Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Ekonomi

Rritja e importeve po e bën të papërfillshme rritjen graduale të prodhimtarisë

Prodhim

Njohës të ekonomisë vlerësojnë se zhvillimi i industrie është karakterizuar me kufizime strukturore, ndërsa kryetari i Odës Ekonomike thotë se dalja në tregun e lirë të energjisë po u shkakton probleme prodhuesve vendorë

Rezana Bozhlani

Qarkullimi i industrisë përpunuese vazhdon të regjistrojë trendë pozitive, por me ndikim të vogël në shtimin e vendeve të punës dhe me përmasat e rritjes së importit. Gjatë muajit gusht të këtij viti, ky sektor ka pësuar rritje për 4.25% në krahasim me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Ndërsa sektorët e tjerë ekonomikë, përfshirë atë të industrisë nxjerrëse, kanë pasur rritje më të lartë, me 11.3 %.

Njohësi i ekonomisë, Fidan Qerimi, thotë se industria përpunuese në Kosovë përballet me kufizime strukturore.

“Industria e prodhimit në Kosovë ka shënuar një zhvillim gjatë viteve të fundit, por kjo ecuri nuk karakterizohet nga një rritje e vazhdueshme, por nga luhatje dhe kufizime strukturore. Kemi pasur periudha kur qarkullimi ka shënuar rritje dhe aktiviteti prodhues është shtuar, por kjo nuk është përcjellë gjithmonë me zgjerim të qëndrueshëm të kapaciteteve të prodhimit dhe gjenerim të punësimit në këta sektorë”, ka deklaruar Qerimi.

Sipas Qerimit, konkurrenca jo e barabartë po i dëmton prodhuesit vendorë.

“Domethënë, si treg i lirë, ne kemi probleme të jashtëzakonshme si prodhues vendorë, sepse përballemi me konkurrencë jo të barabartë. Prodhuesit e vendeve të tjera kanë kapacitete shumë më të larta, të cilat u mundësojnë të prodhojnë me kosto më të ulëta. Kjo është një dobësi e brendshme, të cilën duhet ta zvogëlojmë ose edhe ta eliminojmë përmes politikave ekonomike dhe mbështetëse, duke i mbështetur prodhuesit vendorë në rritjen e produktivitetit, shtimin e stafit dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së furnizimit”, ka vlerësuar ai.

E kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, thotë se dalja në tregun e lirë energjetik i ka vendosur prodhuesit në një pozitë të pafavorshme.

“Përkundër që ne e kemi kërkuar një periudhë transitore që sa më lehtë të dalin në treg të lirë, se dalja në treg të lirë në vetvete është dashur të ketë një qëllim të gjejë energji elektrike me çmim më të ulët, se sa që e kanë pasur, mirëpo te ne dihet se çmimi është i rregulluar nga ana e tregut, dhe në momentin që kanë dalë në treg të lirë, janë përballur me një çmim shumë më të lartë, dhe përballja e një çmimi më të lartë i ka sjellë bizneset në një pozitë të pafavorshme për shkak se ju është rritur kostoja operative”, ka theksuar Rafuna.

Kryetari i OEK-ut e konsideron të nevojshëm ndërtimin e një pakete që do t’i ndihmonte prodhuesit.

“Kjo ka qenë kërkesa jonë për qeverinë e Kosovës, që ta ndërtojë një paketë, sepse ne jemi duke e pasur inflacionin ashtu si qytetarët e Kosovës, po ashtu edhe për biznesin, kemi kërkuar që ta ndërtojnë një paketë me masa konkrete që do t’i ndihmojë bizneset”, ka thënë Rafuna.

Sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës, eksportet e produkteve të industrisë përpunuese u rritën nga 398,5 milionë euro në vitin 2020 në 736,9 milionë euro në vitin 2022. Por krahas rritjes së eksportit të produkteve të kësaj industrie, është rritur edhe niveli i importit. Për të njëjtën periudhë, qeveria thotë se importi i këtyre produkteve u rrit nga 3,6 miliardë në 5,24 miliardë euro.