Showbiz

Dua Lipa thyen rekord të shikueshmërisë me “Studio 2054”

Koncerti i fundit virtual i Dua Lipës, “Studio 2054”, ka thyer rekordin e shikueshmërisë online, me më shumë se pesë milionë shikime.

Ngjarja muzikore e cila u transmetua live në vende të ndryshme të botës, mbi 1.9 milionë shikime i ka arritur në Kinë, rreth 100 mijë nga India dhe më shumë se 260 mijë bileta të koncertit ishin shitur nëpër platformat e rregullta të biletarisë, transmeton Koha.

Koncerti i mbushur me performanca energjike të këngëtares me prejardhje kosovare, Dua Lipa, i përfshiu edhe paraqitjet e këngëtarëve mysafir si, Miley Cyrus, Elton John, Kylie Minogue, FKA Twigs dhe të tjerë.

“Jam më se e lumtur t’iu njoftoj se koncerti i së premtes, ‘Studio 2054’ i ka arritur më shumë se 5 milionë shikime anembanë botës!!! Faleminderit shumë të gjithëve që jeni kyçur online për ta ndjekur atë”, ka shkruar Lipa në një mesazh të postuar në Twitter.

 

 

Për shkak të kërkesave të larta, transmetimi i koncertit të Duas do të jetë në dispozicionin e publikut deri të dielën më 6 dhjetor, dhe çmimi i biletave për ta shikuar koncertin vazhdon të jetë 7.50 funte.

“Jam veçanërisht krenar me Duan dhe ekipin e madh të cilët kanë punuar prapa kësaj performance të jashtëzakonshme. Ishte shumë e rëndësishme për Duan që ta krijonte diçka përtej kufijve të një shou të zakonshëm live, dhe ajo e arriti këtë gjë me koncertin ‘Studio 2054’. Sa i përket shikueshmërisë, ne e dinim se do të ishte e vështirë ta përcaktonim numrin e saktë të ndjekësve për shkak të faktit se ishte një koncert i transmetuar live në një treg të ri që po zhvillohet ende. Prandaj është shumë emocionuese që ajo ka arritur ta shënojë një shikueshmëri kaq të madhe. Ne llogarisim se koncertin e kanë ndjekur më shumë se 5 milionë njerëz, por ky numër mund të jetë edhe më i madh, afërsisht 8 apo 9 milionë. Ishte një ngjarje masive dhe jam krenar për faktin se Dua, edhe një herë e dëshmoi veten si një prej pop yjeve më të mëdhenj të botës”, ka deklaruar Ben Mawson nga kompania “TaP Music”.

Koncerti u transmetua live në orë të ndryshme varësisht prej territoreve, ku përfshiheshin edhe shtetet e Ballkanit si: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Përgjatë koncertit i cili zuri vend në një depo të Londrës, Lipa performoi e shoqëruar nga disa muzikantë, valltarë, akrobat të ndryshëm, dhe këngëtarët mysafirë. Ajo po ashtu i ndërrojë disa kostume dhe skenat ku performoi ndryshonin nga njëra-tjetra, duke u përshtatur me këngët që këngëtarja kishte zgjedhur t’i interpretojë. Lipa kishte vendosur t’i kthehet edhe hiteve të saja të mëparshme dhe natyrisht, për herë të parë i performoi live disa prej këngëve të albumeve, “Future Nostalgia” dhe “Club Future Nostalgia”.

“Studio 2054” ishte një mbrëmje e mbushur me muzikë, performanca, aktrim, vallëzim dhe shumëçka tjetër. Të gjitha këto të bashkuara i ofruan shikuesit një përvojë multi-dimensionale të drejtpërdrejtë. Kështu Dua Lipa u bë ylli i fundit i muzikës që iu ofroi adhuruesve mundësinë ta shohin duke interpretuar live në këtë kohë kur koncertet fizike janë pezulluar anembanë botës, si pasojë e koronavirusit.