Opinion

Venezuela dhe e ardhmja e Perëndimit

Tani që viti 2026 posa ia ka nisur, presidenti amerikan, Donald Trump, ua tërhoqi qilimin poshtë këmbëve të gjithë atyre që ende besuan në rikuperueshmërinë e rendit të vjetër ndërkombëtar. Operacioni i orëve të natës për kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, konfirmon se jemi në një epokë të re... Evropa kontinentale, që mbetet tejet në errësirë, është dukshëm e frikësuar që ta nxjerrë kokën nga rëra dhe të shfaqë çfarëdo që i ngjason ambicies. Por me një vizion të kthjelluar dhe me një përkushtim për të shikuar përtej, kurrë nuk mund të dish se si gjërat mund të shtjellohen 25 vjet nga tash. Ka ardhur koha për të pasur mendime më të freskëta për BRICS+

Në një koment të mëparshëm, Gemma Cheng’er Deng dhe unë argumentuam se Perëndimi duhet t’i hapë sytë karshi mënyrës se si po evoluon bota, veçanërisht në dritën e Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, e cila dukej se bënte thirrje që bota të ndahet në tri blloqe (përreth Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kinës dhe Rusisë). Tani që viti 2026 posa ia ka nisur, presidenti amerikan, Donald Trump, ua tërhoqi qilimin poshtë këmbëve të gjithë atyre që ende besuan në rikuperueshmërinë e rendit të vjetër ndërkombëtar. Operacioni i orëve të natës për kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, konfirmon se jemi në një epokë të re.

Trumpi ka treguar se administrata e tij synon të bëjë çfarë t’i dojë qejfi, bazuar në vetë definicionin e tij të “së drejtës” dhe pa konsideratë për të drejtën ndërkombëtare apo rregullat e angazhimit. Kjo do të thotë se pjesa tjetër e Perëndimit duhet të përmendet dhe të ndalojë së fshehuri prapa mirësive dhe gjuhës standarde diplomatike. Miqtë, partnerët dhe aleatët e vjetër të Amerikës duhet të ofrojnë shpjegime substanciale se ku qëndrojnë në skenën botërore. Frazat e zbrazëta nxitëse nuk mjaftojnë më. Realitetet e reja ekonomike, gjeopolitike dhe diplomatike po bëhen përherë e më të qarta, javë pas jave.

Vlen të theksohet se sivjet shënohet njashtu 25-vjetori i punimit tim që e krijoi akronimin BRIC (fillimisht Brazil, Rusi, Indi dhe Kinë). Siç kam nënvizuar më parë, argumenti im për rëndësinë e këtyre shteteve kurrë nuk ka pasur të bënte me investimet. Përkundrazi, ka pasur të bëjë me nevojën për një qeverisje globale më të drejtë, më përfaqësuese dhe më efektive, të bazuar në ato që unë i pashë si realitete ekonomike dhe strategjike në zhvillim.

Për shembull, në rastin e krijimit të Eurozonës dhe të monedhës së përbashkët, unë shtrova pyetjen se përse Franca, Gjermania dhe Italia duhet që ende të përfaqësoheshin individualisht në organizatat madhore të qeverisjes globale, veçanërisht në rastet kur ato u zinin vende të tjerëve, rëndësia ndërkombëtare e të cilëve vetë sa do të vazhdonte që të rritej.

25 vjet më parë ishte veçse e qartë që ndikimi relativ ekonomik i këtyre vendeve evropiane do të zbehej. Dhe tani që Bashkimi Evropian dhe euroja janë këndej pari që prej dekadash, është e arsyeshme të pyesim se cilit synim i kanë shërbyer. Pse evropianët nuk e bërë atë që duhej për të krijuar ekonomi të shkallëve që do t’u mundësonin industrive të tyre të sigurojnë rritje të produktivitetit që përfundimisht do t’i mbështeste standarde më të larta të jetesës?

Natyrisht, kur e shtoj këtë pyetje për Evropën, duhet ta përfshij edhe Mbretërinë e Bashkuar. Vendi im dhe të gjitha fuqitë e tjera perëndimore kanë nevojë urgjente që të bëjnë një lloj shqyrtimi të thellë për prioritetet e tyre afatgjatë. Qasja e vetë administratës Trump e ka nxjerrë në pah edhe më tej vetëkënaqësinë e shkujdesur të pjesës tjetër të Perëndimit. Nëse tani nuk është koha që perëndimorët t’i artikulojnë bindjet e tyre themelore, atëherë kur do të jetë? Çfarë ju vlerësoni në të vërtetë dhe si do të siguroni që vlerat tuaja të respektohen në mënyrë të qëndrueshme në marrëdhëniet tuaja me pjesën tjetër të botës?

Kur argumentova se evropianët duhet të krijojnë më shumë hapësirë për ekonomitë e mëdha dhe të tejpopulluara e që janë në zhvillim, prisja që, përderisa këto shtete vazhdojnë të rriten, ato do të kërkojnë zë më të madh në tryezë. Kina dhe India tashmë e kanë arritur fazën ekonomike që e kam parashikuar në punimi tim për BRIC-un, edhe pse dy të tjerat, Brazili dhe Rusia, ende jo. Dhe që nga vitet 2008-2009, BRICS-i (të cilit iu shtua Afrika Jugore më 2010) rëndom foli me një zë, të paktën simbolikisht, nëpërmjet samiteve vjetore.

Në kohët e fundit, BRICS-i shtoi anëtarë të rinj – Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopinë, Indonezinë dhe Iranin. Me gjithë përpjekjet e tyre për të nxitur bashkëpunimin ndërkufitar, vendet e BRICS+ ende kërkojnë – dhe në të shumtën e rasteve edhe meritojnë – zë më të madh në çështjet globale.

Në këtë kontekst, është domethënëse që, sipas “Politicos”, administrata Trump po e shqyrton mundësinë e krijimit të një C5-shi që do t’i përfshinte SHBA-në, Japoninë dhe tre anëtarë të BRICS-it: Kinën, Indinë dhe Rusinë. Kjo i afrohet rregullimit të qeverisjes globale që unë e pata sugjeruar 25 vjet më parë, pavarësisht mungesës së Brazilit apo të ndonjë vendi evropian. Përderisa mund të rezultojë të mos jetë ndonjë gjë, raportet e tilla ofrojnë qartësi mbi ata që administrata Trump i konsideron të rëndësishëm. Trumpi mund të parapëlqejë që të bashkërendohet me bashkudhëtarët e tij ideologjikë, por në rast se Evropa mund të dëshmohet më e suksesshme ekonomikisht dhe teknologjikisht, atëherë mund të imagjinohet që edhe ajo t’i bashkohet një C7-shi të ardhshëm.

Me meritë të tijën, kryeministri kanadez, Mark Carney, duket se i pranon ndryshimet më të gjera që po ndodhin. Ai i ka ndjekur lidhjet më të fuqishme dypalëshe me Kinën dhe është duke shqyrtuar seriozisht se cilin kombinim të realizmit dhe të vlerave Kanadaja duhet ta përqafojë. Po kështu, përderisa Mbretëria e Bashkuar është ende duke lënguar nga trauma e vetëshkaktuar e pas Brexitit, ajo herë pas here edhe bën hapa të vegjël në të njëjtin drejtim.

E për dallim, Evropa kontinentale mbetet tejet në errësirë. Ajo është dukshëm e frikësuar që ta nxjerrë kokën nga rëra dhe të shfaqë çfarëdo që i ngjason ambicies. Por me një vizion të kthjelluar dhe me një përkushtim për të shikuar përtej, kurrë nuk mund të dish se si gjërat mund të shtjellohen 25 vjet nga tash. Ka ardhur koha për të pasur mendime më të freskëta për BRICS+.

(Jim O’Neill është ish-ministër i Thesarit i Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-kryetar i Goldman Sachs Asset Management. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).