Mariah Carey e ka një sozi të vogël.
Ajo është vajza 10-vjeçare e divës së muzikës, Monroe, e cila po i ndjekë hapat e së ëmës drejt famës dhe suksesit, duke e portretizuar një version të ri të yllit të hitit “We Belong Together”, në reklamën e markës së veshjeve “OshKosh B’Gosh”.
Fushata reklamuese me titull “Today Is Someday”, angazhon fëmijë të lezetshëm për t’i portretizuar personalitetet e famshme në moshë të re, të tillë si Mariah Carey, Muhammad Ali dhe Outkast, si dhe inspirohet nga synimet e fëmijërisë së disa prej artistëve më të famshëm të kësaj kohe.
Monroe e shfaq anën e nënës së saj superyll në moshën dhjetë vjeçare, teksa shfaqet e veshur me kominoshe, duke pozuar, lozur e vallëzuar, dhe duke e imituar të ëmën në këndim para një pasqyre, me krehër në dorë i cili e zëvendëson mikrofonin.
“Një ditë do të jetë ndryshe. Meloditë që jetojnë në kokën time, një ditë do të jetojnë në maje të toplistave muzikore. Këngët brenda zemrës sime, do t’i prekin zemrat e miliona njerëzve”, dëgjohet duke thënë Monro në reklamën 30 sekonda.
Kurse diva 51-vjeçare e muzikës, Mariah Carey, për revistën “People” ka deklaruar: “Si vajzë e vogël, isha e vendosur t’i realizoja ëndrrat e mia. Tani si nënë ndihem jashtëzakonisht e lumtur t’i shoh fëmijët e mi duke i vizuelizuar dhe zhvilluar ëndrrat që i mbajnë thellë në zemrat e tyre. këtë reklamë e kemi realizuar ngase na pëlqen shumë mesazhi i fuqizimit të fëmijëve, për të ëndërruar guximshëm dhe për ta ndërtuar rrugëtimin e tyre në jetë”.
Mariah Carey është nënë e binjakëve, Moroccan dhe Monroe, të cilët i ka me aktorin dhe prezantuesin Nick Cannon. Këngëtarja shquhet për faktin se gjithmonë i ka mbajtur fëmijët e saj larg mediave dhe rrjeteve sociale, dhe kjo është një ndër paraqitjet e rralla të Monroes simpatike në publik.