Showbiz

“AC/DC” i kryeson toplistat britanike

Rok grupi “AC/DC” e mundi konkurrencën në Britani të Madhe me albumin “Power Up” dhe ka arritur të pozicionohet në vendin e parë të toplistave muzikore të vendit.

Grupi australian e arriti këtë sukses për herë të katërt në karrierë, falë shitjes së rreth 62 mijë kopjeve të këtij incizimi.

“Power Up” është albumi me lansimin më të madh të momentit, duke i siguruar grupit debutim në majë të toplistave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australisë, Britanisë së Madhe dhe shteteve tjera të botës.

Në pozitën e dytë renditet bendi i muzikës pop “McFly”, me albumin e parë të lansuar në dhjetë vjetët e fundit “Young Dumb Thrills”. Andrea Bocelli renditet në pozitën e tretë me albumin “Believe”, Paloma Faith e katërta me incizimin e fundit “Infinite Things”, ndërsa në vendin e pestë gjendet këngëtarja e njohur australiane, Kylie Minogue, me albumin e porsalansuar “Disco”.

Në toplistën e këngëve më të mira në Britaninë e Madhe vendin e parë e zë Ariana Grande me hitin e saj “Positions”. Kjo është java e katërt me radhë që ylli amerikan i popit e kryeson këtë listë. Pas saj renditet kënga “Therefore i Am”, ndërsa në vendin e tretë të listës gjendet grupi i njohur britanik “Little Mix” me hitin “Sweet Melody”.