Showbiz

Rihanna shpallet zyrtarisht miliardere nga Forbesi

Revista e famshme “Forbes” e ka shpallur edhe zyrtarisht Rihannan miliardere.

Këngëtarja dhe dizajnerja e famshme e modës nga Barbadosi, është bërë muzikantja më e pasur e gjinisë femërore në botë, dhe femra e dytë më e pasur nga bota e shoubizit, pas Oprah Winfreyt.

Sipas Forbesit, pasuria e Rihannas shkon në vlerë prej 1,7 miliardë dollarësh.

Derisa Riri u bë e famshme me hitet e saj si “Umbrella”, “Diamonds” dhe “Rude Boy”, ishte suksesi i saj në biznes me linjën e saj të bukurisë “Fenty Beauty”, ai që e çoi këngëtaren drejt statusit të miliarderes.

Pjesa më e madhe e pasurisë së saj, në vlerë prej 1,4 miliardë dollarë, vjen nga vlera monetare e brendit të saj, të cilin ajo e lansoi në vitin 2017, e në të cilin ajo posedon 50% të aksioneve.

Rihanna ka kohë që nuk ka publikuar projekte të reja në muzikë. Albumi i saj i fundit ishte “Anti” të cilin ajo e publikoi në fillim të vitit 2016, dhe i cili radhitet si albumi i saj i tetë.

Mediat e huaja kanë raportuar se këngëtarja 33-vjeçare aktualisht është duke punuar për albumin e saj të nëntë, i cili do të titullohet “R9”.