Më në fund Kosova ka debutuar në Lojërat Paralimpike.
Të shtunën paradite në “Stade de France” në Paris, në praninë e dhjetëra mijëra shikuesve dhe në atmosferë të zjarrtë, paraatleti Grevist Bytyqi ka garuar në 1500 metra, në kategorinë T46. Bytyqi, që e ka humbur njërin krah si fëmijë, kishte konkurrencë shumë të fortë. Paraatletët tjerë në 1500 metra kanë përvojë të gjatë në gara të këtij niveli.
Koha e Bytyqit ishte 4 minuta, 32 sekonda e 88 të qindëtat, që është koha më e mirë e tij në karrierë.
Bytyqi u rendit i fundit, përkatësisht i 16-ti, por vetë pjesëmarrja e tij në Lojëra Paralimpike është një lloj suksesi.
Garën në 1500 metra në kategorinë T46 e fitoi Aleksandr Iaremchuk me kohë prej 3 minuta, 50 sekonda e 24 sekonda. Ai garon si paraatlet i pavarur, ndërsa është nga Rusia. Iaremchuk e ka mbrojtur titullin e fituar tri vjet më parë në Tokio.
Iaremchuk triumfoi falë finishit të hatashëm. Në metrat e fundit e kaloi australianin Michael Roeger që fitoi medaljen e argjendtë. Medalja e bronztë i takoi francezit Antoine Praud.
Edhe
Komiteti Paralimpik shkruan për debutimin e Kosovës
Në kategorinë T46 në 1500 metra, garuan 16 paraatletë.
Bytyqi është nga Malisheva, ndërsa në Kosovë paraqitet në garat me atletët me aftësi të plota.
Me paraqitjen e së shtunës, Grevist Bytyqi ka shkruar histori të paralimpizmit në Kosovë. Ai është i vetmi garues i Kosovës në Lojërat Paralimpike në Paris.