Studentët serbë - Policisë: Ku ishit kur Radoiçiqi na kërcënoi me burra të armatosur
Studentë serbë janë nisur nga Novi Pazari drejt Novi Sadit për të arritur më 1 nëntor atje ku bëhen 1 vit nga ngjarja ku vdiqën 16 persona pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor. Por, të enjten mbrëma ata janë ndaluar nga policë në uniforma dhe të tjerë civilë.
Ata janë ndaluar në Kosjeriç. Protestuesit kanë thënë se policët qëllimisht i kanë pritur aty, raportoi N1.
“Ecim për ditë tëra pa asnjë eskortë policie, dhe policë në rroba civile na ndalojnë”, ka thënë një prej tyre.
E, aty është përmendur edhe kryekrimineli Milan Radoiçiq. Një prej tyre ka thënë se më 22 shtator Radoiçiq, për të cilin Kosova ka urdhërarrest, është parë në Kosjeriç e ka kërcënuar hapur banorët.
Sipas raportimeve, Radoiçiq shoqërohej nga roja sigurie e kryetari i asaj komune dhe qytetarët që njiheshin se kishin marrë pjesë në protesta ngacmoheshin e fyheshin.
“Kur Radoiçiqi erdhi me burra të armatosur dhe bllokoi të gjithë rrugën, asnjë polic nuk doli, s’u panë gjëkundi për dhjetë ditë. Çfarë është kjo, ku janë inspektorët? Sonte po i keqtrajtojnë fëmijët”, ka thënë një qytetar pasi policët ndaluan kolonën e protestuesve të premten.