Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Rajon

Rrahjet, sulmet kibernetike dhe kërcënimet rëndojnë klimën në Serbinë e Vuçiqit para zgjedhjeve

Serbia

Aktivisti serb, Marko Marjanoviq po kthehej nga supermarketi në Beograd, kur disa policë të maskuar e futën me forcë në një veturë dhe e dërguan në bodrumin e një stacioni policor. Atje, ai u mbajt i izoluar për dy ditë.

Marjanoviq, komentues i njohur në rrjetet sociale dhe kundërshtar i zëshëm i udhëheqësit shumëvjeçar të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se ishte i tmerruar. Por kjo nuk ishte hera e parë që përballej me dhunë. Në gusht të vitit 2025, policia e kishte rrahur gjatë protestave kundër qeverisë. Ai dhe avokati i tij i konsiderojnë këto raste pjesë të një fushate për ta heshtur.

Ndërsa ish-presidenti Vuçiq synon të zgjasë qëndrimin 12-vjeçar në pushtet, duke kandiduar për kryeministër në zgjedhjet e 25 tetorit, intervistat me aktivistë, studentë protestues dhe politikanë të opozitës paraqesin një pamje gjithnjë e më autoritare të Serbisë. Kritikët përballen rregullisht me kërcënime, liria e medias po dobësohet dhe korrupsioni po rritet. 

“Sa shumë korrupsion... sa shumë shkatërrim të gjithçkaje që duhet të ketë vlerë këtu. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi”, rrëfen Marjanoviq, i cili është përballur disa herë me bllokimin për periudha të gjata të llogarive të tij në rrjetet sociale për shkak të postimeve. Në njërin prej tyre, ai kishte publikuar numrin e telefonit të presidentes në detyrë, Ana Brnabiq, e cila në atë kohë ishte kryetare e Parlamentit.

Vuçiq dhe Partia e tij Progresive Serbe (SNS) i kanë mohuar vazhdimisht akuzat për shtypje të kundërshtarëve dhe korrupsion. Zyra e tij dhe Ministria e Brendshme nuk iu përgjigjën kërkesave për koment lidhur me këtë raportim.

Edhe Kolumne Sfida e së dielës

Liria e medias në nivelin më të ulët, ndërsa protestat shtohen

Vuçiq po përballet me sfidën më të madhe politike që nga ardhja në pushtet: lëvizjen e protestave të udhëhequra nga studentët, e cila u fuqizua pas shembjes së një strehe në stacionin e trenit në Novi Sad, në vitin 2024, ku humbën jetën 16 persona.

Tashmë, kjo lëvizje po merr pjesë në zgjedhjet e së dielës me 250 kandidatë të saj. Një sondazh i publikuar këtë javë tregon se kandidatët e studentëve dhe SNS-ja e Vuçiqit gëzojnë mbështetje pothuajse të barabartë.

“Që nga koha kur SNS-ja erdhi në pushtet, nuk ka pasur kurrë një organizim kaq të mirë të forcave pro-demokratike në shoqëri”, ka thënë Dragan Popoviq, drejtues i Qendrës për Politikë Praktike. “Sa më shumë që Vuçiqi kërcënohet, aq më shumë shtohet presioni”.

Në fund të viteve 1990, Vuçiq shërbeu si ministër i Informacionit, në kohën kur presidenti i atëhershëm, Sllobodan Millosheviq, përpiqej t’i heshtte kritikët e luftës së Serbisë në Kosovë dhe të përplasjeve të mëvonshme me NATO-n.

Në vitin 2008, Vuçiqi u nda nga Partia Radikale Serbe, e njohur për qëndrimet e saj ultranacionaliste. Sot, ai thotë se dëshiron që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Por po ashtu Serbia është ndër vendet e vetme në Evropë që nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë, në kundërshtim me politikat e BE-së.

Vlerësimet për vendin në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit janë përkeqësuar.

Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit për vitin 2026, i hartuar nga organizata Reporterët pa Kufij (RSF), e renditi Serbinë në vendin e 104-t nga 180 vende, pozita më e dobët që ka shënuar ndonjëherë. Serbia renditet gjithashtu e fundit në rajonin e Ballkanit dhe të Bashkimit Evropian.

Edhe në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, të organizatës Transparency International, Serbia shënoi rezultatin më të dobët në dy dekada.

Sipas RSF-së, gjashtë gazetarë serbë, përfshirë katër që u larguan nga vendi këtë vit, jetojnë në mërgim për shkak të kërcënimeve ndaj sigurisë së tyre, të nxitura nga sulmet me motive politike.

Të dhënat e Fondacionit Slavko Curuvija, organizatë joqeveritare që merret me çështjet e medias, tregojnë se Vuçiqi ka sulmuar verbalisht gazetarë dhe media të paktën 182 herë gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti.

Vuçiq i ka mohuar akuzat se frikëson mediat dhe thotë se nuk ka mbyllur asnjë organizatë mediatike.

Megjithatë, gazetarët me përvojë thonë se situata po përkeqësohet. Veran Matiq drejton një komision për sigurinë e gazetarëve. Në qershor, një i ri e sulmoi dhe ia mori telefonin, ndërsa po filmonte një protestë. Matiq thotë gjithashtu se është fyer në rrugë.

Ai ia atribuon këtë dhunë Vuçiqit, i cili e ka kritikuar publikisht në disa raste. 

“Pothuajse nuk kalon asnjë ditë apo javë pa ndodhur sulme, jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj shumë gazetarëve të tjerë”, ka thënë Matiq për Reuters.

Sulme kibernetike dhe programe spiunazhi

Edhe Reuters: Vuçiqi synon postin e kryeministrit dhe vendosjen e një aleati të tij në postin e presidentit Rajon Reuters: Vuçiqi synon postin e kryeministrit dhe vendosjen e një aleati të tij në postin e presidentit

Anëtarë të lëvizjes studentore dhe kundërshtarë të tjerë të njohur të Vuçiqit kanë qenë gjithashtu shënjestër e sulmeve kibernetike, sipas organizatave që monitorojnë të drejtat digjitale.

Në shtator, organizata SHARE Foundation njoftoi se 14 persona ishin shënjestruar me programe të avancuara spiunazhi, të afta për të mbledhur informacione nga pajisjet e tyre.

Jelena Kontiq, e cila është pjesë e lëvizjes mbarëkombëtare të protestave për largimin e Vuçiqit nga pushteti, ka thënë se në mars mori një njoftim nga kompania Apple, ku paralajmërohej se në telefonin e saj mund të ishte instaluar programi spiun Pegasus.

Sipas saj, kontrollet e mëvonshme teknike, përfshirë ato të kryera nga Citizen Lab, një organizatë kanadeze që studion kërcënimet kibernetike, e konfirmuan këtë.

“Ata kishin qasje në gjithë jetën tënde”, u shpreh Kontiq. “E dinin kur ushtrohesha, kur flija, kur haja, kur pija ujë, sa ujë pija dhe çfarë haja”.

Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Informacionit i cilësoi pretendimet për përfshirjen e shtetit si “sensacionalizëm banal”. Në atë kohë, Brnabiq deklaroi se studentët “absolutisht nuk ishin përgjuar”. Edhe zyrtarë të Ministrisë së Brendshme i kanë hedhur poshtë akuzat për spiunazh kibernetik.

Kontiq nuk është e vetmja që pretendon se është shënjestruar. Sipas një raporti të publikuar të hënën nga Citizen Lab, dy figura të opozitës serbe janë shënjestruar së fundmi me mjete të fuqishme spiunazhi kibernetik.

Kompania izraelite NSO Group, e cila prodhon programin Pegasus, ka deklaruar se produktet e saj ua shet vetëm qeverive.

Pamjet filmike dokumentojnë rrahjen brutale

Kërcënimet ndaj sigurisë janë veçanërisht të dukshme në rrugë, ku protestuesit thonë se policia ka përdorur shpesh forcë kundër demonstratave paqësore.

Dushan Radoviq, një arkitekt 26-vjeçar, po ndihmonte një person që kishte rënë përtokë, kur policia ndërhyri me forcë ndaj një grupi protestuesish në qytetin e Valjevës, në gusht të vitit të kaluar. Në atë moment, policët nisën ta godisnin me shkopinj gome.

“Dhjetë prej tyre më rrethuan. Më shkelmuan, më pështynë dhe, në një moment, njëri prej tyre më shkeli mbi kokë. Më ngritën në këmbë dhe vazhduan të më godisnin, derisa rashë sërish përtokë”, rrëfeu Radoviq. 

Radoviqit iu deshën dy muaj që të mund të ecte përsëri pa çaluar.

Sipas një raporti të pavarur të hartuar nga specialisti i mjekësisë ligjore, Gjorgje Alempijeviq, atë natë u rrahën rëndë 25 persona, disa prej tyre të mitur.

“Lëndimet nuk janë rezultat i incidenteve të izoluara apo i vetëmbrojtjes së nevojshme të policisë. Ato dëshmojnë për një model të qartë, të organizuar dhe sistematik të brutalitetit policor ndëshkues dhe torturës”, thuhet në raport.

Edhe Kolumne A do të rrëzohet sivjet nga pushteti autokrati serb Vuçiq?

Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me protestën në Valjevë dhe raportin për dhunën policore.

“Reagimi im i parë ishte zemërimi, zemërimi ndaj njerëzve të aftë për një mizori të tillë”, ka thënë Radoviq. “Por më pas kuptova se nuk mund të tërhiqem pas kësaj. Duhet të luftoj për drejtësi dhe të vërtetën”.