Banorët e një objekti banesor në lagjen “Dardania” në Prishtinë ankohen për mosfunksionim të dy ashensorëve të ndërtesës, ndonëse dhanë para për t’i rregulluar defektet. Tregojnë se mungesa e ashensorëve funksionalë ua rëndon gjendjen sidomos atyre me probleme shëndetësore. Ata bënë përgjegjës një banor që ka kontratë me Telekomin për antenat e vendosura sipër ndërtesës. Sipas tyre, shumën e qirasë të cilën e merr, nuk e investon në mirëmbajtje të ashensorëve.
Xhyljeta Mehmeti detyrohet që sa herë të dalë nga kati i shtatë i banesës ku jeton, të lëshohet e të ngjitet në këmbë.
Objekti banesor 9-katësh në lagjen “Dardania” në Prishtinë, e i cili menaxhohet nga Ndërmarrja Publike Banesore ka dy ashensorë, por asnjëri nuk funksionon.
“Duhet me mendu mirë çka kemi ble, çka nuk kemi ble për mos me hypë lart e me zbrit prapë poshtë”, thotë ajo. “Kemi dhënë para për me u ndreqë lifti, por tash prapë nuk është funksional”.
Mungesa e ashensorëve krijon vështirësi veçmas për banorët me probleme shëndetësore.
“Unë jam edhe me operacion prej unazave. E kam problem shumë të madh ecjen nëpër shkallë, por nga zori bën gjithçka”, thotë Merita Govori.
Edhe banorë të tjerë u ankuan për prishjet e shpeshta të ashensorëve. Në kushte anonimiteti, treguan se vite më parë një vajze i është amputuar këmba, si pasojë e një aksidenti në njërin prej këtyre dy ashensorëve.
Banorë të ndërtesës thanë se ekziston një kontratë aktive mes Telekomit dhe një familjeje në katin më të lartë për vendosjen e antenave sipër objektit banesor. Sipas tyre, me vendosjen e antenave, me pëlqimin e tyre, pronari i banesës ka marrë përsipër mirëmbajtjen e ashensorëve.
“Antena e pronarit që e ka lartë, që i ka marrë mjetet prej Valës, kushtimisht e ka pasur një far lloj mirëmbajtje në atë kuptimin, mirëpo për çdo vit kemi pasur probleme serioze. Mirëpo, kur ka pasur riparime ose investime më të mëdha, prapë ne është dashur me mbledhë mjete prej banorëve që me e zgjedhë problemin, edhe me ecë me lift. Përndryshe jemi ku jemi sot”, ka thënë Shefki Krasniqi, përfaqësues i Këshillit Banesor.
Por, në kopjet e kontratave që i ka parë KOHA, nuk trajtohet çështja e mirëmbajtjes së ashensorëve. Në to, qiradhënësi i cili ka arkëtuar secilin muaj nga 340 euro deri në 980 euro, herë është prezantuar si përfaqësues i pasurisë ku janë vendosur antenat, e herë si përfaqësues i këshillit banesor.
Kontrata ka skaduar në fund të muajit të shkuar, e në Telekom thanë se do t’i tërheqin pajisjet nga kulmi i banesës.
“Qiradhënësi në këtë rast, ka për obligim të përkujdeset në kuadër të qirasë edhe pagesat për shpenzimet e energjisë elektrike te pajisjeve të vendosura telekomunikuese. Për këtë lokacion, Telekomi i Kosovës Sh.A është pajisur me pëlqim urbanistik nga Kuvendi Komunal – Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.
Vendimi për tërheqjen e pajisjeve është marrë pas një peticioni që kanë realizuar banorët e ndërtesës.
Një familjar i personit që figuron si qiradhënës në kontratën me Telekomin, tha se ashensorët janë mirëmbajtur, por se ka pasur vështirësi në muajit e fundit.
“Prej 2006 e deri tash, çdo prishje, çdo send, çdo rrymë..., i kemi paguar. Po tash që ka qenë Posta në krizat e veta, na i ka ulë neve ato të ardhurat dhe tash ne nuk mund t’i paguajmë. I kemi paguar vetëm obligimet mujore e jo prishjet. Nuk kemi mundur t’i mbërrijmë krejt”, ka thënë një nga familjarët.
Ndërmarrja Publike Banesore nuk i ka marrë në mbikëqyrje ashensorët e ndërtesës, nën arsyetimin se paraprakisht banorët duhet t’i vënë ata në funksion, e edhe të investojnë në modernizim të pjesës elektrike.
KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës, tek e cila banorët thanë se janë ankuar dhe kanë marrë premtimin për zgjidhje të shpejtë, por përgjigjet kanë munguar prej dy javësh.