Tregime simpatike mund të lexojnë të vegjlit tuaj nga biblioteka “Koha Junior” e Botimeve KOHA. Nga një rrëfim të shkurtër për secilën shkronjë të alfabetit të gjuhës angleze përmban libri i autores Valentina Gara “The magical ABC”, pjesë e kësaj biblioteke. Këto shkrime për protagonist kanë insekte e kafshë nga më të ndryshmet. Libri është i dizajnuar si një hyrje për fillestarët e gjuhës angleze dhe është menduar për të tërhequr të vegjlit në botën e tyre magjike të të mësuarit.
“Magula-Magula”, një tjetër libër nga koleksioni i KOHËS për lexuesit e vegjël. Me autorë Valdet Gashi "dhe Shpend Kada, ky libër është në vargje dhe me ilustrime simpatike. Edhe pse ngjarja ndodh në Afrikë, tema dhe motivet janë të gjithanshme. Gjatë leximit do të kuptoni që vajza Magula-Magula është një personazh që bën gabime. Me përvojën e saj në xhungël, rreziqet, takimin me kafshë të egra, etj. ajo e kupton thelbin e së mirës dhe të së keqes . Kjo është edhe porosia e këtij libri.
Libra të tjera, po ashtu me ilustrime që ngjallin kureshtjen tuaj fëmijë të dashur janë: “Katër fëmijët dhe mbreti i orëve”, me autor Bardh Rugova, si dhe “Unë jam miku ham ham”, të cilin e ka ideuar Fisnik Vejsa dhe ka adaptuar shkrimtari shumë i dashur për fëmijë Rifat Kukaj. Me ilustrime të jashtëzakonshme nga Jeton Mikullovci, ky libër flet për dashurinë e sinqertë të qenit ndaj njeriut.
Përveç këtyre, mund të gjeni edhe tre libra të autorit Glenn Ringtved, të cilët titullohen “Natën e mirë, tha maçoku”, “Vajto zemër”, dhe “Me vonesë”.
Këta të fundit janë tri përralla të përzgjedhura të shkrimtarit danez, me ilustrime të mrekullueshme nga autorë gjithashtu danezë. Në përkthim nga Ardita Muja, këta tituj nga biblioteka “Koha Junior” janë përralla përmbajtjesore dhe me kuptim si për fëmijët ashtu edhe për prindërit.
Këta libra janë në mesin e mbi 100 titujve të Botimeve KOHA, shtatë prej tyre të rinj, që janë pjesë e “Mini-Panairit të KOHËS”, i cili do të përmbyllet më 26 gusht.
Librat mund të porositen me çmime të Panairit në faqen e shtëpisë botuese “BOTIMET KOHA” në Facebook. Të interesuarit mund t’i blejnë librat me ofertë edhe në selinë e KOHËS.