Showbiz

Vajza e Catherine Zeta-Jones “vjedh” rrobat e nënës

Catherine Zeta-Jones  dhe Carys Douglas

Catherine Zeta-Jones dhe Carys Douglas

Carys Douglas, vajza 22-vjeçare e aktores së njohur Catherine Zeta-Jones dhe aktorit legjendar Michael Douglas, ka pranuar se rrallëherë blen rroba, sepse garderoba e nënës i mjafton plotësisht.

 “E dua shumë modën ‘vintage’. Nuk më pëlqen të blej shumë rroba të reja apo të ndjek modën e shpejtë, për arsye që lidhen me qëndrueshmërinë. Ndihem me shumë fat që kam një garderobë të mrekullueshme nga e cila mund të zgjedh”, ka thënë Carys për revistën People.

Megjithatë, ajo ka pranuar me të qeshur se ndonjëherë e tepron pak me “huazimet” nga veshjet e nënës.

“Shpesh më pyet: ‘A është ajo çanta ime?’ dhe unë i përgjigjem: ‘Nuk e di… nuk besoj’”, ka treguar Carys me humor.

Ajo ka diplomë në Film dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe shpreson të ndjekë hapat e prindërve në aktrim.

“Kam filluar me teatër që e vogël, dhe ndonëse nuk kam studiuar aktrimin në shkollë, jam e lumtur që ndodhem në një ambient artistik ku mund të mësoj shumë. Shpresoj të kem mundësi të merrem më tej me këtë”, ka shtuar ajo.

Nga ana tjetër, Catherine Zeta-Jones ka thënë më herët se pasioni i fëmijëve të saj për aktrimin tregon fuqinë e gjeneve.

“Nuk i kemi marrë kurrë me vete në xhirime. Nëse unë punoja, Michael qëndronte në shtëpi dhe anasjelltas. Por ata janë shumë të zgjuar, kanë mësuar në shkolla të mira dhe duan të mësojnë. Kanë studiuar politikë, histori dhe marrëdhënie ndërkombëtare, por në kampet verore u bashkuan me fëmijët që bënin teatër, dhe është e pabesueshme si funksionon gjenetika. Ata thjesht janë të pasionuar për këtë art”, ka thënë ajo në një intervistë për revistën HELLO!

Zeta-Jones ka shtuar se megjithëse i ka paralajmëruar për vështirësitë e profesionit, asgjë nuk i ka ndalur.

“U kemi treguar për përqindjen e aktorëve që nuk arrijnë të punojnë. Por, pavarësisht të gjithave, ata ende duan ta ndjekin këtë rrugë”, ka thënë ajo.

Aktorja e njohur nga filmat “The Mask of Zorro” dhe seriali “Wednesday” beson se fëmijët e saj duhet të kenë mundësi të përjetojnë ëndrrat e tyre.

“Mua aktrimi më ka çuar në një jetë përtej çdo ëndrre që kam pasur. Nuk do t’ua mohoja këtë asnjëherë fëmijëve të mi. Po, ndoshta do të kenë një pengesë shtesë për të kaluar, sepse janë fëmijët e Michael Douglas dhe Catherine Zeta-Jones dhe nipërit e Kirk Douglas. Por unë kurrë nuk do t’i ndaloja ëndrrat e tyre, sidomos ato të fëmijëve të mi”, ka përfunduar ajo.