Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është takuar të mërkurën me zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vulin, në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor në Vladivostok, raporton “Danas”.
Në takim, që u transmetua në YouTube, Vulini tha se Serbia nuk është vetëm partnere strategjike, por edhe aleate e Rusisë.
Vulini tha se shkaku i kësaj “presioni është i madh” ndaj Serbisë. Ai tha se Serbia kurrë s’do t’i vendosë sanksione Rusisë sa të jetë në krye Aleksandar Vuçiqi.
“Por, Serbia e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq është një Serbi që kurrë nuk do të bëhet anëtare e paktit të NATO-s, që kurrë nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë dhe kurrë s’do të lejojë të kryhen veprime anti-ruse në territorin e saj”, tha Vulin, raportua mediat.
Vulin i është ankuar Putinit edhe për Kosovën.
“Situata në rajon është shumë e vështirë. Kemi tentime të njëanshme të Prishtinës që totalisht ta ndryshojë situatën në terren, të shkelë Rezolutën 1244 dhe të tentojë të kryejë spastrim etnik të serbëve nga Kosova e M”, tha Vulin, ndërsa u ankua edhe për Bashkimin Evropian se nuk po themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Ai tha se është privilegj i madh që ka biseduar me presidentin rus.
E Putin theksoi se e pret presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq të marrë pjesë në Samitin e BRICS në Kazan.
Putin tha se i është dërguar tashmë ftesa Vuçiqit.
“Ne presim presidentin Vuçiq në ngjarjen e BRICS në Kazan në një format më të zgjeruar. Kemi dërguar ftesën dhe shpresoj që ta pranojë”, tha Putin.
Putin në fillim të takimit tha se për marrëdhëniet ruso-serbe nuk ka nevojë të flitet “duke marrë parasysh rrënjët e tyre të thella, si dhe afërsinë shpirtërore dhe historike të rusëve dhe serbëve”.
Ai vuri në dukje vëllimin e tregtisë mes dy vendeve që ka rënë pak dhe tha se e di që qeveria e Serbisë po merret me këtë.
“Ne i jemi pafundësisht mirënjohës Rusisë dhe juve personalisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen e integritetit tonë territorial. Ne e dimë se kudo që dëgjohet zëri i Rusisë, dëgjohet edhe zëri i Serbisë. Aty ku po tentojnë të shuajnë zërin e Rusisë nuk do të dëgjohet as zëri i Serbisë. Vuçiqi e di shumë mirë këtë dhe nuk do të lejojë në asnjë mënyrë të cenohen marrëdhëniet tona vëllazërore”, tha Vulin.
Departamenti i Shtetit të SHBA-së në një përgjigje për “Zërin e Amerikës” të martën tha se qëndrimi i SHBA-së për Vulinin është i qartë, “ai është i sanksionuar”.
Serbia ende nuk i ka vendosur sanksione Rusisë për pushtimin e Ukrainës, ndonëse ka pasur vazhdimisht thirrje që ta bëjë këtë.