Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Njihemi me modelet e reja të “Sallës B”

Me shumë vullnet fëmijët e “Sallës B” në Prishtinë filluan përgatitjet për eventin e madh të tyre. Bëhet fjalë për “Prishtina Fashion Night 2023”. Ky edicion është i shtati me radhë në të cilin marrin pjesë fëmijët.

Përmes ndjekjes së kursit në “Sallën B”, fëmijët kanë mundësi të mësojnë për ecjen në pasarelë, qëndrimin në skenë dhe pozimet në një sesion fotografish.

Në këtë mënyrë ata filluan praktikimin e ecjes nën udhëzimet e pedagoges, Medina Koliqi. Shumë të koncentruar secili prej tyre realizoi ecjen duke bërë hapat me shumë saktësi. Për të qenë një model i suksesshëm duhet që lëvizjet të praktikohen sa më shumë, në mënyrë që në ecja në sfilata të realizohet sa më bukur.

Përveç ecjes, rëndësi të veçantë i kushtohet edhe fotografisë. Grupmoshat më të reja të “Sallës B”, praktikonin poza të ndryshme, që mund të realizojnë gjatë një sesioni fotografik. Secila nga vajzat pozonte dhe ndiqte me kujdes këshillat e pedagoges.

Pas ushtrimeve ishte koha që fëmijëve t’iu merrnin përmasat e trupit për veshjet që do të prezantohen në këtë edicion të “Prishtina Fashion Night”. Ky koleksion është duke u pregatitur nga studentët e vitit të dytë të Akademisë “Evolution” nën udhëheqjen e profesorit të tyre, Ylber Rukiqi.

Të gjitha këto përgatitje realizoheshin me shumë përpikmëri që fëmijët të shkëlqejnë gjatë sfilatës, e cila do të mbahet me datën 5 maj në White Garden. Përmes këtij edicioni çdo fëmijë i “Sallës B”, do të ketë mundësinë të shfaq talentin e tij.