Afro 200 mijë euro është vlera e kontratës për shtrimin e rrugës, e cila nuk është më e gjatë se 8 kilometra.
Kontrata për rrugën që do të lidhë fshatin Rimanishtë me atë Siqevë, është nënshkruar me datën 2 gusht të këtij viti.
“Integral” Sh.p.k është emri i kompanisë fituese të këtij tenderi, pronarët e së cilës janë vëllezërit e njërit nga ish-asamblistët në Komunë të Prishtinës.
Jeton dhe Agim Aliu, janë vëllezërit e Fadil Aliu-Hertica, anëtarit të këshillit të përgjithshëm të LDK-së, i cili u zgjodh asamblist në mandatin e kryetarit Përparim Rama, për t’u tërhequr pastaj nga ky post e për të mbetur si shef i personelit në Komunë të Prishtinës.
Kompania “Integral” Sh.P.K është e regjistruar në emër të vëllezërve të tij, kompani të cilën vetë Fadil Aliu e konsideronte si biznes familjar.
“Sot, unë me vëllezërit e mi, ishim nikoqirë të shtruarjes së iftarit për stafin e kompanisë sonë”, kishte shkruar Fadil Aliu vite më parë duke e shoqëruar atë edhe me një fotografi.
Në pyetjet e dërguara nga KOHA, Zyra e Prokurimit ka thënë se loton e 3 të kontratës “Ndërtimi i rrugëve në fshatrat e Komunës së Prishtinës” e ka fituar kompania në fjalë pasi ka ofruar çmimin më të lirë të ofertës.
Përderisa, kanë potencuar se nuk kanë njohuri për lidhjet familjare dhe e njëjta kompani ka marrë çdo herë pjesë në projektet e Komunës së Prishtinës.
“OE Integral është Operator Ekonomik që operon me vite të tëra dhe se I njëjti çdo herë ka marrë pjese në projektet e Komunës së Prishtinës. Ne si Departament i Prokurimit nuk kemi njohuri për vëllezërit e operatorëve se me çka merren dhe se ku operojnë por e rëndësishme është që OE integral ka plotësuar të gjitha kërkesat e kërkuara në Njoftimin për Kontratë dhe në Dosjen e Tenderit dhe se është me çmimin më të lirë të ofertës”.
Në anën tjetër, as Fadil Aliu nuk ka kthyer ndonjë përgjigje në lidhje me këtë gjë.
Fadil Aliu, i cili u zgjodh këshilltar komunal në mandatin aktual, dha dorëheqje në prill të këtij viti “për arsye personale”.
Përkundër dorëheqjes nga ky post, ai vazhdon të jetë mjaft i afërt me kryetarin e Prishtinës, i cili edhe foton e kopertinës në rrjetin e tij social në Facebook, e ka me kryetarin Rama.
Në anën tjetër, opozita e Prishtinës, Vetëvendosje, po e akuzon LDK-në edhe për vendosjen e njerëzve partiakë në krye të ndërmarrjeve publike.
Megjithëse kryetari Përparim Rama muaj më parë pati deklaruar se në krye të ndërmarrjeve publike nuk do të ketë njerëz partiak, por vetëm profesionist. Megjithatë, javë më parë, kryeshef i ndërmarrjes “Termokos” u zgjodh Fisnik Osmani, i cili më pas dha dorëheqje nga posti i asamblistit të LDK-së në Prishtinë.