NËPËR FILM

Filmat kosovarë që e vazhduan rrugëtimin dhe shënuan suksese në pandemi

Pandemia e koronavirusit e karakterizoi vitin 2020, duke e goditur rëndë edhe industrinë e filmit në botë dhe vend. Sa u takon filmave kosovarë të metrazhit të gjatë, disa prej tyre megjithatë e vazhduan rrugëtimin nëpër festivale të ndryshme anembanë globit, madje edhe shënuan suksese të jashtëzakonshme duke u shpërblyer me çmime të rëndësishme kinematografike, si dhe arritën të depërtojnë te publiku në formatin online.

“Exil” është filmi i fundit i regjisorit Visar Morina, i cili nga fillimi i rrugëtimit të tij nëpër festivale, ka arritur të komunikojë shumë mirë me publikun. Premierën botërore filmi e kishte pasur në janar të vitit 2020, në festivalin e filmit “Sundance” në SHBA dhe atë evropiane në shkurt në “Berlinale”. Por nga këtu, rrugëtimi i tij u desh të vazhdojë ndryshe nga që ishte planifikuar, duke u shfaqur vetëm online dhe jo nëpër kinema.

Duke qenë bashkëprodhim në mes të tri shteteve, Gjermani, Kosovë dhe Belgjikë, filmi e rrëfen historinë e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili zhytet në krizë identiteti, pasi që ndihet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e tij të punës, ndërsa në rolet kryesore i sjell aktorët: Mishel Matiçeviq, Sandra Hüller, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli dhe të tjerë.

Suksesi më i madh i këtij projekti kinematografik erdhi në muajin gusht, kur “Exil” e fitoi “Zemrën e Sarajevës”, më të madhin çmim në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Kështu me trofeun kryesor në edicionin e 26-të, Visar Morina u bë i pari kineast nga Kosova të cilit iu akordua një çmim i tillë në këtë eveniment. “Exil” po ashtu është filmi i dytë i lartvlerësuar i Morinës, që u përzgjodh nga komiteti selektues i QKK-së, që të jetë propozimi i Kosovës për kategorinë “Filmi më i mirë i huaj” në ceremoninë prestigjioze “Oscar”.

Fatmirësisht, edhe publiku kosovar pati rastin ta shikojë filmin e shumëshpërblyer, në muajin tetor në kuadër të “PriFilmit” ku u shfaq jashtë garës së festivalit. Producenti kosovar i filmit, Yll Uka, nga “Ikonë Studio” ka bërë të ditur se do të mundohet që filmin ta sjellë edhe në kinema, kur situata në vend ta mundësojë një gjë të tillë.

“Zana” është një tjetër projekt kinematografik i cili ka shënuar suksese të kënaqshme gjatë 2020-s, dhe ka arritur të shfaqet në festivale të ndryshme të botës. Me regji të Antoneta Kastratit, filmi është një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjell një grua të re kosovare, e cila përpiqet të bëhet nënë, përderisa ballafaqohet me tmerret nga e kaluara e saj e errët e kohës së luftës. Në rolet kryesore të këtij projekti vijnë aktorët e njohur kosovarë, Adriana Matoshi dhe Astrit Kabashi.

“Zana” premierën botërore e kishte shënuar në festivalin e filmit në Toronto, në shtator të vitit 2019, për ta vazhduar rrugëtimin tutje në festivale tjera anembanë globit si: festivali i filmit në Portland, festivali ndërkombëtar i filmit në Palm Springs të Kalifornisë, ku mori çmimin “Buzz” si filmi më i mirë ndërkombëtar i metrazhit të gjatë, festivali ndërkombëtar i filmit në Trieste të Italisë, festivali i filmit në Goteborg të Suedisë, “Crossing Europe Film Festival” në Austri, festivali ndërkombëtar i filmit në San Francisco, festivali filmit në Glasgow, festivalin ndërkombëtar i filmit në Vilnius të Lituanisë, festivali i filmit në Sydney ku mori çmimin e jurisë, “Fantaspoa - International Fantastic Film Festival” në Brazil ku mori çmimin për aktoren më të mirë i cili shkoi për Adriana Matoshin, “Mostra de Valencia” në Spanjë, ku Matoshi po ashtu u nderua me çmimin “Aktorja më e mirë, festivali i Holandës “Eastern Neighbours”, në “Seoul International Womens Film Festival” të Koresë Jugore, festivali ndërkombëtar i filmit në Sarajevë, festivali i filmit në Tiranë ku u zgjodh filmi më i mirë, festivali “goEast” në Gjermani, festivali i filmit “Exground” ku e fitoi çmimin e publikut dhe të tjerë.

Regjisorja Antoneta Kastrati, ka thënë se secili shpërblim që “Zana” e fiton është i rëndësishëm, pasi që vlerësohen puna dhe kualiteti i filmit. Çmimet, sipas saj, ndihmojnë që filmi të ketë audiencë më të gjerë.

Ky projekt i shumëshpërblyer është bashkëprodhim midis Kosovës, Shqipërisë dhe SHBA-së, dhe është financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.

“Cirku Fluturues” e gëzoi një rrugëtim të kënaqshëm të shoqëruar me shumë suksese, nga momenti që e shënoi premierën botërore në Tallin të Estonisë. Ai vjen me regji të Fatos Berishës, derisa në rolet kryesore i sjell aktorët: Armend Smajli, Afrim Muçaj, Tristan Halilaj dhe Shpëtim Selmani.

Filmi, për të cilin Berisha ka shkruar edhe skenarin, përshkruhet si komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë që ndodh në fund të viteve ’90 në Kosovë, në prag të luftës. Ai flet për flet për frikën, kushtet e vështira, armikun mbi kokë, luftën që është në prag. Por, midis krejt këtyre sjell edhe dëshirën për jetë e profesion, bashkë me një humor të hollë që e mban shikuesin aktiv përballë ekranit.

Pas pjesëmarrjes në festivale të shumta të organizuara online, filmi i shumëpëlqyer kosovar arriti edhe të shpërblehet në disa prej tyre. Shpërblimi i parë që e mori ishte në Romë në festivalin “Fabrique du Cinema”, për të vazhduar tutje me çmimet “Filmi më i mirë” në “Santa Barbara International Film Festival”, “War on Screen” në Francë, Dea Film Festival në Tiranë dhe së fundmi në Gjermani në “Cottbus Film Festival”.

Regjisori Fatos Berisha për grupin Koha kishte deklaruar se të gjitha këto shpërblime të cilat filmi i ka fituar deri më tani, e bëjnë krenar duke marrë parasysh konkurrencën me të cilën është përballur në festivale të ndryshme.

Xhirimet e “Cirkut Fluturues” kanë zënë vend në Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri.

Edhe filmat “Shpija e Agës” nga Lendita Zeqiraj dhe “Nëntor i Ftohtë” me regji të Ismet Sijarinës, e kanë vazhduar rrugëtimin e tyre në festivale online, duke u vlerësuar lart nga kritika dhe duke triumfuar në kategori të ndryshme për film dhe aktrim.