Showbiz

Miley Cyrus e ka vështirë të zgjedh cilat këngë t’i ndajë me publikun

Këngëtarja e njohur 27-vjeçare, Miley Cyrus, e ka pranuar së e ka vështirë t’i përzgjedhë cilat këngë t’i ndajë me publikun si solo projekte, dhe cilat do të përshtateshin më shumë për t’i prezantuar me album.

Në një intervistë të fundit ylli i muzikës pop tha se ndjen shumë presion kur vjen koha t’ia prezantojë publikut materialet që mund t’i presin me albumet e saj.

“Gjithmonë ndihem paksa e stresuar kur vjen puna t’i përzgjedhë këngët të cilët dua t’i lansoj si solo projekte, sepse e ke përshtypjen që përmes këtyre këngëve po ia prezanton fansave mostrën e asaj që mund ta presin nga albumi. Unë zakonisht i finalizoj të gjitha materialet që i kam shkruar, më pas i analizoj 10, 12 apo 14 këngë dhe e përzgjedh njërën prej tyre e cila më duket sikur më së miri e përfaqëson albumin në tërësi”, citohet të ketë thënë Cyrus.

Por, kësaj radhe Miley ka vepruar ndryshe, transmeton Koha. Ajo e ka publikuar hitin e fundit “Midnight Sky” ende pa u finalizuar albumi i saj i ardhshëm, i cili e mban titullin “Miley Cyrus is Coming”. Këngëtarja thotë se ky vendim i fundit për të ikur nga tradita, vjen si rezultat i pandemisë së koronavirusit që ka bërë që të gjitha planet e artistëve të ndryshojnë.

Ylli i hitit “Wrecking Ball” po ashtu i ngacmoi adhuruesit duke thënë se koncerti i radhës special ku do të interpretoj live, “MTV Unplugged”, do ta sjellë atë duke interpretuar këngë të ndryshme, kjo ngase dëshiron ta eliminojë ndarjen mes zhanreve që ekziston në industrinë e muzikës.