Këngëtarja e njohur, Dua Lipa, do të shoqërohet nga kamerat përgjatë turneut të saj të ardhshëm “Future Nostalgia”.
Megaylli i muzikës pop thuhet se po e konsideron mundësinë për ta lansuar një film koncertal i cili sjell pamje dhe atmosferë nga prapaskenat e turneut që fillon më 9 shkurt në Miami.
Nëse vendos ta bëjë këtë, këngëtarja 26-vjeçare e hitit “Levitating” do t’i ndjekë hapat e yjeve të tjerë të muzikës të tillë si, Pink e cila e lansoi dokumentarin “All I Know So Far” në platformën Amazon prime, dhe Lady Gaga e cila e realizoi filmin koncertal “Five Foot Two” për Netflixin.
Një burim i afërt i këngëtares me prejardhje kosovare, për gazetën “The Sun” deklaroi: “Dua është një nga yjet më të kërkuara në botë për momentin. Ekipi i saj është kontaktuar nga kompani të ndryshme të cilat me të vërtetë janë të etura për të realizuar film koncertal apo dokumentar me këngëtaren. Dua është e veçantë për atë që bën dhe nuk do të pajtohet me asgjë me të cilën nuk është e kënaqur. Dhe fatmirësisht ajo ka pranuar që ta ketë një kameraman me vete gjatë gjithë turneut, i cili do të kujdeset t’i xhirojë të gjitha momentet dhe gjërat që do të ndodhin në prapaskenë. Ajo mendon se do të ishte mirë ta bëjë një dokumentar, por do të duhej të ishte për arsyet e duhura, kështu që për momentin po pret të shohë se si do të shkojnë gjërat. Përveç përgatitjes për turneun, Dua ka kohë që po punon me përkushtim për albumin e saj të tretë. Por, nëse vendos t’i shndërrojë këto xhirime në film apo dokumentar, atëherë ajo do të fitonte shuma të mëdha të hollash sepse çdo platformë digjitale do të ishte e interesuar për të bashkëpunuar me të”.
Në vitin 2020, fituesja e disa çmimeve “Grammy” e realizoi një koncert virtual të quajtur “Studio 2054”, i cili kishte për qëllim promovimin e albumit të saj të dytë të incizuar në studio, “Future Nostalgia”. Ajo është duke punuar sërish me të njëjtin produksion në turneun e saj të ardhshëm.
“Studio 2054” që përfshiu mysafirë yje të tillë si, Kylie Minogue, Sir Elton John dhe Miley Cyrus, theu rekorde të shikueshmërisë. Ngjarja muzikore e cila u transmetua live në vende të ndryshme të botës, mbi 1.9 milionë shikime i ka arritur në Kinë, rreth 100 mijë nga India dhe më shumë se 260 mijë bileta të koncertit ishin shitur nëpër platformat e rregullta të biletarisë.
“Jam më se e lumtur t’iu njoftoj se koncerti i së premtes, ‘Studio 2054’ i ka arritur më shumë se 5 milionë shikime anembanë botës!!! Faleminderit shumë të gjithëve që jeni kyçur online për ta ndjekur atë”, kishte shkruar Lipa në një mesazh të postuar në Twitter.
Koncerti u transmetua live në orë të ndryshme varësisht prej territoreve, ku përfshiheshin edhe shtetet e Ballkanit si: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Përktheu: Edona Binaku