Asambleja Komunale e Cetinës kërkoi të premten që personat përgjegjës për sigurinë në Malin e Zi të japin dorëheqjen si dhe të kryhet një hetim ndërkombëtar për veprimet e policisë më 1 janar, pas ngjarjes tragjike ku u vranë 13 persona.
27 nga 30 përfaqësues lokal votuan pro kërkesave të bëra nga kryetari Nikolla Gjurashkoviq. Ata kërkuan që të dorëhiqet ose të shkarkohet zëvendëskryeministri për sigurinë Aleksa Beçiq, ministri i Brendshëm, Danilo Sharanoviq dhe kreu i policisë Llazar Shqepanoviq “si akt i marrjes së përgjegjësisë objektive profesionale”.
Gjithashtu ata kërkuan hetim të pavarur ndërkombëtar për të hetuar atë që ndodhi në 1 janar si dhe për përgjegjësit.
Më 1 janar, Aco Martinoviq nga Cetina vrau 13 persona, duke përfshirë dy fëmijë, dhe plagosi rëndë tre të tjerë. Sipas të dhënave të Drejtorisë së policisë, vrasjet janë kryer në pesë vende të ndryshme në qytet brenda gjysmë ore. Operacioni i policisë për gjetjen e autorit zgjati të paktën 6 orë dhe më pas ai kreu vetëvrasje. /VoA