Letër për vëllaun, motra jote të kujton...

ABEDIN EJUPI - CUCA

ABEDIN EJUPI - CUCA

(15.7.1961 - 26.12.1998)

Kanë kaluar njëzet e tre vjet dhe ende malli për ty nuk shuhet. Njëzet e tre vjet nga një betejë e humbur, nga një realitet i hidhur, një përballje me të vërtetën. Njëzet e tre vjet nga koha kur u thyem shpirtërisht dhe ishim të gatshëm të heqim dorë nga të gjitha. Njëzet e tre vjet nga momenti kur ishe pranë nesh në çdo formë. Kur na doje, e na këshilloje, kur na ruaje e na udhëzoje, kur nuk ndiheshim të mangët. 
Njëzet e tre vjet nga frika se si do të jetoj unë pa vëllanë tim, mburojën time të shtrenjtë.
Shumë gjëra kanë ndryshuar vëlla. Zbrazëtia që ndien shpirti im është mbushur me atë që le ti prapa. 
Sikur të ishe këtu me ne, do të kuptoje se si brengat që kishim për jetën janë mbushur me krenari dhe të gjithë jemi mirë, ashtu siç doje ti.
Çdo motër do të ndihej e bekuar po të kishte një vëlla si ti. Një mburojë. Një siguri se gjithçka do të bëhet mirë. Atë që na ofroje ti me prezencën tënde.
Nganjëherë pyes veten ku e gjeje kurajën të ishe pranë nesh në një jetë plot sfida e si tregoheshe aq i fortë. Ndoshta ishte përgjegjësia që ndieje ndaj familjes tënde që të bënte të ishe shembull, e na bënte ne të vendosim tërë besimin që kemi mbi supet e tua. Besim të cilin e shtove me karakterin e virtytet e tua.
Unë e di se si do të ishte jeta po të ishe këtu Abedin! Të gjithë do të vinim te ti për çdo gjë. Te ti do të gjenim paqen. Te ti do të gjenim sigurinë.
Të kërkoj të pushosh i qetë gjithmonë e të gjesh paqe në botën tjetër, sepse ne jemi mirë. Familja jote është mirë. Jam shumë krenar me ta dhe si jetët e tyre po shkojnë. Të gjithë së bashku jemi të fortë siç doje, e siç ishe ti. 
Jemi të pamposhtur sa herë të kujtojmë ty, e ty të kujtojmë përherë.

Me shumë dashuri e mallëngjim! Motra jote… Bahrija

Data e publikimit: 26.12.2021
Shpërndaje
Të tjera