Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Kosova në prag të një supercikli krize politike

Nëse Gjykata Kushtetuese nuk e rrëzon dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe nuk vendos masë të përkohshme në lidhje me sfidimin e dekretit dhe mbarëvajtjes së seancës për zgjedhjen e presidentit, që do të pezullonte rrjedhjen e afateve ligjore e kushtetuese për caktimin e datës së zgjedhjeve, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme jo më larg se më 19 prill. Një kalendar i tillë zgjedhor do ta vendoste spektrin opozitar përballë një presioni kohor pothuajse të papërballueshëm

Kosova mund të futet në një periudhë të paqëndrueshmërisë politike, një lloj krize ciklike politike e zgjedhore që, nëse nuk frenohet me maturi politike, rrezikon të prodhojë zgjedhje të njëpasnjëshme pa zgjidhje të qëndrueshme.

Nëse Gjykata Kushtetuese nuk e rrëzon dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe nuk vendos masë të përkohshme në lidhje me sfidimin e dekretit dhe mbarëvajtjes së seancës për zgjedhjen e presidentit, që do të pezullonte rrjedhjen e afateve ligjore e kushtetuese për caktimin e datës së zgjedhjeve, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme jo më larg se më 19 prill. Një kalendar i tillë zgjedhor do ta vendoste spektrin opozitar përballë një presioni kohor pothuajse të papërballueshëm. Afati për rreshtime të reja politike, marrëveshje parazgjedhore dhe konfigurime strategjike praktikisht mbyllet rreth 29 marsit - një dritare tepër e ngushtë për kalkulime serioze politike dhe për ndërtimin e aleancave me peshë elektorale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një skenar të tillë, fragmentimi i garës pritet të penalizojë secilën forcë opozitare veçmas. Partitë do të hyjnë në zgjedhje duke konkurruar jo vetëm me pushtetin, por edhe me njëra-tjetrën për të njëjtin elektorat opozitar.

Në këtë konfigurim, Partia Demokratike e Kosovës me shumë gjasë do të ruajë pozitën e dytë në skenën politike. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe formacioni i ri politik pritet të rivalizojnë për vendin e tretë, duke e fragmentuar më tej hapësirën opozitare. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në rast se vendos të garojë e vetme, përballet me një rrezik real për të mos e kaluar pragun zgjedhor, një zhvillim që do t’i shkonte për shtati partisë fituese të zgjedhjeve dhe do të mund ta vendoste atë jashtë Kuvendit për herë të parë që nga 2001.

Sfida më e madhe, megjithatë, rëndon mbi formacionin e ri politik. Brenda një periudhe jashtëzakonisht të shkurtër, ai duhet të përmbushë disa detyra themelore organizative dhe institucionale: dorëheqjen nga Presidenca, themelimin formal të një nisme qytetare, përgatitjen e një liste prej 110 kandidatëve me profil publik e profesional dhe ndërtimin e strukturave funksionale në terren.

Regjistrimi si nismë qytetare nuk është vetëm një formalitet procedural; ai është parakusht për financimin e fushatës. Legjislacioni zgjedhor është i qartë: pa këtë status juridik nuk mund të pranohen fonde nga donatorët. E pa financim, një kampanjë serioze elektorale është praktikisht e pamundur.
Për rrjedhojë, pa një listë të plotë kandidatësh, pa burime të mjaftueshme financiare dhe pa një rrjet organizativ në terren, është jashtëzakonisht e vështirë që në kohën e mbetur të konsolidohet një subjekt i ri politik me kapacitet real për të kaluar pragun prej pesë për qind.

Në këtë sfond, dy konfigurime kryesore politike duken më të mundshme në kampin opozitar.
Skenari i parë do të shihte Partinë Demokratike të Kosovës të garojë më vete, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe formacioni i ri politik të rreshtohen në një bllok të përbashkët opozitar. Vetëm në një konfigurim të tillë ekziston mundësia që PDK të rrezikojë të bjerë në vendin e tretë.

Skenari i dytë do të përfshinte një koalicion parazgjedhor ndërmjet PDK-së dhe AAK-së, përballë një boshti të përbërë nga LDK dhe formacioni i ri politik. Në çdo konfigurim tjetër, qoftë përmes garës së ndarë të partive opozitare, qoftë përmes një koalicioni të PDK-së me AAK-në, pozita e dytë për PDK-në mbetet relativisht e garantuar.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të gëzojë një avantazh strukturor ndaj opozitës. Ky avantazh nuk buron vetëm nga pozita e pushtetit, por nga aftësia për të artikuluar një narrativë politike koherente, nga organizimi i konsoliduar partiak dhe nga një koalicion i gjerë shoqëror që ende e mbështet.

Edhe në një skenar të rënies së mbështetjes popullore në zgjedhjet e mundshme të prillit, është e vështirë të imagjinohet që Vetëvendosje të zbresë nën pragun prej 40 për qind. Një rezultat i tillë do t’i mundësonte riprodhimin e strategjisë aktuale opozitare: bllokimin e zgjedhjes së presidentit dhe, si pasojë, shtyrjen e vendit drejt një cikli të ri zgjedhor.

Kjo e zhvendos thelbin e krizës nga dimensioni elektoral drejt atij politik. E që nga 6 marsi, kriza në Kosovë nuk është më vetëm politike; ajo ka marrë edhe një dimension të qartë kushtetues.
Në këto rrethana, zgjedhjet e reja apo vazhdimin i punës së legjislaturës aktuale apo ato që mund të pasojnë pas zgjedhjeve, nuk garantojnë një zgjidhje nëse mungon një marrëveshje mes partive parlamentare për zgjedhjen e presidentit të ri.

Pa një kompromis të tillë, çdo cikël zgjedhor rrezikon të prodhojë të njëjtin rezultat: një Parlament të fragmentuar dhe një bllokadë institucionale që e shtyn vendin drejt zgjedhjeve të tjera.

Kjo është pikërisht ajo që mund ta fusë Kosovën në një supercikël krizash të përsëritura politike dhe zgjedhore, një spirale e ushqyer jo nga nevoja për stabilitet institucional, por nga logjika e rivaliteteve personale, egoja individuale për akomodim politik dhe kalkulimet e ngushta partiake.

Prandaj, momenti aktual kërkon maturi politike dhe përgjegjësi institucionale. Alternativa ndaj kësaj maturie është një cikël i pafund krizash, në të cilin zgjedhjet prodhojnë vetëm zgjedhje të tjera, por jo qeverisje të qëndrueshme, stabilitet institucional apo avancim të interesave të qytetarëve.

Autori ka shërbyer si shef i stafit të presidentes së Kosovës (2021-2023) dhe ka doktoruar në Studime Evropiane Bashkëkohore nga Universiteti i Sussexit.