Regjisori Mirak Zymberaj ishte i ftuar në emisionin “Nëpër Film”, për të shpalosur detaje rreth filmit të ri të metrazhit të shkurtër, “Thirrja”. Rrugëtimin ky projekt e nis në Festivalin ndërkombëtar të filmit të shkurtër “In the Palace” në Bullgari, që renditet midis festivaleve kualifikuese për në “Oscar”.
Rrëfimi në film sjell një konflikt të rastësishëm në mes dy vëllezërve që përfundon tragjikisht. Derisa rregullojnë varrin e babait të tyre, vëllai i vogël (Miran Zymberaj) vret vëllain e tij më të madh (Art Pasha) pas një kacafytjeje duke akuzuar atë se ka përvetësuar trashëgiminë e babait të ndjerë. Dëshmitar i ngjarjes është varrmihësi (Mentor Zymberaj) që i sheh nga larg. Kur afrohen në skenën e krimit gjen revolen në tokë. Ngjarjet edhe më dramatike bëhen kur mbërrin nëna e dy djemve (Albina Osmani). E gjen varrmihësin me revolen e burrit të saj në dorë. Skena e bën të dyshojë se varrmihësi ia ka vrarë djemtë e saj dhe e vret këtë të fundit duke besuar se ai ka gisht në zhdukjen e tyre.
“The Call” apo “Thirrja”, garon në kategorinë kryesore të Festivalit ndërkombëtar të filmit “In the Palace”, që sivjet mban edicionin e 21-të nga 29 qershor deri më 6 korrik. Po ashtu gjatë vitit 2024, regjisori shpreson që ta shfaq filmin edhe në Kosovë.
Ndër të tjera, Mirak Zymberaj ka treguar se ka në plan që filmi i tij i ardhshëm të jetë i metrazhit të gjatë. Edhe aty nuk do të mungojë bashkëpunimi me babanë, aktorin, skenaristin dhe producentin e mirënjohur, Mentor Zymberaj.