DJ dhe producenti i njohur muzikor, Calvin Harris dhe ylli i muzikës The Weeknd, tashmë e kanë konfirmuar bashkëpunimin e tyre të parë me ç’rast kanë bërë të ditur se, kënga do të lansohet në fund të këtij muaji, më saktësisht më 28 gusht.
The Weeknd emri i vërtetë i së cilit është Abel Tesfaye, e ka shfrytëzuar rrjetin social Twitter për ta ndarë me publikun punën artistike të kësaj kënge, që e mbanë titullin “Over Now”.
“Over Now. Të premten. @calvinharris”, kishte shkruar këngëtari në postimin e tij.
over now. friday. @calvinharris pic.twitter.com/CNTGBlNlF7
— The Weeknd (@theweeknd) August 22, 2020
Edhe Calvin Harris e ka ndarë të njëjtën fotografi në Instagramin e tij me mbishkrimin: “Kënga e re lansohet këtë të premte me @theweeknd”.
Ky lajm duket se i ka entuziazmuar tej mase fansat e dyshes anembanë botës, transmeton Koha. Kënga konsiderohet se do të shndërrohet në hit të menjëhershëm, marrë parasysh faktin se që të dy artistët gëzojnë sukses të jashtëzakonshëm në industrinë e muzikës.
Javën e kaluar dyshja kishte nxitur spekulime rreth një bashkëpunimi të mundshëm me tyre, duke e postuar një fotografi të vjetër në Instagram ku ata shihen duke pirë dhe festuar së bashku.
Besohet se kënga e ardhshme do të përfshihet në albumin e ri të producentit muzikor, Calvin Harris. Ky i fundit nuk ka lansuar ndonjë bashkëpunim që nga hiti i vitit të kaluar, “Giant”, pjesë e së cilit ishte edhe artisti Rag'n'Bone Man.
Ndërkohë, The Weeknd së fundmi i ka bahskuar forcat me këngëtaren Doja Cat, në realizimin e versionit remix të këngës “Blinding Lights”, që është pjesë e albumit të tij të fundit dhe shumë të suksesshëm, “After Hours”.
The Weeknd dhe Doja, janë po ashtu ndër artistët që tashmë është konfirmuar se do të performojnë në ceremoninë e ardhshme “MTV Video Music Awards”, që mbahet më 30 gusht të këtij viti.
Ylli i njohur kanadez i cili është nominuar në gjashtë kategori të kësaj ngjarjeje, do të performojë në një lokacion të hapur kjo pasi u bë i ditur lajmi se ceremonia shpërblyese nuk do të mbahej në qendrën “Barclays” të Brooklynit, për shkaqe sigurie si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
Miley Cyrus, Lady Gaga, Ariana Grande, Roddy Ricch, BTS, J Balvin dhe Maluma, janë në mesin e artistëve të tjerë që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në ceremoninë e përvitshme shpërblyese.