Filmi i ardhshëm i Netflixit, “Project Power”, ka disa vjet që është në realizim e sipër, por pritja për ta parë filmin e zhanrit aksion dhe fantastiko-shkencor është pothuajse gati.
Platforma e njohur digjitale e ka publikuar trilerin e parë të filmit, i cili do të fillojë së transmetuari për publikun e gjerë nga 14 gushti i këtij viti, transmeton Koha.
“Project Power” zë vend në një botë imagjinare, ku një drogë e veçantë u jep njerëzve të zakonshëm aftësi mbinatyrore për vetëm pesë minuta. Një baba, i portretizuar në film nga Jamie Foxx, duhet të shpëtojë vajzën e tij nga prodhuesit e këqij të kësaj droge, derisa në misionin e tij ndihmohet edhe nga disa aleatë të papritur.
Në film krahas yllit hollywoodian luajnë edhe aktorët: Joseph Gordon-Levitt, i cili vjen në rolin e një detektivi që e ndihmon personazhin e Foxxit, Dominique Fishback, Machine Gun Kelly, Rodrigo Santoro, Amy Landecker dhe Allen Maldonado.
Filmi “Project Power” e shënon hapin e parë të rëndësishëm për dyshen e regjisorëve, Ariel Schulman dhe Henry Joost, si dhe është projekti i tyre më i madh deri më tani. Në të kaluarën ata së bashku e kishin bërë regjinë e filmave të tillë si: “Catfish”, “Viral”, “Nerve”, “Paranormal Activity 3” dhe “Paranormal Activity 4”.
Sa u përket yjeve të Hollywoodit, Foxx dhe Gordon-Levitt, që të dy aktorët kanë luajtur në disa filma të mëdhenj gjatë këtyre vjetëve të fundit.
Foxx së fundi ka luajtur në projektet “Just Mercy”, “Robin Hood” dhe “Baby Driver”, derisa Gordon-Levitt ka luajtur në filmat “Snowden”, “7500”, “Star Wars: The Last Jedi” dhe “Knives Out.”
Derisa situata e fundit e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit e ka penguar punën rreth disa filmave dhe serive të njohura televizive, kompania “Netflix” ka vazhduar të lansojë projekte të reja edhe gjatë kohës së karantinës.
Platforma e njohur digjitale së fundmi i ka sjellë publikut tre filma me buxhet të lartë si: “Extraction” me protagonist aktorin australian Chris Hemsworth, “The Last Days of American Crime” dhe “The Old Guard”, ku në rolin kryesor luan ylli i listës A në Hollywood, Charlize Theron.