Zhvillimet rreth boksit të grave kanë nisur të bëhen të pakuptimta. Asociacioni Ndërkombëtar i Boksit (IBA), që nuk njihet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, ka njoftuar se do të shpërblejë boksieren italiane, Angela Carini, me shumën e parave që i shpërblen kampionet olimpike.
Carini dorëzoi pas 46 sekondave meçin ndaj algjerianes Imane Khelif, të enjten. Ajo fillimisht bëri bujë me deklaratat e saj, kur tha se është dorëzuar për të ruajtur jetën. Më pas i kërkoi falje Khelifit.
Khelifi dhe një boksiere nga Taipei Kinez, që fitoi të premten në Lojërat Olimpike, vjet janë suspenduar nga IBA për mospërmbushje të “kritereve të përshtatshmërisë gjinore”.
Por Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk pranon IBA-n dhe ka vlerësuar se vendimi për të diskualifikuar dy boksieret ishte i padrejtë. IOC-ja ka lejuar dy boksieret të paraqiten në Olimpiadë, ndërsa pjesëmarrja e tyre është tema kryesore në Lojërat e Parisit, tash e sa ditë. Në rrjete sociale ka pasur shkrime e tallje për përballej të grave me dy burra. IOC-ja u ka dalë vazhdimisht në mbrojtje dy boksiereve, por IBA-ja, që kontrollohet nga Rusia, ka vazhduar me qëndrim gati absurd.
“Nuk mund t’i shihja lotët e saj”, ka thënë presidenti i IBA-s, rusi Umar Kremlev.
“Nuk jam indiferent ndaj situatave të tilla dhe mund të siguroj se do të mbrojmë çdo boksier. Nuk e kuptoj pse e vrasin boksin e grave. Vetëm garueset me përshtatshmëri duhet të garojnë në ring për shkak të sigurisë”, ka thënë Kremlev.
Ai ka vazhduar se IBA do ta mbështesë uzbeken Sitora Tirdibekova. Ajo humbi nga Lin Yu-Ting e Taipeit Kinez, të premten. Edhe Yu-Ting nuk kaloi testet e IBA-s, që po kontestohen gjithnjë e më shumë.
Të gjithë fituesit e medaljes së artë në boks në Lojërat e Parisit do të shpërblehen nga IBA me nga 100 mijë dollarë. 50 mijë i takojnë sportit, 25 mijë trajnerit dhe 25 mijë federatës. IBA ka shumë para dhe për këtë arsye po e mban ndikimin në boksin amator, përkundër luftës me IOC-në.
Por situata pritet të ndryshojë pas Lojërave të Parisit. Rreziku është i madh që boksi të përjashtohet nga programi olimpik.
Të shtunën një konferencë të papritur e ka mbajtur presidenti i IOC-së, Thomas Bach. Ai ka thënë se urrejtja ndaj Imane Khelifit dhe Lin Yu-Ting në Lojërat e Parisit është plotësisht e papranueshme.
“Ne nuk do të marrim pjesë në luftën e motivuar politikisht, luftën kulturore”, ka thënë Bach. “Ajo që po ndodh në këtë kontekst, në rrjetet sociale me gjithë këtë gjuhë urrejtje, me këtë agresion dhe abuzim, është krejtësisht e papranueshme”, ka shtuar presidenti i IOC-së, Bach.
Nuk ka asnjë informatë për testet për gjini të cilat pretendon se i ka bërë IBA dhe që nuk i kanë kaluar dy boksieret.
Bach tha se bëhet fjalë për fushatë më të gjerë të uhhëhequr nga Rusia kundër Lojërave Olimpike dhe IOC-së. Vetëm 15 sportistë rusë janë në Paris dhe ata garojnë si neutralë.
“Ajo që kemi parë nga pala ruse dhe në veçanti nga IBA është një fushatë e nisur shumë më herët kundër Francës, kundër lojërave, kundër IOC-së”, ka thënë Bach.
Komiteti Olimpik i Algjerisë ka bërë ankesë zyrtare në IOC lidhur me ngacmimet në internet ndaj Khelifit.
“Kemi dy boksiere që kanë lindur si gra, janë rritur sigra, kanë pasaporta të grave dhe kanë garuar për shumë vjet me gra të tjera. Disa duan të kenë përkufizim se kush është grua”.
Skye Nicolson, kampione botërore e boksit nga Australia, ka mbrojtur dy boksieret e sulmuara. Ajo ka treguar se ka boksuar dhe ka bërë sparing me Imane Khelifin dhe Lin Yu-Ting.
“Dua të qartësoj disa gjëra. Unë kam boksuar me të dyja. Ato janë të lindura femra. Ato janë të lindura me kromozomin XY, që është kromozom mashkullor, por kanë lindur me trupa të femrave. Kanë atribute fizike të femrave. Janë rritur si vajza, si femra, si gra. Kanë garuar si gra gjatë gjithë kohës. Nuk janë burra të lindur që kanë vendosur të quajnë veten gra, apo të identifikohen si gra për të garuar në Olimpiadë”, ka thënë Skye Nicolson.