NËPËR FILM

“Nëpër film” rikthehet me botën e kinematografisë

“Nëpër film” vjen me sezonin e ri të dielën, më 6 shtator. Emisioni unik javor që i dedikohet filmit, edhe gjatë këtij sezoni do t’i mbajë shikuesit të informuar me zhvillimet e fundit të filmit në vend dhe në botë.

Rubrikat “Filmi shqiptar” dhe “Në fokus” do të vazhdojnë të jenë pjesë e emisionit bashkë me lajmet rreth lansimeve të reja kinematografike në botë. Risi e këtij sezoni do të jenë bisedat e zhvilluara në studio me mysafirë të ndryshëm.

Megjithëse pandemia i ka pezulluar aktivitetet në fushën e filmit dhe ende nuk i jemi kthyer normalitetit, filma të shumtë kosovarë kanë vazhduar prezantimet nëpër festivale të ndryshme të filmit në botë. Në edicionin e parë të sezonit të ri, “Nëpër film” i jep hapësirë projektit të regjisorit kosovar Visar Morina, “Exil”, i cili së fundmi e fitoi çmimin kryesor në Festivalin e Sarajevës. I ftuar në studio do të jetë një prej producentëve të “Ikonë Studio”, që gjendet prapa realizimit të këtij filmi.

Gjithashtu do të transmetohet një material përmbledhës për aktorin e ndjerë, Chadwick Boseman, vdekja e të cilit erdhi si befasi për publikun anembanë botës. Storie nga Festivali i Venecias, filmat “The Batman”, “Mulan” dhe “The New Mutants”, janë po ashtu pjesë në bllokun me informacione të edicionit më të ri. “Nëpër film” transmetohet çdo të diel nga ora 21:20 në Kohavision.