Showbiz

Pinku ofrohet ta paguajë gjobën e hendbollisteve, nuk veshën bikini në lojë

Ylli amerikan i muzikës pop, Pink, ka ofruar që ta paguajë gjobën që i është caktuar ekipit hendbollistik të vajzave, pasi që ato kishin veshur pantallona të shkurtra sikur të kolegëve të tyre burra, në vend të bikinive të zakonshme për vajzat.

Ekipi është gjobitur me 1.500 euro për “veshje të papërshtatshme” në Kampionatin Evropian të Hendbollit në Plazh, javën e kaluar.

“Jam shumë krenare me ekipin norvegjez të hendbollit, që kanë protestuar për rregullat seksiste rreth uniformave”, ka shkruar këngëtarja të dielën në “Twitter”. Ajo ka deklaruar se do t’ua paguajë gjobën.

Federata norvegjeze e Hendbollit ka bërë të ditur javën e kaluar se është përgatitur për ta paguar gjobën. Por, ekipi ka shprehur mirënjohjen ndaj këngëtares së hiteve “Cover Me In Sunshine” dhe “Get the Party Started” nëpërmjet Instagramit.

“Ua! Faleminderit shumë për mbështetjen”, ka shkruar ekipi.

Federata Evropiane e Hendbollit ka njoftuar se e ka gjobitur ekipin rreth zgjedhjes së veshjeve gjatë ndeshjes së fundit për medaljen e bronztë kundër Spanjës në Bullgari, ngase pantallonat e shkurtra të lojtarëve nuk ishin “sipas rregullave të uniformave të atletëve”.

Megjithëkëtë, ministri i vendit për Kulturën dhe Sportin, Abid Raja, e ka përshkruar vendimin si “plotësisht qesharak”.

Ish-kampionia e tenisit, Billie Jean King, ka qenë në mesin e atyre që ka folur për rastin. “Seksualizimi i grave atlete duhet të marrë fund”, ka shkruar ajo në “Twitter”.

Klubi hendbollistik i Universitetit të Bathit ka bërë të ditur se gjoba ishte “plotësisht mizore”, duke theksuar se si rregullat për bikini mund të ndikojnë në angazhimin e grave në sport.

Bashkëkapitenia Emma Steggles ka shtuar: “Ndihesha jashtëzakonisht jo rehat kur duhej të vishesha në bikini për ta luajtur një sport që e dua”.

Image