Showbiz

Bebe Rexha e shtyn lansimin e albumit të ri

Foto: Bebe Rexha/Instagram

Këngëtarja shqiptaro-amerikane, Bebe Rexha, ka bërë të ditur se po e shtynë lansimin e albumit të saj të ri, transmeton Koha.

Duke treguar se është e vetëdijshme që fansat e saj janë zemëruar që nuk ka lansuar muzikë të re qe një kohë të gjatë, këngëtarja ka treguar se dëshiron të pres derisa bota të jetë një vend më i mirë dhe i sigurt, për ta lansuar albumin e radhës.

“E di që fansat e mi janë të frustruar me mua, sepse duan muzikë të re. por, ju premtoj që unë bashkë me ekipin tim kemi punuar më shumë se kurrë, në realizimin e këngëve të reja. Nuk jemi ndalur duke punuar çdo ditë dhe çdo javë. Mund t’iu them se ky është projekti më i mirë në të cilin kam punuar deri më tani. Mezi prej t’i dëgjoni këngët e këtij albumi. Por, nuk mendojmë se tani është koha e duhur për të lansuar muzikë të re. Në momentin që bota do të bëhet një vend më i mirë për të gjithë, ne do ta lansojmë albumin. Thjeshtë po e presim momentin e duhur. Ju premtoj se ia vlen të prisni për këtë incizim,” ka shkruar Rexha në një mesazh të postuar në Twitter.

Albumi i ri i këngëtares Bebe Rexha, vjen pas atij të vitit 2018, “Expectations”. Ndërkaq, vitin e kaluar, këngëtarja u bë lajm në mediat botërore për zbulimin e lajmit se është diagnostikuar me çrregullimin Bipolar.

“Për një kohë të gjatë, nuk e kuptoja pse po ndihem e sëmurë. Pse nuk kisha energji, çka më bënte të mos dëshiroja të largohem nga shtëpia apo të shoqërohesha me njerëz, si dhe ndjeja eufori Brenda vetes që nuk më lejonte të flija, punoja apo të krijoja muzikë. Unë jam bipolare dhe më nuk turpërohem nga kjo gjë. Nuk doja të mendoja se diçka nuk ishte në rregull me mua. Kjo ishte frika më e madhe e jetës sime, të çmendem. Por pastaj mendova se vendimi për t’ia hapur zemrën fansave ishte një lloj terapie për mua, dhe se më në fund kisha vendosur të mos ndihem e burgosur nga kjo sëmundje,” kishte deklaruar këngëtarja, duke folur për çrregullimin e saj.

Bleta “Bebe” Rexha u lind nga prindërit shqiptarë më 30 gusht 1989, në Brooklyn të New Yorkut. Fillimisht, ajo ishte autore e suksesshme këngësh para se ta ndiqte karrierën si solo këngëtare, duke kompozuar këngë për yje të njohur të muzikës si: Rihanna, Eminem, Selena Gomez, David Guetta, etj.

Ajo e publikoi albumin e parë me titull “Expectations” në vitin 2018. Në të njëjtin vit, Rexha i fitoi dy nominime për çmim “Grammy” në kategoritë “Artistja më e mirë e re” dhe “Performanca më e mirë duo-grup në zhanrin country”, për këngën “Meant to Be”, të cilën e solli në bashkëpunim me grupin “Florida Georgia Line”.

Bebe Rexha shquhet si një artiste e talentuar e cila përveç përkushtimit në muzikë, kohën e saj ia dedikon edhe çështjeve të ndryshme si dhe shpesh e shfrytëzon zërin e saj për t’i dalë në ndihmë femrave në industri.