Arbëri

NPB-ja merr paratë për tërë muajin, pa shërbime në fundjavë

Më shumë se një orë iu desh të qëndronte para ndërtesës së tij në lagjen “Lakërishtë”.

Shkaku i prishjes së liftit, Shpëtim Binxhija, i cili lëviz me karrocë, ditë më parë e pati të pamundur të ngjitej në katin e 10-të, aty ku edhe banon.

Në mungesë të ekipeve kujdestare nga Ndërmarrja Publike Banesore, Binxhisë iu desh të priste reagimet urgjente nga ana e Komunës së Prishtinës, vetëm pasi rasti i tij u publikua në portalin KOHA.

Megjithëse lifti u rikthye në funksion, Binxhia vazhdon të hasë në vështirësi.

Për shkak se është shumë i ngushtë, ky lift mezi e zë atë me karrocë, përderisa bashkë me të nuk mund të hyjë edhe ndonjë shoqërues i tij.

Në këtë hyrje ekziston edhe një ashensor më i madh, megjithëse ai ka vite që është jashtë funksionit.

Me marrjen nën menaxhim të kësaj hyrjeje, NPB kishte funksionalizuar vetëm liftin e vogël për të cilin edhe bën mirëmbajtjen, ndërsa lifti, A i cili edhe është më i nevojshëm për banorët ka mbetur i prishur.

Banorët thonë se ka kohë që kanë bërë kërkesë për rregullimin e tij, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Por Ndërmarrja Publike Banesore, e cila merr 10 euro në muaj nga secila familje në këtë hyrje, thotë se ata bëjnë vetëm mirëmbajtjen e liftit. Për rregullimin e “liftit A”, sipas tyre, banorët nuk kanë qenë të gatshëm të investojnë.

“NPB ka marrë një ashensor në mirëmbajtje, e bëjmë një raport për gjendjen faktike dhe e vlerësojmë, pastaj ua prezantojmë banorëve gjendjen faktike dhe pastaj iu tregojmë se për çështje teknike dhe të sigurisë duhet të investohet në ashensor. Në ashensorin në fjalë kemi bërë një raport teknik, ua kemi prezantuar banorëve dhe ata nuk kanë pasur mundësi apo ku ta di për shkak të çështjeve financiare nuk kanë mundur që ta rregullojnë ashensorin. Në këtë mënyrë ne kemi mund të marrim nën menaxhim vetëm ashensorin B. Pra ashensori është pronë e banorëve dhe ne vetëm bëjmë mirëmbajtjen”, tha Jeton Hoti, ushtrues detyre i menaxherit të departamentit për mirëmbajtje dhe investim.

Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës thotë se ashensori i kësaj hyrjeje është në listën e riparimeve për vitin 2022.

“Ashensori në ‘Lakërishtë’, hyrja 3, ndërtesa nr. 21, është në listën e riparimeve të ashensorëve, e cila do të realizohet në projektet pas lidhjes së kontratës për riparimin e ashensorëve për vitin 2022, e cila është në fazën e vlerësimit”, thuhet nga Komuna e Prishtinës.

Me marrjen nën menaxhim edhe të liftit të dytë, banorët e kësaj hyrjeje duhet t’ia paguajnë NPB-së edhe 3 euro shtesë.