PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Kuriozitete për kangurin

Kangurët janë kafshë shumë interesante që jetojnë në pak vende të botës. Por, sa dini ju për ta?

- Kangurët jetojnë në Australi, Guinenë e Re dhe Tazmani. Ata janë simbol i Australisë, duke u vendosur në pulla postare e madje edhe në monedha. Kjo, sepse në Australi ka numër më të madh të kangurëve se të njerëzve.

- Kangurët njihen si gjitarë marsupialë. Gjitarët marsupialë janë të veçantë, sepse të vegjlit e tyre i mbajnë në një xhep në bark. Pra, të vegjlit e kangurit qëndrojnë në xhepin e nënës derisa të mësohen të ecin.

- Ka lloje të ndryshme të kangurëve. Ndër ta kanguri i kuq është më i madhi. Ata ushqehen me bar, gjethe dhe bimë të tjera. Ata gjithashtu ushqehen me fruta dhe lule.

- Një tjetër e veçantë për kangurët është se kanë këmbë shumë të fuqishme. Prandaj mund të kërcejnë shumë lart e madje të kalojnë pengesa prej 3 metrash. Bishti i kangurit ka rëndësi të madhe në lëvizjen e tij. Ai mundëson balancimin e trupit gjatë vrapimit dhe kërcimit.

- Kangurët gjithashtu kanë dëgjim shumë të mirë. Mund të lëvizin veshët e tyre në të gjitha drejtimet pa lëvizur fare kokën. Kjo iu ndihmon shumë në dëgjim.

- Një tjetër kuriozitet interesant është se kangurët ngjasojnë pak me devetë. Atyre nuk iu duhet shumë ujë për të mbijetuar. Kur bie shi kangurët pinë shumë ujë, por kur bëhet vapë e madhe në Australi ata mund të kalojnë kohë të gjatë pa pirë fare ujë. Këto gjëra i dallojnë kangurët nga shumë kafshë të tjera.