Regjisori i filmit “Mad Max: Fury Road”, George Miller, ka bërë të ditur se një vazhdim i ri i këtij filmi, i cili kthehet prapa në histori, do të fokusohet në personazhin e aktores, Charlize Theron, Furiosa.
Në një intervistë të fundit për të përditshmen “The New York Times”, Miller po ashtu e konfirmoi se Theron nuk do të rikthehet për ta luajtur personazhin e saj në moshë të re.
Charlize Theron për herë të parë e ka portretizuar Furiosan në filmin e vitit 2015, “Mad Max: Fury Road”, që ishte mirëpritur nga publiku mbarëbotëror, si dhe konsiderohet një prej filmave më të mirë aksion të të gjitha kohërave, transmeton Koha.
Miller ka thënë se e kishte menduar idenë për ta sjellë aktoren e famshme hollywoodiane në ekran të madh, me ndihmën e teknologjisë së fundit që u mundëson t’ua ulin moshën personazheve, por përfundimisht kishte vendosur të mos vepronte kështu.
Sipas raportimeve të fundit në portalin “Variety” thuhet se regjisori po e konsideron aktoren, Anya Taylor-Joy, për ta angazhuar në rolin e luftëtares së guximshme, Furiosa.
Miller ka treguar se e kishte shkruar skenarin e këtij projekti para se të fillonin xhirimet e filmit “Fury Road”, krahas tregimeve të personazheve të tjera të përfshira në film.
Në fillim të vitit 2020 u bë i ditur lajmi se vazhdimi i pestë në serinë e filmave “Mad Max” është konfirmuar tashmë dhe xhirimet e tij planifikohet të fillojnë kah fundi i kësaj vere. Ende nuk është vendosur nëse orari i realizimit të tij do të shtyhet për shkak të koronavirusit.