Me padurim fëmijët e klubit të karatesë “Ippon” filluan stërvitjet e tyre. Si në çdo sport tjetër edhe në karate stërvitjet fillojnë me nxehje dhe zgjatje në mënyrë që fëmijët të jenë sa më të gatshëm për realizimin e ushtrimeve të ndryshme.
Klubi i karatesë “Ippon” vepron që nga viti 1994 dhe që atëherë u ka mundësuar fëmijëve të zbulojnë forcën e tyre, të mësojnë vetëmbrojtje dhe të krijojnë miqësi. Stërvitjet në këtë klub përveç që i kanë ndihmuar fëmijët të mësojnë artin e karatesë, u kanë dhuruar atyre emocion dhe disiplinë për të gjitha sferat e jetës.
Të gjithë fëmijët të veshur me uniformën e sportit të karatesë me shumë kujdes dëgjonin udhëzimet e trajnerit të tyre, Orges Arifi e më pas ekzekutonin lëvizjet e ndryshme. Pas udhëzimeve të tij, secili fillonte aventurën e tij me shkelma, grushte, bllokime dhe qëndrime.
Fëmijët i praktikonin lëvizjet e tyre me përkushtim, duke u fokusuar te ekuilibri, shkathtësia dhe teknika. Gjithashtu, trajneri u theksonte atyre vlerat e durimit, këmbënguljes dhe vetëkontrollit. E gjithë kjo përvojë argëtonte pa masë karatistët e rinjë, të cilët nuk hezituan të ndanin këtë përvojë me ne.
Përveç stërvitjeve, karateistët e klubit “Ippon” kanë marrë pjesë në gara të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, në të cilat kanë arritur suksese të shumta. I gjithë ky sukses është arritur falë punës së palodhshme dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm mes fëmijëve dhe trajnerëve.
Karateja ofron përfitime të shumta për fëmijët, duke përfshirë aspektet fizike, mendore dhe sociale të zhvillimit të tyre. Më shumë rreth tyre na tregoi trajneri i karatesë, Orges Arifi.
Në përgjithësi, karateja ofron një qasje shumë të veçantë për zhvillimin e fëmijëve. Mbi të gjitha ajo u kujton gjithmonë atyre se forca e vërtetë vjen nga brenda.