Rajon

Eskalojnë demonstratat në Serbi, protestuesit sulmohen nga zyret e partisë së Vuçiqit

Serbi protesta

Foto: Associated Press

Mbështetësit e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet hodhën fishekzjarrë dhe flakë ndaj protestuesve antiqeveritarë në Novi Sad të mërkurën në mbrëmje, duke bërë që policia të ndërhynte për t'i dhënë fund bllokimit.

Situata shënon një përshkallëzim të madh të protestave nëntëmujore në Serbi.

Protestat e përditshme në të gjithë vendin në Serbi, pas vdekjes së 16 personave si pasojë e shembjes së një çatie në një stacion hekurudhor të rinovuar në Novi Sad nëntorin e kaluar, kanë tronditur popullaritetin e presidentit populist Aleksandar Vuçiq dhe SNS-së.

VIDEO:

 

 

Në një konferencë për shtyp vonë të mërkurën, Vuçiq, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, ka thënë se 16 oficerë policie dhe rreth 60 mbështetës të SNS-së janë lënduar në Novi Sad.

Ai gjithashtu ka akuzuar fuqi të huaja të paidentifikuara për orkestrimin e trazirave dhe premtoi arrestime.

"Personat që shkelën ligjin do të arrestohen... Sonte, ne kemi shmangur një skenar katastrofik të planifikuar nga dikush nga jashtë”, ka thënë ai.

Pamjet nga televizioni privat N1 treguan mjete piroteknike që hidheshin ndaj protestuesve në Novi Sad nga drejtimi i zyrave të SNS-së. Mediat kanë raportuar se në krye të protestuesve pro-qeveritarë shihej djali i Aleksandër Vuçiqit, Danilo Vuçiq. 

Gjithashtu, në video shiheshin protestues antiqeveritarë, disa me fytyra të përgjakura, të cilët thoshin se mbështetësit e Vuçiqit përdorën shkopinj gome për t’i sulmuar.

VIDEO:

 

 

Lëvizja opozitare "Lëviz-Ndrysho" ka thënë se besnikët e Vuçiqit kanë qenë përgjegjës për përleshjet.
"Sulmet ndaj njerëzve me mjete piroteknike shkelin të drejtën e tyre për jetë dhe protestë", ka thënë ajo në një deklaratë.

Në kryeqytetin e Beogradit, policia e trazirave ka bllokuar protestuesit antiqeveritarë që t'i afroheshin zonës në një park pranë ndërtesës së parlamentit, ku mbështetësit e Vuçiqit kanë ngritur kampe që nga marsi.

Diku tjetër në Beograd, protestuesit antiqeveritarë u përleshën me policinë, e cila i pengoi ata të afroheshin në zyrat lokale të SNS-së.

Protestuesit kanë fajësuar korrupsionin për shembjen e çatisë së hekurudhës në Novi Sad dhe kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme që shpresojnë se do ta largojnë Vuçiqin dhe partinë e tij nga pushteti pas 13 vjetësh.

Studentët, opozita dhe organet mbikëqyrëse kundër korrupsionit kanë akuzuar Vuçiqin dhe aleatët e tij për lidhje me krimin e organizuar, dhunë kundër rivalëve dhe kufizim të lirive të medias, diçka që ata e mohojnë.

Të mërkurën në mbrëmje, studentët që po udhëheqin protestat u bënë thirrje mbështetësve të protestonin para zyrave të SNS-së në qytetet kryesore të Serbisë, përfshirë Beogradin, Novi Sadin, Kragujevacin, Cacakun dhe Nishin, pasi disa protestues u plagosën në përleshjet me SNS-në në qytetin Vrbas të martën në mbrëmje.