpër qytete të Evropës, ai megjithatë po e mban veten të zënë me punë.

“Më vjen keq që nuk do të kem rastin t’ju takojë më herët. Por, jam duke punuar në disa këngë të reja të cilët do t’i lansojë vetëm për ju. Mezi pres që t’i dëgjoni ato”, deklaroi tutje Mendes.

Ylli 23-vjeçar i muzikës pop do ta fillojë turneun botëror në qershor të këtij viti, me dy koncertet e para të cilat mbahen në Amerikën Veriore. Kurse, turneu evropian do të fillojë më 31 maj të vitit të ardhshëm në

Bologna të Italisë dhe përmbyllet më 1 gusht në Dublin.

Turnetë “Wonder” kanë për qëllim ta promovojnë albumin e këngëtarit me të njëtin titull.

“Wonder” debutoi në pozitën e parë të toplistës së 100 albumeve më të mira “Billboard”, me t’u lansuar në dhjetor të vitit 2020. Kështu, këngëtari kanadez e shënoi këtë sukses për të katërtën herë në karrierën e tij, si dhe u bë artisti më i ri në moshë që i kryesoi toplistat muzikore me katër albume radhazi.

Mendes i cili së fundmi i dha fund lidhjes disa vjeçare me këngëtaren latine, Camila Cabello, në nëntor të vitit 2020 po ashtu e lansoi dokumentarin me titull, “Shawn Mendes: In Wonder”, në platformën Netflix.