Presidenti i Federatës Botërore të Boksit (World Boxing) ka kërkuar falje pasi kampionia olimpike, Imane Khelif, u veçua në njoftimin e kësaj federate që testi i gjinisë është bërë i detyrueshëm.
Boksierja algjeriane, Khelif, që fitoi të artën në Lojërat e Parisit në verën e kaluar, mes diskutimeve për të drejtën e saj për të garuar, ishte e vetmja që u përmend nga World Boxing në komunikatën e lëshuar të premten e kaluar e që kishte të bënte me politikën e re për testimin e gjinisë në boks.
Presidenti i World Boxing, Boris van der Vorst, ka kontaktuar Federatën e Boksit të Algjerisë për të pranuar se ajo që ndodhi ishte e gabuar.
“Po ju shkruaj të gjithëve personalisht për të ofruar një falje zyrtare dhe të sinqertë për këtë dhe për të pranuar se privatësia e saj duhej të ishte mbrojtur”, shkruan në letrën e Van der Vorst, që është parë nga agjencia e lajmeve AP.
Van der Vorst shtoi se shpresonte që duke “ju kontaktuar personalisht ne tregojmë respektin tonë të vërtetë për ju dhe sportistët tuaj”.
Komunikata megjithatë mbeti e pandryshuar në faqen zyrtare të World Boxing.
Khelif dhe Lin Yu-ting nga Tajvani, që po ashtu fitoi medalje ari, ishin në qendër të vëmendjes në Paris. Organi i mëparshëm drejtues i boksit olimpik, IBA, i diskualifikoi dy bokseret në Botërorin 2023, duke pretenduar se ato dështuan në një test të paspecifikuar të pranueshmërisë gjinore.
Por Komiteti Olimpik Ndërkombëtar shfrytëzoi rregulla të mëhershme të Lojërave Olimpike për gjininë dhe lejoi Khelifin dhe Linin të garojnë.
World Boxing është pranuar përkohësisht si organizatore e garës së boksit në Los Angeles 2028 dhe është përballur me presion nga boksieret dhe federatat për të krijuar standarde të përshtatshmërisë gjinore. Është vendosur të ketë testime të detyrueshme për të gjithë boksierët nga 1 korriku për të “ofruar siguri për të gjithë pjesëmarrësit dhe për të ofruar kushte të barabarta të garimit për burra dhe gra”.
Të gjithë ata që garojnë në boksin olimpik, të njohur edhe si boksin amator, e që i kanë mbi 18 vjet, do t’i nënshtrohen testimit për të përcaktuar gjininë e tyre në lindje.
Khelifi planifikon të mbrojë të artën në Lojërat Olimpike “LA 2028”, por boksiere dhe federata të shumta tashmë janë deklaruar kundër pjesëmarrjes së saj. Ajo ka planifikuar të kthehet në gara në Eindhoven të Holandës këtë muaj, por kjo iu ndalua. Fillimisht duhet të testohet për gjini.
Së fundi në media është publikuar një raport i disa vjetëve më parë, në të cilin shkruan se testimi i bërë ka vlerësuar se Khelif “është biologjikisht mashkull”. Kjo bëri që të ketë reagime të shumta publike.