Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Flakadanët ndizen edhe në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me përfaqësuesit e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familjarë të familjeve të dëshmorëve, ndezën të martën mbrëma në Prishtinë flakadanët për të shënuar natën e zjarreve, në shenjë solidarizimi me ndezjen e flakadanëve në të gjitha rajonet, duke përmbyllur kështu manifestimin në përkujtim të Epopesë së UÇK-së.

Kryetari i kryeqytetit përmes ndezjes së flakadanëve kujtoi familjen Jashari si një familje që është flijuar për lirinë e popullit. Ai tha se ky organizim do të bëhet traditë dhe do të madhërohet edhe më shumë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

"Kjo është një shenjë nderi e respekti për familjen e madhe Jashari, të cilët e kanë flijuar jetën e tyre që ne sot të festojmë lirinë. Është një organizim që e kemi bërë vitin e kaluar dhe prej tash e tutje do të jetë organizim për çdo vit dhe patjetër se çdo vit do të madhërohet edhe më shumë për ta nderuar sakrificën e familjes Jashari, për të nderuar të gjithë ata që kanë dhënë jetën për lirinë e vendit tonë", tha ai.

Rama tha se përmes disa prezantimeve të bëra e që i kanë paraqitur në letra në sheshin "Skenderbeu", njerëzit mund të mësojnë më shumë për historinë e popullit të Kosovës që nga viti 90-të e deri në luftë.

Kryetari i Shoqatës për familje të dëshmorëve të Prishtinës, Naser Pacolli, kujtoi gjithë dëshmorët e rënë për liri. Ai e vlerësoi figurën e komandantit legjendar, Adem Jashari, si një figurë përmes së cilës është sjellë liria.

"Sot në 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së në shenjë simbolike kemi vendosur së bashku me Komunën e Prishtinës që të bëhet ndezja e zjarreve, e cila para 25 viteve ka shërbyer si masivizim i UÇK-së. Me rënien e komandantit legjendar, Adem Jasharit, populli jonë i është bashkangjitur masivisht UÇK-së. Përkujtojmë të gjithë dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës", tha Pacolli.

Ndryshe, në kuadër të shënimit të “Epopesë së UÇK-së”, sonte po mbahet nata e zjarreve edhe në Prekaz. /KSP