Showbiz

Shpat Deda publikoi këngën e re me titull “S’ka kurrgjo”

Shpat Deda ka lansuar mbrëmë këngën e re “S’ka kurrgjo” me video të drejtuar nga kolektivi “Andrrat Moderne” dhe regjisori Leart Rama.

Kënga është pjesë e albumit të ardhshëm të Dedës, titulluar “Rrugës”.

Videoklipi që është produksion i “Katarzë Films”, është realizuar në muajin prill në Prishtinë gjatë vizitave të regjisorëve, Nita Deda, Leart Rama dhe Rina Meta, në hapësira personale për autorët si dhe në oborret dhe hapësirat tjera familjare që shihen nga distanca si koment për realitetin e COVID 19.

“S’ka kurrgjo” tenton të sjellë për publikun hapësira intime dhe momente të shoqërimit që në video tregohen si kujtime. Të gjitha pamjet i bashkon një gjuhë vizuale e krijuar me dritë të fortë blici që zbutet nga ndjenjat dominuese të mallit dhe nostalgjisë.

Kënga në fjalë është shkruar dhe interpretuar nga Shpat Deda me Blerta Ismailin si zë përcjellës, dhe i këndon pikërisht momenteve intime dhe kohës së kaluar në shoqëri, realitet i munguar në kohën kur ajo tregohet për publikun.

Ky projekt dhe i tërë albumi i ri “Rrugës”, është incizuar dhe miksuar në “Studio C” me Dritëro Nikqin.