Showbiz

Premiera mbretërore e filmit “No Time To Die” në Londër

Foto: AP/Associated Press

Aktori i njohur britanik, Daniel Craig, pozoi krahas kolegeve të tij në tapetin e kuq të shtruar me rastin e premierën botërore të projektit të shumëpritur nga publiku, “No Time To Die”.

Mbrëmja glamuroze zuri vend të martën në Londër dhe ishte një moment që sinjalizoi se filmi i ri, “James Bond”, është kthyer në ekran të madh, pasi pandemia e shtyu disa herë datën e lansimit të tij nëpër kinema.

Lashana Lynch, e shënon debutimin e saj në serinë e filmave me agjentin e famshëm sekret, dhe në premierën e shoqëruar nga shiu ajo e tërhoqi vëmendjen e fotografëve dhe publikut me fustanin e saj unik ngjyrë të verdhë të disenjatores, Vivienne Westwood.

Aktorja tha se është e entuziazmuar që njerëzit ta shohin personazhin e saj në film, të cilën e përshkroi si një grua të fuqishme, e çuditshme, komike, e ashpër dhe shumë e aftë.

E pranishme në qilimin e kuq ishte edhe aktorja elegante franceze, Lea Sedoux, e cila në këtë vazhdim të 25-të të filmit ikonik, rikthehet në rolin e të dashurës së agjentit 007.

Ajo tha se i gjithë ekipi e ka dhënë maksimumin nga zemra për këtë film, dhe shpreson që publiku do ta pëlqejë atë.

Image

Regjisori, Cary Joji Fukunaga, i veshur me kostum klasik të zi të markës “Gucci”, po ashtu parakaloi mbi qilimin e kuq krahas ekipit të filmit. Para gazetarëve të pranishëm, ai tha se po ndihej i lehtësuar që projekti i tij më në fund është i gatshëm për publikun, dhe se ishte një nderë dhe privilegj të punonte me Daniel Craigun, që në fakt është James Bondi i tij i preferuar.

Me këtë projekt, Daniel Craig e shënon paraqitjen e fundit sikur James Bond. Kur aktori u pyet se kush duhet ta trashëgojë rolin e agjentit 007, ai u përgjigj shkurt duke thënë se ky nuk është më problemi i tij.

Pra, kush do të jetë James Bondi i ardhshëm? Në realitet kjo ishte pyetja më e shpeshtë që dominoi në premierën botërore të filmit, “No Time To Die”, në Londër.

Aktorja Naomie Harris e cila ka luajtur krahas Craigut në rolin e agjentes, Moneypenny, tha se nuk do t’i pëlqente ta bënte këtë përzgjedhje.

Ylli i serialit “Fleabag”, Phoebe Waller-Bridge, e ka bashkëshkruar skenarin e “No Time To Die” dhe ajo tha se filmi i përmban disa befasi të këndshme për publikun.

Image

Billie Eilish dhe vëllai i saj Finneas, kanë qenë përgjegjës për realizimin e kolonës zanore të filmit, me ç’rast e kanë bërë një punë të mrekullueshme. Ata parakaluan në premierën londineze krahas yjeve tjerë të kinematografisë, dhe para gazetarëve treguan se janë të entuziazmuar ta dëgjojnë këngën teksa e shikojnë filmin në ekran të madh. Që të dy u pajtuan e ia ka vlejtur të presin ta shohin projektin final në kinema.

Të njëjtin mendim e kishte edhe aktori, Rami Malek, i cili vjen në rolin e personazhit të ligë, Safin.

Image

Aktorët Judie Dench, Ana de Armas, Rory Kinnear, Jason Momoa dhe Michelle Yeoh, muzikanti Nile Rogers dhe ylli i tenisit, Emma Raducanu, ishin po ashtu të pranishëm në premierë.

Por, glamurin dhe elegancën mbretërore, kësaj ngjarjeje kinematografike ia sollën anëtarët e familjes mbretërore, Princi Charles me bashkëshorten Camilla, si dhe duka me dukeshën e Cambridgeit, William dhe Kate.

Image

“No Time To Die” lansohet nëpër kinema më 30 shtator të këtij viti.