Ylli i muzikës R&B, Chris Brown, po hetohet nga policia për sulm të supozuar ndaj një gruaje.
Këngëtari i hitit “Run It” është akuzuar për goditjen e një femre të paidentifikuar, gjatë fundjavës në Los Angeles.
Sipas disa burimeve, gruaja në fjalë e ka telefonuar policinë në pronën e këngëtarit në luginën “San Fernando”, dhe u ka thënë zyrtarëve policorë se Brown e ka qëlluar prapa në kokë.
Policia e raportoi rastin si sulm fizik, duke e emëruar këngëtarin 32-vjeçar si të dyshuar. Bëhet e ditur se viktima e supozuar nuk kishte lëndime të dukshme në fytyrë apo trup, përveç faktit se i ishte rrëzuar parukeja nga koka.
Ylli i hitit “Loyal” ende nuk e ka komentuar rastin, por vetëm e ka postuar një mesazh në Instagram, ku shkruhej: “Jeni gënjeshtarë të vërtetë”.
Akuzat ndaj këngëtarit vijnë dy muaj pasi Brown ishte vizituar nga policia, për shkak të zhurmës së shkaktuar nga një ndejë e organizuar në shtëpinë e tij. Më 6 maj të këtij viti policia iu përgjigj telefonatave për zhurmë e cila po vinte nga shtëpia e Chrisit, derisa ai ishte duke e festuar ditëlindjen. Ata e kishin ndërprerë ndejën dhe kishin hasur në bashkëpunim të plotë të Broënit dhe të ftuarve të tij, të cilët më pas ishin shoqëruar jashtë.
Në muajin prill, këngëtari dhe aktori i njohur u padit nga ish-pastruesja e tij, Patricia Avila, e cila deklaroi se qeni i Brownit e kishte sulmuar motrën e saj, Maria, kur ato ishin duke e pastruar shtëpinë e këngëtarit në dhjetor të vitit të kaluar.
Sipas padisë gjyqësore, Maria, e cila u kafshua rreth syrit dhe këmbës si dhe ka pësuar lëndim të rëndë në krah, ka pasur nevojë t’i nënshtrohet dy operacioneve dhe i kaloi disa ditë në spital, ndërsa Patricia pësoi shqetësim të rëndë emocional, përfshirë këtu stresin posttraumatik, ankthi i rëndë, depresion dhe sulme paniku.
Kjo nuk është hera e parë që Brown ka probleme me ligjin, por rasti më i përfolur vazhdon të jetë sulmi i këngëtarit ndaj ish të dashurës së tij, Rihanna, të cilën e pati rrahur keq në vitin 2009. Ai u deklarua fajtor ndaj rastit dhe u dënua me pesë vjet heqje lirie me kush dhe 1.400 orë shërbim për komunitetin.