Kulturë

“Nëpër film” rikthehet në Kohavision

Emisioni që iu dedikohet adhuruesve të filmit do të rikthehet në skemën programore të KTV-së.

Së shpejti e diela mbrëma do të sjellë në ekran përmbledhjen e zhvillimeve në industrinë e filmit, si dhe materiale ekskluzive për realizimin e prodhimeve më të reja të kinematografisë shqiptare, duke i mbajtur adhuruesit e kinematografisë të informuar me ecurinë e projekteve të realizuara nga skenaristë, regjisorë e aktorë të njohur të skenës mbarëshqiptare.

Pjesë e emisionit do të jenë edhe minutat që i dedikohet parakalimit të yjeve në qilimin e kuq të shtuar qoftë për premierat botërore dhe vendore, qoftë për raste të veçanta dhe ceremoni ndarjesh të shpërblimeve apo festivaleve të listës A.

Emisioni nuk merret vetëm me aktualitetin, por edhe me historinë e filmit, duke sjellë në kujtesën tonë filmat që kanë lënë gjurmë në historinë e kinemasë, por edhe biografi të personaliteteve që kanë dhënë kontribut të veçantë në botën e filmit gjatë viteve. Përveç materialeve nga terreni, “Nëpër film” përfshin edhe intervistat e realizuara në studio.

Materiale rreth filmave të parë shqiptarë, rrugëtimit të kineastëve kosovarë në “Berlinale” nga filmi dokumentar deri tek ai artistik, si dhe përmbledhjen e aktorëve kosovarë që kanë histori me paraqitjet e tyre në filma vendorë dhe të huaj, do të jenë vetëm disa nga ato që do të mund t’i ndiqni në edicionet e para të emisionit “Nëpër film”.

Rubrika interesante, informuese dhe argëtuese, janë pjesë e 35 minutave dinamike të rezervuara për emisionin që në tërësi i kushtohet filmit.

Prezantuese e emisionit është Edona Binaku, ndjekëse e zhvillimeve në kinematografi prej shumë vjetësh. “Nëpër film” do të transmetohet të dielave nga ora 21:20, vetëm në Kohavision.