Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Rajon

Serbia e varros me nderime shtetërore të dënuarin për gjenocid, BE-ja s’mendon ashtu

Arkivoli me trupin e kriminelit të dënuar, Ratko Mlladiq, rrugës për në varrezat në Beograd, 7 shtator 2026

Arkivoli me trupin e kriminelit të dënuar, Ratko Mlladiq, rrugës për në varrezat në Beograd, 7 shtator 2026

Mlladiq, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë gjatë vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm, u varros në varrezat e Topçiderit. Ceremonia u shoqërua me të shtëna nderi nga ushtria dhe fjalime lamtumire, në të cilat u madhërua e kaluara e tij gjatë luftës. Në prani të pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, udhëheqësve politikë të Republikës Sërpska dhe zyrtarëve të Serbisë, të pranishmit brohoritën emrin e Mlladiqit dhe e përcollën arkivolin e tij me duartrokitje. Por për Bashkimin Evropian, ky nuk ishte varrim me nderime të larta shtetërore

Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, i dënuar nga Tribunali i Hagës për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnjë-Hercegovinë, është varrosur të hënën në Beograd me nderime shtetërore dhe ushtarake.

Mlladiq, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë gjatë vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm, u varros në varrezat e Topçiderit.

Ceremonia u shoqërua me të shtëna nderi nga ushtria dhe fjalime lamtumire, në të cilat u madhërua e kaluara e tij gjatë luftës.

Në prani të pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, udhëheqësve politikë të Republikës Sërpska dhe zyrtarëve të Serbisë, të pranishmit brohoritën emrin e Mlladiqit dhe e përcollën arkivolin e tij me duartrokitje.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se nderimi dhe madhërimi i personave të dënuar për krime lufte, është i papranueshëm.

BE: Varrimi i Mlladiqit nuk ishte me nderime shtetërore

E në ditën e varrimit të kriminelit Mlladiq, Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjet që të mos ketë glorifikim të kriminelëve të luftës dhe mohim të gjenocidit, por të gjithë të fokusohen në nderimin e viktimave dhe në pajtimin në rajon.

Por në reagimin e Komisionit Evropian, i habitshëm ishte pohimi se ata këtë varrim nuk e shohin si një funeral me nderime shtetërore.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Nuk ka vend për glorifikimin e kriminelëve të luftës apo të atyre që mohojnë gjenocidin, ose të atyre që bien ndesh me vlerat më themelore evropiane. Fakti është se ne kishim dëgjuar se ishte planifikuar një varrim me nderime shtetërore dhe kjo nuk ka ndodhur. Kështu që, ju lë juve të gjykoni për rëndësinë e qëndrimit tonë për këtë çështje”, ka thënë Paula Pinho, zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Gazetarët insistuan në konferencën për shtyp të hënën, që të sqarohet se si kanë ardhur në konkludim se ky nuk ishte varrim me nderime shtetërore kur nderimet i bëri ushtria e shtetit, komandant i të cilëve është presidenti i shtetit dhe aty ishin edhe ministra nga qeveria. Po ashtu gazetarët pyetën se a do të ketë pasoja për këtë sjellje të Serbisë. Por përgjigja ishte shumë e paqartë.

“Siç thashë, ne e kemi bërë shumë, shumë të qartë qëndrimin tonë edhe për autoritetet serbe. Se çfarë do të jenë hapat pasues, dhe nëse do të ketë të tillë, do ta shohim”, ka thënë ajo.

Jo zyrtarisht në BE kanë thënë se në kontaktet e ditëve të fundit me zyrtarët e Serbisë u është bërë e qartë se do të ketë pasoja për sjelljen e tyre ndaj kriminelit Mladiq, por nuk kanë zbuluar se cilat do të jenë pasojat. Ndër to nuk përjashtohet as mundësia e anulimit të vizitës së presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der leyen në Serbi muajin e ardhshëm, kur është planifikuar një turne i saj në vendet e rajonit.

Ushtarë serbë duke shtënë në ajër në nderim të kriminelit Ratko Mlladiq, gjatë ceremonisë së varrimit

Porfirije udhëhoqi ceremoninë mortore

Arkivoli i Mlladiqit u ekspozua gjatë ditës në Kishën e Shën Lukës në Beograd, ku ceremoninë mortore e udhëhoqi kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

Gjatë ceremonisë, ku pjesëtarë të gardës së nderit të Ushtrisë së Serbisë qëndronin në rojë, u bënë lutje që “gjeneralit Ratko t’i faleshin mëkatet e bëra me dashje dhe pa dashje”.

Porfirije tha se emri i tij “do të mbetet thellë i ngulitur në kujtesën dhe lutjet e pjesës më të madhe të popullit serb dhe ortodoks”.

Ai, gjithashtu, tha se populli serb “ushqen mirënjohje të thellë” ndaj Mlladiqit, pasi e sheh atë si “ushtar dhe komandant që, në një kohë të vështirë, qëndroi në krye të ushtrisë së popullit të tij”.

Për t’i bërë homazhe Mlladiqit, në Beograd ishin, mes të tjerëve, anëtarja e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, lideri i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, Millorad Dodik, presidenti i Republikës Sërpska, Sinisha Karan, kryeministri i këtij entiteti, Savo Miniq, si dhe ministra dhe deputetë të tjerë të Republikës Sërpska.

Në mesin e zyrtarëve ishte edhe ministri i Punës dhe Mbrojtjes së Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës i Republikës Sërpska, Radan Ostojiq, si dhe Aleksandar Vulin, anëtar i Senatit të Republikës Sërpska dhe ish-ministër në Qeverinë e Serbisë, i sanksionuar nga Uashingtoni për shkak të lidhjeve me Rusinë.

Homazhe Mlladiqit i bënë edhe ministri i Kulturës i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, dhe ministri për Investime Publike, Darko Gllishiq.

Mediat proqeveritare në Serbi raportuan se të pranishëm ishin edhe djali i presidentit të Serbisë, Danillo Vuçiq, dhe ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harçenko.

Në varrimin e Mlladiqit morën pjesë edhe ministri serb i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, ministri i Drejtësisë, Nenad Vujiq, si dhe ministri pa portofol, Nenad Popoviq.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe kryetari i Banjallukës, Drashko Stanivukoviq, si dhe anëtarë të degës së grupit rus të motoçiklistëve “Ujqit e Natës”, të njohur për mbështetjen e tyre ndaj Kremlinit.

Në varrim nuk mori pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili deklaroi më herët se nuk mund të ishte i pranishëm për shkak të vizitës në Beograd të presidentit të Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev.

Vuçiq tha se kishte “bërë gjithçka” që varrimi të zhvillohej në “mënyrë dinjitoze” dhe hodhi poshtë kritikat nga Bashkimi Evropian për organizimin e varrimit të Mlladiqit me nderime shtetërore.

Paralajmërime nga SHBA-ja dhe BE-ja

Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chuck Grassley dhe Keith Self u kanë bërë thirrje autoriteteve në Republikën Sërpska - entitetin serb të Bosnjë-Hercegovinës - dhe në Serbi që të distancohen nga varrimi i Mlladiqit.

Në një deklaratë të përbashkët, senatorët rikujtuan përgjegjësinë e tij për gjenocidin dhe krimet e tjera në Bosnjë-Hercegovinë, duke theksuar se ato përbëjnë disa prej krimeve më çnjerëzore të kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Ratko Mlladiq ishte kriminel lufte dhe arkitekt i gjenocidit në Srebrenicë, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë. Forcat e tij ishin përgjegjëse edhe për rrethimin gati katërvjeçar të Sarajevës - një prej rrethimeve më të gjata në historinë moderne. Veprat e tij, të marra së bashku, përbëjnë disa prej krimeve më çnjerëzore të kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Në të shtohet se është “thellësisht shqetësuese që Serbia ka paralajmëruar se Mlladiq do të varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake”, si dhe që ish-lideri i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, e ka quajtur atë “luftëtar për lirinë serbe”.

“Është përdhosje e kujtimit të viktimave të tij dhe e rajonit që ende jeton me pasojat e fushatës së tij të spastrimit etnik, nëse një qeveri shënon ose madhëron vdekjen e tij. Ditët e ardhshme do të jenë një test nëse Serbia dhe Republika Sërpska janë të gatshme të shkëputen nga e kaluara dhe të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe integrimeve euroatlantike, apo do të lejojnë që ajo e kaluar të bëhet sërish pengesë për një të ardhme më të mirë të qytetarëve të tyre”, thuhet në deklaratë.

Senatorët amerikanë i bënë thirrje Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës Sërpska që të përmbahen nga çfarëdo pjesëmarrje apo lidhje me ceremonitë e planifikuara dhe të sigurojnë që “asnjë deklaratë publike apo veprim zyrtar të mos e paraqesë Mlladiqin si diçka tjetër përveç asaj që ishte: arkitekt i dënuar i gjenocidit”.

Dy kongresistë amerikanë, Greg Murphy dhe Marc Veasey, vizituan Potoçarin të hënën, për t’u bërë homazhe viktimave të gjenocidit në Srebrenicë dhe për të riafirmuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për ruajtjen e së vërtetës dhe promovimin e përgjegjësisë.

“U bëjmë homazhe atyre që nuk janë më dhe shprehim solidaritetin tonë me të mbijetuarit”, thuhet në një postim të Ambasadës amerikane në Bosnjë-Hercegovinë në platformën X.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnjë-Hercegovinë tha se madhërimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat më themelore evropiane dhe se për to nuk ka vend as në BE, as në vendet kandidate për anëtarësim.

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi, duke thënë se madhërimi i një personi të dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnjë-Hercegovinë, është “i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat bazohet rruga drejt Bashkimit Evropian”.

Për Mlladiqin, të shtunën, më 5 shtator, u mbajt edhe një ceremoni përkujtimore në Shtëpinë e Ushtrisë së Serbisë në Beograd.

Në të morën pjesë, mes të tjerëve, ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, dhe presidenti i Republikës Sërpska, Sinisha Karan.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi e dënoi atë që e cilësoi si “keqpërdorim të burimeve shtetërore” gjatë transportimit të trupit të Mlladiqit dhe paralajmërimit të ceremonisë shtetërore përkujtimore për të.

Në ditët pas vdekjes së Mlladiqit, në disa qytete të Serbisë dhe në entitetin e Bosnjë-Hercegovinës, Republika Sërpska, u mbajtën tubime në përkujtim të tij.

Tubimi më i madh u mbajt në Banjallukë më 1 shtator.

Në narrativët e mediave në Beograd dhe Banjallukë, Mlladiq u paraqit si viktimë e Tribunalit të Hagës, i cili nuk e lejoi të shkonte për trajtim mjekësor në Serbi, ndërsa dënimi i tij dhe viktimat pothuajse nuk u përmendën.

Misioni i OSBE-së në Bosnjë-Hercegovinë tha të hënën se është i shqetësuar për transmetimin e drejtpërdrejtë të ceremonisë përkujtimore për Mlladiqin nga Radio-Televizioni i Republikës Sërpska (RTRS), gjatë së cilës folësit e madhëruan atë disa herë.

OSBE-ja i bëri thirrje Agjencisë Rregullatore të Komunikimeve që ta vlerësojë pa vonesë këtë raportim dhe “të reagojë në mënyrë proporcionale ndaj çdo shkeljeje të konstatuar”.

“Respektimi i fakteve të vërtetuara nga gjykatat dhe i dinjitetit të viktimave dhe të mbijetuarve është thelbësor për gazetarinë e përgjegjshme, pajtimin dhe paqen e qëndrueshme në Bosnjë-Hercegovinë”, thuhet në reagim.

Homazhet për Mlladiqin u mbajtën edhe pse ligji penal në Bosnjë-Hercegovinë e ndalon dhe e ndëshkon mohimin publik të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës të vërtetuara me vendime gjyqësore të formës së prerë, si dhe madhërimin e personave të dënuar përfundimisht për krime lufte.

Për këto vepra parashihet dënim deri në pesë vjet burgim.

Në shenjë proteste, Bosnja tërheq stafin nga ambasada në Beograd

Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq ka paralajmëruar të hënën se do të tërheqë të gjithë stafin nga ambasada e vendit të tij në Beograd si shenjë proteste për sjelljen e Serbisë pas vdekjes së kriminelit të dënuar për gjenocid, Ratko Mlladiq, ka shkruar “Klix.ba”.

Sipas tij, do të tërhiqen të gjithë të punësuarit pos ambasadorit dhe konsullit, pasi për ta nuk ka kompetenca të marrë vendim. Ai ka thënë se punët e stafit të tërhequr tash e tutje do t’i kryejnë punonjësit e ambasadave të Bosnjës në Mal të Zi dhe Kroaci.

Për çfarë u dënua Ratko Mlladiq?

Ish-gjenerali i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykata në Hagë, pasi u shpall fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen dhe zhvendosjen me forcë të popullsisë, terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës, si dhe marrjen peng të pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 2021, Mlladiq u dënua për 10 nga 11 pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Tribunali i Hagës konstatoi se Mlladiq ishte fajtor për gjenocidin ndaj rreth 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë - zonë e mbrojtur e Kombeve të Bashkuara (OKB) - në verën e vitit 1995.

Mlladiq u shpall fajtor për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, që synonte largimin e përhershëm të myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjës përmes përndjekjes, shfarosjes, vrasjeve, zhvendosjes së detyruar dhe dëbimit.

Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska u shpall fajtor edhe për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale në Sarajevë, për përhapjen e terrorit mes popullsisë civile përmes sulmeve me snajper dhe granatimeve, vrasjeve, terrorizimit dhe sulmeve të paligjshme ndaj civilëve.

Ai u shpall fajtor edhe për ndërmarrjen e përbashkët kriminale që lidhej me marrjen e pengjeve, për shkak të kapjes së pjesëtarëve të OKB-së dhe mbajtjes së tyre në lokacione strategjike ushtarake, me qëllim parandalimin e sulmeve të tjera ajrore të NATO-s ndaj objektivave ushtarake të serbëve të Bosnjës.

Mlladiq u lirua nga akuza për gjenocid në gjashtë komuna të Bosnjë-Hercegovinës gjatë vitit 1992 - Prijedor, Sanski Most, Kluç, Kotor-Varosh, Foçë dhe Vllasenicë.

“Serbia humbi mundësinë të distancohej nga trashëgimia e Mlladiqit”

Jasmina Llazoviq, drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, tha se ajo që po ndodh në Beograd, duket si një mundësi e madhe e humbur që Serbia të distancohej zyrtarisht nga trashëgimia e Mlladiqit dhe përgjegjësia e tij për krimet e shumta të kryera në Bosnjë-Hercegovinë.

“Serbia e kishte mundësinë, ndonëse gjatë viteve të kaluara vazhdimisht ka qëndruar në anën e Mlladiqit dhe disa herë ka dhënë garanci në favor të tij, që tani të thoshte se ky është një njeri përgjegjës për krime të tmerrshme dhe se ky shtet dëshiron të distancohet prej tij”, tha Llazoviq.

Ajo vlerësoi se kjo është pasojë e politikës zyrtare të kulturës së kujtesës, e cila, sipas saj, “mbështetet në premisën se Serbia ka zhvilluar vetëm luftëra mbrojtëse”.

“... ku madhërohen kriminelët e luftës, ku mohohen krimet e luftës, ku për trashëgiminë e luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë flitet nga perspektiva e vetëviktimizimit dhe, ajo që është më e rëndësishmja, ku në asnjë rast nuk flitet për viktimat”, tha Llazoviq.

Sipas saj, është e qartë se shteti qëndron prapa gjithë kësaj - gjë që dëshmohet edhe nga fakti se Mlladiq po varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake, ndërsa shërbesën mortore po e mbajnë krerët më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe.

“Kisha Ortodokse Serbe, që nga vitet ’90, ka qëndruar krah për krah me njerëzit që kanë planifikuar dhe kryer krime lufte, kështu që kjo është vetëm vazhdimësi e asaj politike zyrtare të Kishës Ortodokse Serbe, e cila në asnjë moment nuk është distancuar nga krimet e luftës dhe nga të gjitha ato mizori që kanë kryer strukturat ushtarake dhe policore të këtij shteti”, tha Llazoviq.