Janë disa momente në jetë që përcaktojnë kuptimin e vërtetë të qëndrueshmërisë. Momente kur pesha e fatkeqësisë duket e madhe, por shpirti njerëzor gjen mënyrë jo vetëm për të duruar, por edhe për të frymëzuar.
Nga brenda, udhëtimi mund të jetë rrëmujë e pamëshirshme me ngritje e ulje. Por nga jashtë, ato që shkëlqejnë janë forca dhe vendosmëria e palëkundur.
Në hendboll histori të tilla janë magjepsëse. Mishërojnë ambicie, shpresë dhe guxim të pastër. Disa ndalen kur përballen me betejat më të vështira në jetë. Të tjerët, si Camilla Herrem, shfrytëzojnë momentin për të reflektuar, për të këmbëngulur dhe për të ecur përpara me vendosmëri.
Pasioni dhe angazhimi i palëkundur i Herremit për hendbollin ndriçojnë shumë përtej trofeve dhe medaljeve. Vendosmëria e saj për të luajtur, me gjithë sfidat personale, është simbol rrezatues i mendimit pozitiv dhe guximit të pandalshëm. Ajo frymëzon jo vetëm shoqet e ekipit, por edhe komunitete të tëra që e shohin si shembull të shpirtit luftarak dhe dashurisë së palëkundur për lojën.
Me shpejtësi marramendëse, teknikë të jashtëzakonshme dhe përkushtim të paepur, Herrem e fitoi vendin e saj në mesin e legjendave të hendbollit. Është një nga alot e majta më të mira në histori.
Në moshën 38-vjeçare, me 17 medalje të fituara në gara të mëdha ndërkombëtare, përfshirë dy të arta olimpike nga Londra 2012 dhe Parisi 2024, si dhe gjashtë tituj të Evropës, trashëgimia e saj është e mahnitshme.
Ajo u pensionua nga përfaqësuesja e Norvegjisë pas “Parisi 2024”, por vazhdoi të luajë për skuadrën e qytetit, Sola HK.

Diagnostikimi
Kur në verë u dha lajmi që Herrem u diagnostikua me kancer në gji, ajo ndjeu përkrahjen e botës së hendbollit. Karriera e Camillas është tregues se hendbolli është më shumë se fitore apo humbje. Ka të bëjë me të qenit shembull, me frymëzimin e të tjerëve dhe tejkalimin e barrierave përmes shpirtit të pastër.
“Unë besoj në të qenit e ndershme dhe reale, duke treguar si ngritjet ashtu edhe rëniet”, ka thënë Herrem në një intervistë për IHF.
“Askush nuk është perfekt, por të përpiqesh të jesh versioni më i mirë i vetes, kjo është më se e mjaftueshme”.
Lajmi goditi fort, si çdo diagnozë e kësaj natyre. Por Camilla Herrem e përballoi atë me ndjenjë të jashtëzakonshme besimi se do t’i përgjigjej mirë trajtimit.
Kanceri i gjirit mbetet më i përhapuri te gratë. 2.3 milionë raste të reja u diagnostikuan në botë në vitin 2023. Pavarësisht shifrave në rritje, zbulimi i hershëm përmirëson shumë rezultatet e trajtimit. Terapitë janë efektive për rreth 66 për qind të rasteve të zbuluara në fazë të hershme dhe të lokalizuara.
“Për mua gjëja më e rëndësishme është të rrethohesh me njerëz që sjellin gëzim në jetën tënd, në fushë apo jashtë saj”, thotë Herrem.
“Vendosja e qëllimeve, madje shumë të vogla, dërgojnë në arritje më të mëdha. Ndihmojnë në ruajtjen e një qasjeje pozitive”, thotë hendbollistja e njohur.
Tronditja fillestare pas diagnozës i testoi thellësisht qëndrueshmërinë dhe forcën e brendshme të Herremit. Mendimi i parë: pse ajo?
Një sportiste e famshme, karriera e së cilës shtrihet në dekada, një nënë e përkushtuar e dy fëmijëve. Pse ajo?
Kur i erdhi diagnoza, me motrën dhe bashkëshortin pranë, dhe po ashtu trajnerin e Solas, Steffen Stegavik duke e parë, Camilla e dinte menjëherë se pranimi i momentit dhe përpunimi i shpejtë i tronditjes ishte thelbësore.
Me shpirtin e lindur luftarak, ajo vendosi jo vetëm të rikuperohej, por edhe ta përdorte përvojën si një dritë shprese për të tjerët që përballen me beteja të ngjashme.
“Mbështetja që mora ishte e jashtëzakonshme. Ndiej kaq shumë dashuri nga vendi im, por edhe nga e gjithë bota e hendbollit. Dhe nuk mund të shpjegoj sa shumë do të thotë për mua. Jam shumë krenare që jam pjesë e kësaj familjeje të bukur të hendbollit”, thotë Herrem.
“Për mua forca është gjithmonë me njerëzit që i kam përreth. Kam familjen dhe miqtë afër, që më japin energji dhe gëzim. Dy djemtë e mi, Theo dhe Noah, janë ndoshta burimi më i madh i energjisë për mua. Është gjithmonë mirë të ndihesh e mbështetur në gjithçka që bën. Nëse nuk do të ishte për familjen time, nuk do të isha kurrë aty ku jam sot”, thotë hendbollistja norvegjeze.
Kthimi i pabesueshëm
Gjatë muajve të fundit Camilla Herrem ka luftuar me guxim kundër kancerit, ndërsa u nënshtrohej raundeve të kimioterapisë. Mendimet e saj nuk u larguan kurrë nga hendbolli. Për Camillan hendbolli gjithnjë ishte më shumë se profesion. Ishte pasion, burim i frymëzimit.
Dashuri për hendbollin ka edhe në moshën 38-vjeçare.
Dhe ajo vendosi që nëse do ta lejonte shëndeti, të kthehej në fushën e lojës.
Ky edicion ka rëndësi të veçantë pasi ajo vazhdon të luajë për klubin e qytetit të lindjes, Sola, në klubin ku bëri hapat e parë profesionalë.

Vetëm disa ditë pasi përfundoi një raund kimioterapie, Camilla u kthye në fushë, pas më shumë se katër muajve. Luajti në ndeshjen hapëse të edicionit, ndaj Oppsalit. Ndeshja u fitua 29:25, ndërsa Camilla i shënoi katër gola.
Më shumë se gola shfaqi se çdo gjë është e mundur.
“Ambicia ime në hendboll tani është që Sola të bëjë një hap më tej në edicionin e parë në Ligën e Kampionëve dhe gjithashtu të bëjmë befasi në kampionat. Për mua është një ëndërr e bërë realitet që të luajë në Ligën e Kampionëve me klubin e fëmijërisë”, thotë Herrem.
Jashtë hendbollit, sportistja synon t’i bëjë djemtë e saj të lumtur, të jetë nëna, gruaja, motra dhe shoqja më e mirë e mundshme.
Herrem gjatë karrierës ishte e dashur për të gjithë tifozët. Dhe të gjithë i ofruan përkrahje kur kishte nevojë. Tani tregimi i Herremit rrezaton pozitivitet dhe frymëzim që vjen nga refuzimi për të lejuar që frika ose pengesat të përcaktojnë identitetin e dikujt.
Edhe nëse ka momente të vështira, vullneti për të luajtur, për të besuar dhe për të ecur përpara është fitorja më e ëmbël.