“Sa divizione i ka Papa?” – kishte pyetur dikur me cinizëm Stalini, në kohën kur socializmi ishte në kulmin e fuqisë së vet. Diktatura e proletariatit paraqitej si kulmi i lirisë, ndërsa i vetmi zot i pranuar ishte vetë Stalini. Realizmi dukej më i arsyeshëm se misticizmi, pasi fuqia e Stalinit ishte më e rrezikshme dhe më e drejtpërdrejtë. Disa dekada më vonë, të ngopur me realizëm e të pangopur me bukë, qytetarët e bllokut lindor iu kthyen besimit. Luteshin nën zë dhe shpresonin që Zoti t’i shpëtonte nga barazia e imponuar. Barazia pa liri dhe pa bukë ngjante me tullumbace të kuqe.
Ideologjisë së barazisë iu kundërvu ideologjia e iniciativës së lirë, humanizmit dhe mëshirës, e cila triumfoi me rënien e Murit të Berlinit. Historia ia ktheu përgjigjen Stalinit me ironi: Papa Karol Wojtyla, pa asnjë divizion, vetëm me predikim dhe “Solidaritet”-in polak, e rrëzoi perandorinë e kuqe. Por rrënimi i madh kishte ndodhur përbrenda: njeriu e kishte mundur sistemin, papërsosmëria kishte rrënuar teoritë e përsosura. Edhe pse thuhet se individi e theu sistemin, në vekt ishin njeriu, natyra e tij. Pas asaj kohe, bota hyri në një epokë lirie dhe shfrenimi. Më shumë të dehur se esëll, më shumë zhveshur se veshur, njeriu e pa veten në pasqyrë. Fuqia e njeriut nuk kishte qenë kurrë më e madhe, por sistemet vazhdonin luftën e tyre me individin. Qytetarët po e përjetonin antikomunizmin ngjashëm me komunizmin. Ideologjitë e zhveshin njeriun nga diçka dhe i veshin një rrobë që nuk i përshtatet natyrës së tij. Këtu del në skenë Babadimri. Santa Klaus u bë lideri i ri shpirtëror i planetit, i festuar edhe nga ata që nuk ishin të krishterë. Ndërsa ideologjitë autoritare përplaseshin me humanizmin, njerëzit filluan të jetonin për qejf, duke shpenzuar më shumë për argëtim sesa për nevoja. Babadimri vjen më 31 dhjetor në mesnatë, i veshur me të kuqe, pa ushtri e pa pushtet politik, sjell hare përballë rregullit, luhatje prej marinara përballë ecjes së ngurtë, jo përsosmëri përballë sistemit. Lufta mes Lindjes dhe Perëndimit përfundoi, demokracia fitoi, por brenda individit mbeti një e çarë e thellë: demokracia është pushteti i shumicës mbi pakicën, ndërsa argëtimi është rebelimi i njeriut ndaj sistemit dhe moralit. Ideologjia e majtë që mbështetej në të drejtën që dilte nga krahu i punës dhe djersën e ballit, mbeti pa krahun dhe djersën e proletariatit, sepse askush nuk e blenë sot krahun e punës. Majtizmi është revolucionar, mobilizues, ndërsa Babadimri demobilizon, demilitarizon, nuk bën as kundërrevolucion. Derisa revolucioni e thyen entropinë dhe krijon rregull me dhunë, me atmosferë entropia ndalet, jeta bëhet fluide. Sot, kur teknologjia po fillon të dominojë dhe të punojë, të mendojë dhe të marrë vendime në vend të njeriut, ideologjitë e majta dhe djathta janë çarmatosur.
Nacionalizmi, teizmi, ateiumi janë armët që do të ndryshken nëpër muze. Argëtimi është bërë ideologjia e re. Njerëzit duan të ndihen mirë, të festojnë, të harrojnë barrën e përgjegjësive. Babadimri është simboli i kësaj epoke: nuk ka divizione, por ka miliona zemra që e presin dhe përcjellin me gëzim.
Në kohën e Stalinit, fuqia matej me tanke. Pastaj me paratë. Sot matet me fuqinë për të krijuar atmosferë. Robotika, inteligjenca artificiale, predikimet fetare apo ideologjike nuk e zëvendësojnë dot këtë. Atmosfera është njerëzore, e prekshme, e përjetueshme na përfshin brenda. Na vret dhe shëron përbrenda. Babadimri i shpall luftë jo vetëm ideologjisë, por edhe moralit tradicional. Dikur argëtimi shihej si kundërta e rregullit e përgjegjësisë. Sot është bërë qëllimi final i jetës. Shoqëria që dikur ndërtonte utopi ideologjike, sot ndërton hapësira argëtimi. Robotët dhe AI po e zëvendësojnë fuqinë fizike, shkathtësitë, të menduarit dhe vendimmarrjen. Papa Wojtyla rrëzoi një perandori me humanizëm. Babadimri shkon përtej humanizmit. Argëtimi si ideologji ka një mision: të dekonstruktojë konceptin e “arsyes së shëndoshë”. A nuk e shkatërron mendimi politik lumturinë? A nuk i rrezikon Babadimri burokratët që premtojnë lumturinë kolektive? Përgjigjja është e thjeshtë: bëni qejf! Argëtimi është një refuzim i arsyes së shëndoshë – nuk pyet “pse”, por thotë “pse jo?”. Lëre fare, edhe Babadimri kësaj radhe ishte i dehur si duket. E pse të mos jetë, kur për ushqimin tonë, organizimin dhe sigurinë kujdesen AI dhe robotët. E kemi kapur kodin e universit dhe të jetës. Por njeriu refuzon të kodohet, po rrëshqet në terren të pamatshëm, atë të argëtimit. Mira (Murati) thotë se krijoi makinat që mendojnë, por ato nuk bëjnë qejf, mendojnë në heshtje. Mendojnë për ne. A nuk është kjo baza e ideologjisë së re: o njerëz, të bëjmë pak qejf. Makina dhe sistemi mendojnë për ne. Po vjen koha e qejflinjve. Pra, heshtni ju makina! Punoni ju për ne apo ne për ju? Gëzuar!